×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Aksidenti që i mbyti fëmijën në bark – Familja nga Podujeva që 3 vite në pritje të drejtësisë

    Insajderi
    05 January 2023 - 15:40

    Familja Humolli nga fshati Lupç i Podujevës kanë tri vit që presin drejtësinë për humbjen e foshnjës së tyre shtatë mujashe. Merita Humolli po mbante në bark foshnjën e saj kur me 31 maj të 2019-ës, i ndodhi aksidenti i rëndë. Shoferi i “Mercedesit” I.M e goditë veturën e saj teksa po merrte rrugën drejt Prishtinës. Ky aksident familjes Humolli i shkaktoi tragjedinë më të madhe në jetë. Humbjen e vajzës, të cilën po e prisnin pas dy djemve. Bashkëshorti i saj, Bujar Humolli kishte shpresë që drejtësia do të bie në vend.

    Shoferi që shkaktoi aksidentin u dënua veç me 10 muaj burgim.

    Në 2019-ën, Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht për rastin, para publikut solli edhe momentin e aksidentit, e rrëfimin e Meritës nga Spitali.

    Sot për Insajdeirn sërish foli kryefamiljari, i cili tha se edhe pas tri viteve asnjë thirrje nuk iu është bërë nga organet e rendit.

    Ai ka konfirmuar se bashkëshortja e tij për shkak të lëndimeve të marra nga ai aksident ende trajtohet. Pritet t’i nënshtrohet edhe operacionit të tretë.

    “Jemi në pritje të drejtësisë, ende dua të besoj që drejtësia do e bëj punën e saj, edhe pse u bën tri vite që as edhe një thirrje nuk më kanë bërë. Nga lëndimi i marrë bashkëshortja ende vazhdon mjekimin, dy here është operuar dhe sipas mjekëve mund t’i nënshtrohet edhe operimit të tretë”, tha Humolli për Insajderin.

    Se I.M është dënuar me vetëm 10 muaj burgim për Insajderin e kanë konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

    “Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti  i Përgjithshëm Penal me datë 01.07.2022 ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale P.nr.4229/2019 kundër të akuzuarit I.M për veprën penale Rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari I.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë (10) muaj”, thuhet në përgjigjën e tyre.

    Gjykata është pyetur edhe lidhur me kompenzimi e dëmit ndaj familjes Humolli.

    Ndërsa sa i përket lëndës me numër C.nr.796/2019 e cila ka të bëjë me kompenzim dëmi, nga gjyqtari i kësaj çështje jemi informuar se lënda është në pritje të radhës për shqyrtim, e njëjta do të trajtohet sipas radhës së arritjes në gjykatë”, deklaruan nga gjykata.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark