×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Alarmet e rrejshme me bombë në aeroportin e Prishtinës, asnjë rast i zgjidhur – Policia: Hetimet vazhdojnë

    Insajderi
    14 February 2023 - 11:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të hënën e 6 shkurtit, pasagjerët e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, u tronditën pas kërcënimit për bombë. Dhe, kjo nuk është hera e parë. Edhe gjatë 2022-ës, ishin pranuar disa kërcënime për mjete shpërthyese. Për disa orë ishte mbyllur aeroporti por t’u rihapur pastaj me arsyetimin se ka qenë alarm i rrejshëm. Përveç komunikatave të përgjithshme, Policia nuk ka dhënë detaje mbi këto raste, shkruan Insajderi.

    Policia e Kosovës nuk ka treguar nëse ndonjëri prej këtyre rasteve është zgjedhur. Nëse është kuptuar se kush qëndron pas tyre. Apo se a është gjithmonë mënyra e njëjtë e kërcënimit.

    Një përgjigje pa ndonjë detaj specifik e dhanë edhe për Insajderin.

     “Policia e Kosovës i trajton dhe heton të gjitha rastet konform autorizimeve ligjore që ka, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Po ashtu edhe lidhur ne rastet në fjalë, janë duke u kryer hetime intensive në bashkëpunim me institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjën e policisë për Insajderin.

    Përveç frikës që po shkakton tek pasagjerët, zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara ka treguar edhe për dëmet tjera që po sjellin alarmet false për mjete shpërthyese.

    “Çdo alarm aktivizon Qendrën Operative Emergjente në bazë të planit emergjent, dhe gjithsesi ka ndikim edhe në fluturime dhe udhëtarë, duke shkaktuar vonesa në fluturime apo edhe anulime të cilat kanë drejtpërdrejt ndikim të udhëtaret dhe procesimi i tyre”, tha Gara për Insajderin.

    Çka tha Policia për kërcënimin me bombë të datës 6 shkurt?

    Policia konfirmoi se përmes postës elektronike në ANP Adem Jashari, ishin pranuar dy kërcënime me mjete shpërthyese.

    “Nga njësitë policore fillimisht është bërë evakuimi i stafit të ANP Adem Jashari dhe i të gjithë udhëtarëve. Më pas njësitë përkatëse kanë bërë kontrollimin e hapësirave e ANP Adem Jashari dhe nuk kanë rezultuar si kërcënime të vërteta”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në fund rezultoi se alarmi është i rrejshëm, e që rasti po vazhdon të hetohet.

    “Pastaj është mbyllur alarmi dhe gjithçka u është kthyer normalitetit. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet”.

    “Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcënim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar. Ekipet emergjente jane involvuar ne detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara”, shkruante në Facebook, zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara.

    Alarmet e rrejshme gjatë 2022-ës për sulm me bombë në aeroport

    Vetëm në muajin qershor, të vitit që lamë pas dy alarme për bombë ishin ngritur. Njëri me 3 qershor dhe tjetri me 18 qershor.

    Në fillim të qershorit, Policia ishte njoftuar se në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ishte dhënë një alarm për bombë. Dyshimet ishin se një aeroplan i linjës Romë-Prishtinë i ishte montuar një mjet shpërthyes por pas kontrolleve rezultoi alarm i rrejshëm.

    “Jemi njoftuar të gjitha njësitë relevante. Pasagjerët janë evakuar. Është kontrolluar komplet fluturimi. Janë kontrolluar komplet bagazhet. Nuk ka dalë asgjë. Domethënë është alarm fals”, kanë thënë në një konferencë për media nga Policia e Kosovës.

    Me 16 qershor,. Policia u kujdesën për evakuim e sigurim të qytetarëve e pasagjerëve. Sërish alarmi doli të jetë fals.

    Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9)”, thonin nga policia

    Pas qershorit edhe në dhjetor të 2022-ës u paralajmërua për bombë. Policia e Kosovës njoftoi për mbylljen e përkohshme të aeroportit, me arsyetimin se dyshohet për mjet shpërthyes.

    Policia e Kosovës, se në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin”, thuhej në njoftimin e Policisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kujtojmë se alarme të rrejshme për sulme me bombë përveç në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jasharin”, kishte edhe për Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet si dhe disa shkolla në veri të vendit.

    /GazetaInsajderin

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark