×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Albana Beqiri: “Vdekjet e mia”

    Insajderi
    21 May 2023 - 20:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Vdekjet e mia”– shënim dhe meditim

    Herën e parë që vdiqa, ishte një ditë e ftohtë dhjetori. Shihja grumbullin e madh të familjarëve që silleshin rreth e rrotull krevatit ku dergjej prej ditësh Gjyshja dhe nuk arrrija të kuptoja çfarë po ndodhte, që kur e mbaja mend gjyshen, kishte qenë e sëmurë, por gjithmonë në këmbë, më e fortë nga të gjithë ne, prandaj edhe pse isha në të 17-tat e mia nuk e besoja që gjyshja ishte në lëngatën e fundit, ajo dha shpirt atë mbasdite duke i pasur të gjithë rrotull: djemtë, nuset dhe nipat e mbesat e shumtë, ashtu siç kishte dëshiruar gjithmonë.

    E kisha dëgjuar shpesh gjyshen që sa herë fliste për vdekjen këtë e shoqëronte me frazën “tre ditë e në dhe”, ato tre ditë thoshte se i donte që t’i shihte edhe një herë të fundit të gjithë familjarët e saj, dhe që fëmijë kisha krijuar një përshtypje të amullt për vdekjen si diçka që do të zgjaste tre ditë e pastaj do e mbulonte dheu. Gjyshja ashtu si kishte uruar tërë jetën, i pati ato tre ditët e saj me të gjithë familjarët afër dhe pastaj dha shpirt.

    Atë ditë vdiqa edhe unë bashkë me të, ishte vdekja ime e parë, si e vdekur që isha vetëm i vëzhgoja ato që po ndodhnin, nuk mund të isha pjesë e tyre derisa në mëngjesin tjetër u zgjova, jo më si e vdekur, por si një 17 vjeçare që nuk mund ta besojë se parajsa e fëmijërisë së saj, Gjyshja nuk rron më, 17 vjeçarja deri atë ditë kishte menduar se edhe vetë do të plakej, madje edhe fëmijët e saj do plakeshin, por Gjyshja do të ishte aty, në krye të vendit, ajo nuk do të vdiste kurrë, sepse gjyshet nuk vdesin, nuk duhet të vdesin se po vdiqën ato vdes edhe fëmijëria e nipave e mbesave të tyre.

    Vdiqa sërish tre ditë më vonë, kur dha shpirt Gjyshi, asnjëherë më parë nuk e kisha dëgjuar të përmendte vdekjen, pleqërinë po, por vdekjen asnjëherë, mbase në kuptimin e Gjyshit vdekja ishte baraz me pleqërinë, nuk e di, ndoshta…, ai vdiq në moshën kur vdekja ishte me rend, por jo aq sa mos me lënë boshllëkun që lë pas një humbje e madhe, vdekjen e tij nuk e pashë, ai vdiq në mbrëmje vonë kur unë po flija, por kur u zgjova në mëngjes dhe Gjyshi nuk ishte aty në shtratin e tij të dergjës, unë vdiqa sërish, për të dytën herë. Gjithë ditën e varrimit të tij isha e vdekur dhe vetëm i vëzhgoja ceremonitë pasuese, nuk mund të isha pjesë e tyre derisa në mëngjesin tjetër u zgjova, jo më si e vdekur, por si një 17 vjeçare e mbetur jetime edhe nga Gjyshi.

    Herën e tretë thashë se vdiqa përgjithmonë, ishte një ditë e ftohtë fundprilli, nga ato që të shpojnë nga thëllimi dhe të tregojnë vrazhdë se dimri nuk ka shkuar ende. Babai dha shpirt në një mëngjes të hershëm të mbytur nga shirat kur unë isha në gjumë, por kur u zgjova nga ulërima e thekshme motrave, pa ma thënë askush e kuptova gjëmën, im atë kishte dhënë shpirt dhe bashkë me të vdiq edhe një pjesë e shpirtit tim. Vdiqa edhe unë vetë, ishte vdekja ime e tretë, e cila zgjati më shumë se dy vdekjet e para e nganjëherë më duket se ende është aty në mua, vigjëluese siç di të jetë vetëm vdekja. Babai edhe pse asnjëherë nuk kishte folur për të, e kishte parandjerë vdekjen, e kishte ligështuar vdekja e prindërve të tij, ishte ligështuar e trembur për vdekje nga ndonjë shqetësim shëndetësor i ne vajzave, mbaja mend se bëhej si meit sa herë ne sëmureshim, por gjithmonë ishte njeriu i fortë dhe i pamposhtur nga asgjë, madje as nga vdekja. Ai iu dha vdekjes pa rezistuar e ky njeri i vdekur në një mënyrë ose në një tjetër nuk mund të ishte babai im, sepse im atë ishte luftarak, si mund ta mposhte vdekja një njeri të tillë?, edhe pse nuk e kuptoja se ç’lidhje kishte vdekja me tim atë, ajo e kishte marrë atë, ai i ishte dhënë asaj, e në momentin kur ai dha shpirt vdiqa edhe unë. Vdiqa për shumë ditë dhe si e tillë vetëm vëzhgoja dhembjen e të tjerëve, të nënës, motrave të mia dhe gjithë familjarëve të mi, derisa më në fund pas javësh a muajsh u zgjova, jo më si e vdekur, por si një 18 vjeçare e mbetur jetime.

    Më pas, sa herë jeta më jepte ndonjë goditje vdisja nga pak, shkurt, jo shumë gjatë, vdisja e rizgjohesha e ngjallur deri në vdekjen e radhës.

    Pata edhe një vdekje tjetër, edhe ajo në një ditë të ftohtë janari, Aida, e mira Aidë, më e mira mikeshë që kisha pasur të shpirtit, u shua në një spital të Brukselit në të 33-tat e saj, bash në moshën e Krishtit, duke ma lënë vdekjen e saj si një kryq të madh mbi shpinë, isha e gatshme ta bartja edhe këtë kryq, por pa e kuptuar pse jeta, Zoti e fati dinin të tregoheshin aq të padrejtë sa të këpusnin në mes jetë të pajetuara njerëzish të mbushur me aq shumë jetë. Vdiqa edhe unë atë ditë që mora lajmin, vdiqa sërish për të disatën herë, për ditë të tëra isha e vdekur dhe si e vdekur që isha vetëm sa e paramendoja dhembjen e prindërve të Aidës sime të mirë, të vëllait të saj dhe të gjithë miqve tanë, e vëzhgoja nga larg këtë dhembje pa marrë dot në pjesë në të,

    derisa një mëngjes u zgjova, jo më e vdekur, por me një pjesë të shpirtit më pak. Nuk isha më adoleshente e trazuar, vdekja kishte filluar të më cikte në të gjitha herët që vdisja, e ringjallja ishte çdo herë e më tepër e rëndë.

    Atë ditë që mjeku më kumtoi lajmin se një grumbull i çmendur qelizash kanceroze po luftonin të ma pushtonin krejt trupin, nuk vdiqa, thjesht kuptova se prej atij momenti vdekjen e kisha më afër se edhe lëkurën e trupit, e nëse, nëse, nëse… nuk do të luftoja, atëherë do vdisja me të vërtetë, do të vdisja, me apo pa ato tre ditë e në dhe, edhe, edhe, edhe… nuk do të zgjohesha më e ringjallur, kjo do të ishte vdekje përfundimtare.

    Edhe pse nuk doja të vdisja, e kuptova se të gjitha vdekjet e mëparshme më kishin përgatitur për këtë të fundit, përfundimtaren.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark