×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Albanologët Finger dhe Leka ligjëruan për hermenautikën e përkthimit

    Insajderi
    15 September 2023 - 16:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot, ora 10:00, në ambientet e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) në Tiranë, u diskutua në mënyrë akademike për çështjen e përkthimit letrar.

    Në Bibliotekën e Institutit të Arkeologjisë që gjendet në ASA u mbajtë një cikël ligjëratash me temën bosht: “Hermeneutika e përkthimit dhe rastet e përkthimtarisë së teksteve letrare në aspekt antropokulturor dhe epistemiologjik”.

    Ligjëruesit në këtë aktivitet akademik ishin shkrimtari dhe studiuesi shqiptar, Arian Leka, dhe albanologia dhe përkthyesja e mirënjohur gjermane, Zuzane Finger.

    Albanologia Finger u paraqit me temën “Roli i hermeneutikës në transformimin e përkthimit letrar”, ndërsa albanologu Leka me temën “Empatia hermeneutike në procesin e përkthimit.”

    Përmbledhja e shkurtër nga ligjërata e Zuzane Finger

    Jemi dëshmitarë të zhvillimit të përditshëm të inteligjencës artificiale. Si çdo përmbysje themelore ajo shoqërohet me entuziazëm, por edhe me shqetësime e frikë. Shtrohet pyetja: a e mbart inteligjenca artificiale edhe rrezikun e shembjes së njeriut, si qenie me dhunti të mendjes dhe të gjuhës, apo nëse teknologjia mund të shfrytëzohet si mjet pune për përparimin shkencor dhe artistik të njerëzimit?

    Edhe profesioni i përkthyesit letrar përballet me sfida të mëdha. Diskutime të holla zhvillohen sot rreth kufijve të përkthimit makinerik dhe rolit të përkthyesit human. Ndërkohë, inteligjenca artificiale përdor probabilitete dhe simulime, duke u përmirësuar gjithnjë më e shumë. Për ekonominë e tregut teknologjia është interesante për shkak të shpejtësisë së përpunimit. Madje disa botues tashmë kanë filluar të punësojnë përkthyes vetëm si postredaktorë. Në këtë mënyrë ata bëhen punëtorët ndihmës, si në kohën e revolucionit industrial, kur makinat pothuajse zëvendësuan punimet artizanale, duke theksuar se çdo aftësi që nuk përdoret rregullisht, atrofizohet, pra ekziston rreziku që përkthyesit të humbasin aftësinë krijuese të përkthimeve të teksteve artistike.

    Në komunikimin njerëzor ka një ndryshim midis asaj që thuhet dhe asaj që nënkuptohet ndaj dhe vendosur në sfondin e qasjes hermeneutike ndaj përkthimit, ligjërata “Roli i hermeneutikës në transformimin e përkthimit letrar“ reflekton mbi parimet e të kuptuarit, interpretimit, krijimtarisë, intuitës dhe subjektivitetit dhe mënyrën se si njerëzit sillen me gjuhën artistike të letërsisë, duke synuar njëkohësisht të nxisë shkëmbimin e përvojave dhe ideve për simulimin makinerik dhe frymën krijuese të autorit dhe të përkthyesit në komunikimin ndërkulturor. Veç qasjeve teorike, në qendër të kësaj ligjërate, është edhe çështja hermeneutike e të kuptuarit njerëzor të teksteve artistike, si dhe ndryshimi në përkthimin me makinë, duke përdorur për ilustrim shembuj praktikë.

    Përmbledhje e shkurtër nga ligjërata e albanologut Leka

    Pothuajse 80 vjet nga sot, revista „Fryma“ e vitit 1944, përmes një artikulli të Qemal Draçinit i përcjell kulturës shqiptare shqetësimin mbi standartet në çështje të përkthimit letrar. Mes të tjerash aty theksohet se „të përkethenjësh don të thotë të bëjshë punë ndofta më të vështirë se të komponosh vepra origjinale“. Thelbi është kuptuar: Përkthimi nuk duhet ushtruar si zeje e mekanizuar e konvertimit të thjeshtë nga gjuha burimore drejt gjuhës së synuar, siç kjo veprimtari është përfytyruar tradicionalisht, duke e paraqitur procesin si çështje të njohjes së gjuhëve, por si një transfuzion ku, falë përkthyesit, teksti i „dhuruar“ prej autorit transferohet në kulturën e Tjetrit, për t’i siguruar aty një jetë të dytë letrare.

    Duke i lënë jashtë këtij shqyrtimi çështjet mbi universalitetin dhe vetitë e përbashkëta mes gjuhëve, ligjërata “Empatia hermeneutike në procesin e përkthimit“ qëndron më pranë identifikimit të gjuhës si entitet i mirëpërcaktuar historikisht, që komunikon aq ngultazi me kulturën që e krijoi, sa përkthimi i një vepre letrare mbetet tundim dhe sfidë, siç ndodh dendur me përkthimin e poezisë apo të autorëve “të papërkthyeshëm.“

    Një veprimtari e tillë kërkon shkrirjen e horizonteve kulturore mes origjinalit dhe përkthimit, gjatë së cilës përkthyesi shfaqet si bashkautor i përgjegjshëm, por edhe përgjegjës në përcjelljen pa humbje të mesazhit dhe stilit autorial. Kur ky proces kryhet mirë, lexuesi, edhe pse e di se përkthimi nuk përfaqëson origjinalin, e përjeton atë si një version të rikrijuar të origjinalit. Ky proces i personalizuar empatie u jep zgjidhje edhe çështjeve të realitetit socio-hapësinor, duke sigurur një udhëtim përmes Kohës jo vetëm autorëve bashkëkohorë, por edhe teksteve të traditës letrare.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark