×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “Albas” boton romanin “Daullja prej llamarine” të nobelistit Gunter Grass

    Insajderi
    13 November 2023 - 22:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Albas” boton romanin “Daullja prej llamarine”, pjesa e parë e “Trilogjisë së Danzigut”, të Günter Grass-it, mjeshtrit gjerman të prozës, me përkthimin virtuoz të Ana Kove.

    “Daullja prej llamarine” solli reagime ekstreme të lexuesve dhe të kritikës. Nga njëra anë u quajt vepër blasfemuese dhe pornografike, aq sa u morën veprime ligjore kundër saj dhe Grass-it, si në Gjermani, ashtu edhe në mbarë botën. Nga ana tjetër mbeti kryevepra e tij, e cila bashkë me romanet “Macja dhe miu” dhe “Vitet e qenit” formon “Trilogjinë e Danzigut”, që e bëri fitues të shumë çmimeve, përfshirë dhe çmimin “Nobel në letërsi”.

    Oskar Macerati, zhvillimi mendor dhe shpirtëror i të cilit është i plotë që prej lindjes, në moshën trevjeçare vendos të mos rritet më, duke mbajtur fizikun e një fëmije. Ky personazh grotesk, në duart e të cilit gjendet gjithmonë një daulle llamarine, e sheh botën “nga poshtë” me një kritikë të pamëshirshme.

    Oskari është shumëçka: një xhuxh keqdashës, një qenie e pambrojtur, gjithmonë i dashuruar me ndonjë grua të cilën e idealizon, një burrë i talentuar që ia njeh fuqinë artit, i fiksuar pas rënies së daulles dhe pas seksit. Të gjitha këto e bëjnë Oskarin sa një monstër, aq edhe një hero tragjik, ndërsa veprën një farsë, të rrëfyer me sarkazëm të egër dhe me komizëm ekstravagant.

    Historinë e tij kaq të çuditshme, Oskari na e tregon gjatë kohës që shkruan kujtimet e tij dhe të familjes, – nga mosha 28 deri në 30 vjeç, – i mbyllur në një klinikë të shëndetit mendor, njëkohësisht nën hetim për një vrasje.

    Bashkë me historinë e familjes së tij, ai po na rrëfen dhe historinë e Gjermanisë para, gjatë dhe pas Luftës II Botërore, duke trajtuar kështu një temë të madhe: “fajin gjerman”.

    Fuqia e provokimit, e pornografisë apo e blasfemisë mund të jenë relative, por stili i shkëlqyer, kritika e kthjellët dhe mizore, si dhe imagjinata e pakontrollueshme e një gjeniu si Günter Grass-i mbeten të pakrahasueshme.

    Botimi i kësaj vepre është mbështetur nga rrjeti TRADUKI.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark