17:20 - 30 Janar 2023

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, sërish ka komentuar çështjen e Asociacionit.

Duke shpërndarë deklaratën e SHBA-së në Twitter, Rohde ka thënë se Kosova është zotuar që ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe qysh prej disa vitesh.

Ai ka përmendur datën kur Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për zbatimin Asociacionit, pra 27 qershorin e vitit 2013.

“Është e vonuar dhe do të çojë përpara bisedimet e normalizimit”, ka përfunduar Rohde.

Më herët, zyrtarët amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar kanë thënë se tani është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një shkrim autorial, ata kanë treguar se si do të duhej të ishte Asociacioni dhe se si nuk do të duhej të ishte.

Ata thonë se Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë serbe, i cili do të bashkërendiste çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban e rural si dhe zhvillimi ekonomik.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”.