×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Ambasadori rus në Beograd: S’ka hiç gjasa që Serbia të pranojë planin franko-gjerman, aty është njohja ndërkombëtare e Kosovës

    Insajderi
    09 February 2023 - 14:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kundër planit franko-gjerman është shprehur ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan Harçenko, i cili tha se ajo në thelb përfaqëson njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, shkruan Insajderi.

    Në një intervistë për agjension serb të lajmeve “Beta.rs”, Harçenko tha se ky plan “kërkon lëshime të njëanshme nga Beogradi”, në rend të parë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    “Plani franko-gjerman thelbësisht përfaqëson njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Perëndimi haptazi insiston që Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha ambasadori rus.

    Më tej, Harçenko tha se “vetëm disa pika” të këtij plani “janë të pranueshme për Presidentin e Serbisë” derisa vazhdoi të përsërisë se “për Perëndimin më të rëndësishme janë pikat që parashohin anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

    Madje, Harçenko thotë se “Vuçiq e ka kundërshtuar vendosmërisht dhe qartësisht planin franko-gjerman”.

    “Nuk e di pse mediat po e theksojnë se Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq mund të pranojë planin kur ai ka thënë që është i papranueshëm për Beogradin. Nuk mendoj se ekzistojnë as gjasat më të vogla që Serbia të pranojë planin franko-gjerman”.

    Pyetur se a ka shanse që Rusia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Harçenko tha se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    “Është e pamundur t’u përgjigjem në pyetjen tuaj, sepse asnjëri prej nesh nuk e di se si do të zgjidhet çështja e Kosovës përfundimisht. Çështja e Kosovës do të zgjidhet në kushte të tjera gjeopolitike që do të ngritën pas konfliktit të Perëndimit me Rusisnë”, tha ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark