×
  • Lajme
  • Insajderi

    Analiza “biznesore” e Kurtit – Goditi vëllezërit e Thaçit, lavdëroi vëllain e Rexhep Selimit

    Insajderi
    26 October 2022 - 11:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deklarimet e djeshme të Kurtit përfshijnë dy politikanët që gjenden në Hagë: Hashim Thaçin e Rexhep Selimin. Ai vendosi të merrej me familjarët e të dyve. Me anën biznesore të vëllezërve të tyre.

    Një goditje e fuqishme dhe një lavd i pazakonshëm ishin gjatë ditës së djeshme pjesë e aktivitet politik të kryeministrit Kurti. Ishte në fakt analiza e tij për bizneset e familjarëve të dy ish-komandantëve të UÇK-së. Hashim Thaçit e Rexhep Selimit. Brenda një dite Kurti tregoi se cili prej tyre i ka vëllezërit biznesmenë të hajrit. Dhe, po ashtu, cili prej tyre i ka vëllezërit të përfshirë në aktivitete korruptive.

    Kurti dje e nisi ditën me pjesëmarrjën në samitin “Ndërtimi i urave për paqe, prosperitet dhe solidaritet”, të organizuar nga “The Economist” dhe Zyra e Kryeministrit.

    Deklarata të forta kundër krimit e korrupsionit bëri nga ky samit, i cili po mbahet ne hotel “Emerald”, në pronësi të biznesmenëve Ibrahim e Kujtim Bucaliu që u dënuan me mbi 1 milion euro gjobë për shmangie tatimore.

    Goditja e Kurtit përfshiu edhe vëllëzërit e ish-rivalit të tij politik, Hashim Thaçit. Pasi foli për shkatërrim bandash kriminale e konfiskim të drogës, Kurti ia dha një rend edhe aksionit të famshëm “Brezovica”. Kreditet e këtij aksioni ia faturoi qeverisë së tij, ndonëse ende ankohen publikisht se nuk kanë marrë ende nën kontroll Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    “Dhe vetëm javën e kaluar, prokurorët sekuestruan 75 vila që ishin ndërtuar ilegalisht në një park kombëtar. Lista e pronarëve ishte tronditëse, por jo befasuese”, pohoi Kurti.

    Më tutje ai tregoi se arsyen se pse elita e pronarëve të villa ishte tronditëse e jo befasuese për të.

    Ajo, sipas tij, përfshinte gjyqtarë të rangut të lartë, biznesmenë të pasur, politikanë dhe të afërm të tyre.

    “Epokës së korrupsionit zyrtar dhe mosndëshkimit të nivelit të lartë po i vjen fundi me shpejtësi”, deklaroi Kurti.

    Ai nuk ia përmendi emrat “të afërmve të politikanëve”, por faktet tregojnë qartë se për kënd aludonte.

    Në listën e pronarëve të villave të sekuestruara janë vetëm dy të afërm të politikanëve. Nazmi dhe Blerim Thaçi. Vëllëzërit e ish-kryeministrit e ish-presidentit Hashim Thaçi. Gazeta Insajderi raportoi javën e kaluar për sekuestrimin e villave të tyre nga prokurori Rasim Maloku.

    Disa orë pasi Kurti bëri këtë goditje ndaj vëllëzërve të Thaçit që gjendet në Hagë, ai u nis drejt Klinës. Aty u takua me vëllain e një ish-politikani të fuqishëm që gjendet në Hagë. Me Ilaz Selimin, vëllaun e Rexhep Selimit.

    Nuk pati kritika për të. Pati lavde të mëdha për kompaninë e Ilazit. Publikoi edhe fotografinë e takimit me të.

    “Agro Elita na sjell farë vendore për grurin tonë”, shkroi Kurti në Facebook, një fjali që më shumë përdoret nëpër videospote reklamuese se sa që gjendet në fjalorin e kryeministrave të shtetit.

    Ai vazhdoi tutje duke dhënë sqarime për kapacitetin e kësaj kompanie.

    “4 hektarë te fabrika, me 30 hektarë tokë pune, rreth 100 të tjera kontraktuar me fermerët dhe hambarë për 14.500 tonë. Prodhimi e shumëzimi, përpunimi e paketimi i farave bëhen me teknologjinë më të re digjitale, me ç’rast një linjë prodhimi për farat e grurit, elbit e tërshërës i nxjerrë deri në 10 tonë për orë”, sqaroi Kurti në postimin promovues për kompaninë “Agro Elita”.

    Por, ai nuk e tha asnjë fjalë për formën se si Ilazi privatizoi këtë fabrikë dhe tokën bujqësore që shfrytëzohet nga kjo “Agro Elita”.

    Biznesmeni Ilaz Selimi në vitin 2006 bleu fabrikën nëpërmjet procesit të privatizimit. Mbi 6 mijë metra katrorë i bleu për vetëm 201 mijë euro. Ndërsa tri vite më pas, më 2009, bleu tokën prej 34 mijë metrash katrorë. Pagoi vetëm 100 mijë euro. Emri i biznesmenit Ilaz Selimit është përmendur që gati një dekadë si një prej njerëzve që privatizoi tokë nga shteti me vetëm 5 euro 26 centë.

    Privatizimi i aseteve shoqërore me çmime të lira është një prej temave që i pëlqen më së shumti kryeministrit Kurti. Mbi dhjetë herë ia ka përmendur këtë Ramush Haradinaj, kryetarit të AAK-së.

    Akuzat e Kurti për tokën e blerë nga Haradinaj me çmimin prej 3 euro e 52 cent janë prej më të famshmëve në Kosovë.  Por, Kurtit duket se nuk i pëngon blerja me çmim të lirë nga vëllai i Rexhep Selimit. Madje nuk heziton që edhe ta lavdëroj publikisht biznesin e tij. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark