×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Aneksi i Zbatimit është juridikisht i detyrueshëm për palët, thotë Ilir Deda

    Insajderi
    19 March 2023 - 14:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me t’u publikuar teksti i Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ish-deputeti Ilir Deda e kishte përshëndetur atë. Pas pajtimit edhe rreth Aneksit të Zbatimit, ai më tej vlerëson se si i tillë ajo është “juridiksht e detyrueshme për palët (sipas Konventës së Vjenës)”, shkruan Insajderi.

    Madje, Deda thotë se vetë inkuadrimi i Plan-Propozimit të BE’së si dhe Aneksit të Zbatimit në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësimin në Bahskimit Evropian si dhe Në Agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim e “përforcon ligjshmërinë dhe obligimin për zbatim”.

    Reagimi i Ilir Dedës:

    Marrëveshja për Aneksin Zbatues të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është juridiksht e detyrueshme për palët (sipas Konventës së Vjenës). Gjithashtu, inkuadrimi i Marrëveshjes dhe Aneksit Zbatues në kapitullin 35 për Serbinë dhe  

    Në Agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim e përforcon ligjshmërinë dhe obligimin për zbatim.

    Për më tepër, janë edhe sanksionet ndaj palës që nuk i respekton detyrimet e saj, ndërsa palët do të vlerësohen individualisht në përmbushje të obligimeve, që është hap pozitiv.

    Por, për çka tjetër u pajtuan dje Kosova, Serbia dhe BE-ja?

    Aneksi Zbatues le shumë për të dëshiruar, pasi që është shumë i përgjithësuar dhe  – përpos dy pikave – nuk shihen obligimet konkrete për zbatim që duhen ndermarrë nga ana e Kosovës dhe  e Serbisë.

    Tash te obligimet e menjëhershme.

    Nën një: Pika 7 e Marrëveshjes (“vetëmenaxhimi i përshtatshëm”) do të përmbushet në bazë të Marrëveshjes së Parë të vitit 2013 të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe të 15 modeleve të prezantuara nga BE. Theksi duket se do të jetë te interpretimi i asaj se çka do të thotë “i përshtatshëm”.  Ndërsa, kjo punë duhet të merr kornizë shpejtë duke e marr parasysh ndërlidhjen me mbajtjen e zgjedhjeve komunale në katër komunat veriore të Kosovës.

    Nën dy: Deklarata për Personat e Zhdukur do të duhej të prodhonte detyrime si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Sipas Aneksit të Zbatimit, duket se ka dakordim për këtë Deklaratë dhe ajo duhet të miratohet.

    Pikat e tjera duket se ose do të definohen në dialog gjatë javëve të ardhshme,  ose do t’i definojë vet BE-ja për Kosovën dhe Serbinë.

    Normalizimi i marrëdhënieve nuk është një akt, por proces shumë i vështirë dhe i tej domosdoshëm.

    Gjatë rrugëtimit për kapërcim nga gjendja e konfliktit të papërfunduar tek gjendja e marrëdhënieve në paqe, detyrimisht që do të ketë tensione dhe mosmarrëveshje, sidomos pasi që është hera e parë në histori që do të ketë ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, ky rrugëtim dhe kapërcim duhet të bëhet dhe të realizohet.

    Loja me semantikë është absolutisht e padobishme. Përqendrimi duhet të jetë te substanca dhe kualiteti i obligimeve që dalin nga zbatimi i  Marrëveshjes.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark