×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Anulohet gjykimi ndaj Glauk Konjufcës

    Insajderi
    30 November 2022 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mesin e seancave që janë anuluar sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës është edhe shqyrtimi gjyqësor në rastin ku kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar më 2016 në Kuvend.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, për sot ishte e paraparë të vazhdohej shqyrtimi gjyqësor në rastin ku ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini. po akuzohen për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.

    Por, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhe të mërkurën po vazhdon respektimi i vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që puna e gjykatës të bëhet vetëm me shërbime esenciale, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    Ndryshe, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në një konferencë për medie më 23 nëntor, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    Zogaj tha se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

    Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), mori vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

    Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

    Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark