×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Arsimimi është e drejtë elementare, ashtu si e drejta për jetë” – Ramadani bën thirrje të shmanget diskriminimi ndaj grave me shami

    Insajderi
    21 August 2022 - 11:33

    Teksa përmendi karakterin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoi se nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për lejimin ose jo të shamisë në shkollë. Derisa shtoi se fushata që shihet kohën e fundit, nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme.

    Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 8 të saj, e përcakton vendin tonë si shtet laik dhe të ndarë nga feja.

    Por, si është të jetosh në një shtet laik për një grua me shami? Këtë për Gazetën Insajderi e ka rrëfyer Kosovare Ramadani Mehmeti.

    Nga pamundësia qe ta ushtrojë detyrën që e ëndërroi gjithmonë, Ramadani – Mehmeti edhe sot shprehet kundër çdo diskriminimi ndaj grave me shami.

    Ajo nuk u lejua t’i shërbejë Kosovës si pjesëtare e Forcave të Armatosura të Kosovës.

    Kosovare Ramadani – Mehmeti/ Fotografia marrë nga Facebook.

    “Nisur nga fakti që unë e dua vendin tim dhe për të jam gati të jap dhe jetën, dëshira ime ka qenë që t’i shërbej vendit tim si pjesëtare e Ushtrisë së Kosovës. Kjo ëndërr e imja nuk u bë realitet edhe pse kam kaluar pothuajse të gjitha testimet. Ky diskriminim më është bërë për shkakun që unë mbaj shaminë dhe nuk kam pranuar ta heq, përkundër pranimit të të gjitha kushteve tjera” – tha ajo.

    E njëjta iu bën thirrje institucioneve për të shmangur diskriminimin, duke e ditur se edhe punësimi në Kosovë nuk është në shkallën më të kënaqshme.

    “Udhëzimi administrativ për shaminë duhet të ndryshohet. Arsimimi është e drejtë elementare, ashtu si e drejta për jetë, dhe për këtë shkak, në rrugën e dijes nuk duhet të ketë pengesa. Po ashtu edhe punësimi nuk duhet të ketë pengesa. Prandaj, të gjitha institucionet duhet mos të bëjnë diskriminime. Punësimi është sfidë në vete në vendin tonë, po t’i shtojmë edhe këto pengesa, atëherë çfarë po mbetet këtu”- tha ajo.

    Kosovare Ramadani – Mehmeti/ Fotografia marrë nga Facebook.
    Kosovare Ramadani – Mehmeti/ Fotografia marrë nga Facebook.

    Ndërkaq, ajo ka theksuar se veshja duhet të jetë zgjedhje e lirë e secilit individ, duke bërë thirrje që të shohin atë që kanë brenda kokës dhe jo atë çka mbajnë jashtë.

    “Veshja duhet të jetë zgjedhje e lirë e secilit individ. Asnjë individ nuk ka të drejtë të të gjykojë, por nëse e bën këtë, kisha bërë lutje që të gjykojë për atë çka kam brenda kokës dhe jo për atë çka mbaj jashtë saj”

    Ramadani – Mehmeti tutje ka treguar se kur ka vendosur ta mbajë shaminë dhe për vështirësitë që ka hasur.

    “Unë jam mbuluar pasi kam përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, domethënë deri këtu nuk kam pasur ndonjë sfidë për shkak të mbulesës, po ashtu nuk kam pasur pengesë për t’u pranuar në Universitetin e Prishtinës. Mbulesa ime nuk ka qenë dhe nuk është pengesë asnjëherë për shkollim, është mosnjohuria, mosinformimi apo edhe mentaliteti i të tjerëve që është bërë pengesë, e që kjo mendësi ka mundur të krijojë debat në disa raste, por assesi nuk na ka ndaluar për të vazhduar rrugën e dijes”.

    Ndërsa, Kosovarja dha edhe një mesazh për vajzat që bartin shaminë dhe po përballen me diskriminime të tillë.

     “Pavarësisht të gjitha sfidave, dëshpërimeve, lodhjes, hidhërimit, u mundova që të mos dorëzohem dhe të vazhdoj jetën me përpjekje edhe më të mëdha, vazhdova të ëndërroj përsëri, të mundohem përsëri ta realizoj ëndrrën time në një mënyrë ose tjetër. Prandaj, mesazhi im për vajzat të cilat kanë sfida të ndryshme, ju them, që të vazhdojnë të duan atë që e ëndërrojnë deri në realizimin e saj. Edhe nëse nuk vlerësohemi tani, do të vijë koha e shpërblimit. Bëjeni këtë për një të ardhme më të mirë në vendin tonë. Ta bëjmë këtë vend të banueshëm”.

    Ndryshe, kërkesë për ndryshim të Udhëzimit Administrativ, në mënyrë që vajzave t’u lejohet mbajtja e shamisë në shkolla, bëri edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

    /Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark