×
  • Lajme
  • Lajme

    Auditori: Ndërpritni pagesat e profesorëve për provime, po dëmtohet buxheti i UP-së

    Insajderi
    20 June 2017 - 12:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se profesorët e Universitetit të Prishtinës paguhet pa nevojë për paraqitjen e provimeve për kokë studenti, qoftë në baçelor apo master.

    Në bazë të Rregullores për të ardhurat personale në UP, e nxjerrë prill të vitit 2012, parasheh kompensimet e profesorëve për çdo student të nivelit baçelor që paraqitet në provim, në lartësinë prej 0.60€ dhe për çdo student të nivelit master që paraqitet në provim, në lartësinë 3€.

    Por sipas udhëzimeve aktuale në fuqi, studentët e nivelit baçelor nuk paguajnë fare për paraqitje të provimit, dhe studentët në nivelin master për çdo provim të paraqitur paguajnë nga 2.5€.

    Sipas Auditorit, kjo do të thotë se të hyrat e siguruara nga paraqitja e provimeve nuk i mbulojnë shpenzimet për kompensimin e profesorëve.

    Përveç kësaj, thotë Auditori, mbajtja e provimeve do të duhej të jetë pjesë e pandashme e detyrave të punës për të cilën profesorët e marrin pagën bazë dhe eventualisht honorarët.

    Marrë parasysh këtë gjendje, Auditori thotë se rreziku qëndron në atë se “Kompensimi i profesorëve për provime shkakton kosto të panevojshme për UP-në dhe mund të sjellë vështirësi financiare”.

    “Kjo mund të dëshmohet edhe me gjendjen e vazhdueshme të obligimeve të papaguara dhe detyrimeve kontingjente”, thuhet në raportin e Auditimit.

    Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon rektorit të UP-së dhe Këshillit Drejtues që të shikojnë mundësitë rreth rishikimit të rregullores së lartcekur, në mënyrë që ajo të përshtatet me rrethanat aktuale dhe me mundësitë buxhetore./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark