×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i “Currit” thotë se rasti është parashkruar

    Insajderi
    30 October 2023 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca ndaj Ismet Osmanit “Currit” dhe të tjerëve, shkruan Insajderi.

    Aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021.

    Osmani, Nika, Bojku dhe Maqani akuzohen se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Osmani, avokati Besnik Berisha, tha se vetë i dëmtuari Dalladaku kishte vepruar me këshillat e Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit.

    Berisha tha se vlerat e tokave janë “të fryra” nga ana e Prokurorisë, pasi që sipas tij çmimi i tyre real nuk qëndron ashtu siç pretendohet edhe në aktakuzë.

    Sipas tij, e tërë çështja penale ka arritur qoftë parashkrimin relativ ose edhe atë absolut, krejt kjo duke llogaritur periudhën e ndërmarrjes së veprimeve që pretendohet se të akuzuarit i kanë ndërmarrë.

    Berisha tha se i dëmtuari Dalladaku ishte gëzuar fillimisht për faktin se po bisedonte në telefon dhe shkëmbente mesazhe me Kadri Veseli, e në fund e kishte kuptuar se nuk ishte vetë personalisht Veseli që kishte folur në telefon dhe që kishin shkëmbyer mesazhe.

    Ai tha se i dëmtuari i kishte ikur përgjigjeve në Prokurori, me pretendimin se është i dëmtuar, por sipas tij Dalladaku është viktimë e vetvetes, e apetiteve dhe mega-planeve, të cilat i kanë dështuar.

    Ndërkohë, mbrojtësja e të akuzuarit Sami Nika, avokatja Kosovare Kelmendi u shpreh se nuk mund të pretendohet se i dëmtuari Faton Dalladaku ka gjendje të rëndë financiare, pasi sipas saj ai pretendon të blejë spital gjigant dhe se mbledh para për të korruptuar njerëz të politikës.

    Gjendje e rëndë financiare nuk i atribuohet një personi i cili pretendon të blejë një spital gjigant, nuk është i gjendjes së rëndë financiare personi i cili mbledh para për të korruptuar njerëz të politikës”, tha avokatja

    Kelmendi deklaroi se hetimi në këtë rast ka nisur mbrapsht dhe se për shkak se rasti u bë tejet medial, në fund Prokuroria e akuzoi edhe klientin e saj, të akuzuarin Nika.

    Paraprakisht, prokurori Armend Hamiti, tha se aktakuza është mirë e argumentuar me prova të siguruara gjatë fazës së hetimeve dhe se në veprimet e të akuzuarve manifestohen veprat penale me të cilat ngarkohen.

    Prokurori tha se në fund të shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të të gjitha provave, pa kurrfarë mëdyshje do të vërtetohet se të akuzuarit janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale siç përshkruhen edhe në aktakuzë.

    Kurse, përfaqësuesja e të dëmtuarit Dalladaku, avokatja Teutë Xhema, tha se i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe se paraqesin kërkesë për kompensim të dëmit.

    Derisa Xhema po jepte fjalën hyrëse, kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi ia tërhoqi vërejtjen që të mos flasë lidhur me historitë e të dëmtuarit Dalladaku, por të fokusohet në atë se për çfarë po zhvillohet procesi gjyqësor.

    Seanca e radhës u caktua më 6 dhjetor 2023, në të cilën do ta japin fjalën hyrëse edhe mbrojtësi i të akuzuarve Mentor Maqani, avokati Naim Rudari si dhe mbrojtësi i Adil Thaqit, avokati Artan Qerkini.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark