×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “BE që 15 vjet është treguar e njëanshme, duhet të marrë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë”

    Insajderi
    04 July 2023 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me 28 qershor edhe zyrtarisht, Bashkimi Evropian ka njoftuar për masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Por të njëjta masa deri tani nuk janë marrë ndaj Serbisë. Ky veprimi i BE-së, po cilësohet i njëanshëm.

    Nga BE, ditë më parë deklaruan se janë duke e monitoruar nga afër edhe përmbushjen e kërkesave të Brukselit zyrtar nga Serbia, dhe se janë të gatshëm që të marrin masa nëse s’do të ndodh një gjë e tillë.

    Por deri sot nuk ka ndonjë masa ndaj Serbisë.

    Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për të kuptuar më shumë rreth qasjes së tyre ndaj Serbisë, përkatësisht se a do merret ndonjë masë ndëshkuese, por i njëjtit deri tani nuk ka kthyer përgjigje.

    Në anën tjetër, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi i tha Insajderit, se këtë qasje Bashkimi Evropian e ka qysh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

     “Qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk është që prej tash është selektive apo e njëanshme, ajo është që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, si organizatë ka qenë e një anshme sepse është netural ndaj statutit të Republikës së Kosovës. Këtë e kanë ditur të gjitha qeveritë, por besoj që është Qeveria Kurti këtë çështje e dinë, sepse nuk janë aq naiv”, tha Arifi.

    Arifi ka theksuar se është Serbia ajo e cila e para nuk ka dashur ta respektojë marrëveshjen mes palëve. Masat sipas tij do të duhej të merreshin ndaj të dyja palëve.

    “Tash normalisht që qasja e BE është e njëanshme, sepse nëse do të duhej të kishte masa do të duhej të kishte edhe për palën serbe sepse pala serbe është e para realisht që nuk ka dashur ta respektojë marrëveshjen e Brukselit respektivisht aneksin e Ohrit, në këtë rast duhet të ketë masa ndëshkuese për të dyja vendet që nuk po janë të gatshme që ta krijojnë, ta bëjnë atë paqen e qëndrueshme”, u shpreh ai.

    Sipas tij, Qeveria e ka për dëtyrë të gjejë zgjidhje, sepse këto masa nuk po e dëmtojnë as Serbinë e as BE-në, por Kosovën.

    “E tash nëse e shikojmë nga këndvështrimi i shtetit të Kosovës duhet pa se ku qëndron problemi dhe kush pëson nga këto masa, pra nuk pëson Bashkimi Evropian, as Serbia por pëson Kosova, pra, pala kosovare në këtë rast është e destinuar me dështu pavarësisht justifikimit që e jep në publik Qeveria e Kosovës. Ajo për qytetarin është e pa rëndësishme, a janë të drejta apo jo, por ndëshkimin e pëson pala kosovare dhe dëmtohet edhe procesi integrues, edhe qytetari i Republikës së Kosovës. Andaj, qeveria e ka obligative me gjetë zgjidhje sa më shpejt që mos me marrë masa ndëshkuese, kur merr masa ndëshkuese i bie që ka dështu Qeveria e Kosovës në sytë e qytetarit, pavarësisht të njëanshmërisë të BE-së”, deklaroi Arifi.

    Ditë më parë, Qeveria Kurti mori vendim që t’i shpallë terroriste dy organizatat “Brigada e Veriut” e “Mbrojtja Civile”, deklaruan se vendimi u mor në koordinim me ndërkombëtarët, por vetëm pastaj u demantuan.

    E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtar tha se qeveria gënjeu kur dha një deklartë të tillë.

    “Kjo po tregon që kanë gënjy, po e themi kështu shkurt dhe shqip, e kanë mashtru opinionin publik sepse po të kishte pasur koordinim nuk besoj që 5 vendet e QUNI-it do të kishin dalur secila me deklaratë publike që nuk ka pasur koordinim, sepse kjo në njëfarë mënyrë e kurthon edhe vet z.Kurti”, u shpreh ai për Insajderin.

    Ai tutje u shpreh se Kurti duhet të jap përgjigje se si mund të takohet me Vuçiqin kur i shpalli terroriste dy organizatat qe financohen nga ai.

    “z.Kurti sot nuk mund të takohet me z.Vuçiq sepse Serbia është financuesja e atyre dy organizatave terroriste, veprimi është me no sens logjik sepse nuk mundesh me u taku më me Vuçiqin sepse Serbia e suporton logjistikën e këtyre dy organizatave terrorsite, atëherë cili është sensi me taku suportuesin e organizatave terroriste, është një situatë e palakmueshme për kryeministrin Kurti dhe vet Qeverinë e Kosovës, pavarësisht se si do të rrjedhin gjërat. Tash duhet të qartësohet se si dhe kush po i financon ato organizata, dhe të gjithë e dinë që vetëm Serbia i financon, dhe tash se si do të jetë përgjigja e Kosovës ndaj Serbisë, kjo është një pikëpyetje që këta duhet me i dhënë përgjigje”, deklaroi ai.

    Masat e BE-së ndaj Kosovës

    Bashkimi Evropian ka aplikuar masa e para ndëshkimore për Kosovën. E gjitha kjo si rrjedhojë e mos marrjes së veprime për de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës nga ana e qeverisë.

    Këto masa janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe pritet të ketë pezullim të fondeve të Bashkimit Evropian.

    Është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

    Programi i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 është suspenduar gjithashtu. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor s’janë dorëzuar fare për shqyrtim.

    Do të thotë se Kosova s’është përfshirë në ndarjen e një fondi 2.1 miliardë euro që është mirtaur nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

    Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në uljen e tensioneve, mes Kosovës e Serbisë, përkatësisht rikthimit në dialog.

    Kujtojmë se ka qenë SHBA e para që ka shqiptuar masë ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Më 30 maj, SHBA konfirmoi se ka vendosur ta largoje Kosovën nga stërvitja me e madhe e aleatëve të NATO-s ne Ballkan e njohur si “Defender Europe 23”.

    Për të sh’tensionuar situatën, sot në Prishtinë ka arritur ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçak, i cili pas Prishtinës pritet të niset edhe në Beograd.

    /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark