Klubi i futbollit Besa nga Peja është drejt shuarjes. Një prej personave të paktë që është angazhuar në riorganizimin e klubit, Adis Salihi, ka thënë se nuk do të paraqiten me lojtarë të rinj as në ndeshjen kundër Shkëndijes. Besa pritet ta humbë me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen kundër KEK-ut. Besa nuk udhëtoi për ta luajtur të enjten ndeshjen e mbetur të xhiros së parë të Ligës së Dytë, që i bie kategoria e tretë e futbollit të Kosovës.
Salihi që mban postin e drejtorit sportiv ka thënë të enjten për KOHËN se nuk kanë udhëtuar drejt Obiliqit për shkak se nuk kanë mundur t’i aktivizojnë lojtarët e transferuar. Ai ka treguar se e kanë të bllokuar regjistrimin e lojtarëve nga FIFA për shkak të një rasti të humbur. Bëhet fjalë për rastin që kanë humbur në FIFA ndaj ish-trajnerit nga Franca, Jerome Klein. Për t’i regjistruar lojtarët e rinj, Besës i duhet të shlyejë borxhin prej 200 mijë eurosh ndaj trajnerit francez, i cili ka fituar punë si skaut nga Manchester Unitedi. Avokati i trajnerit francez, Lorin Burba, ka konfirmuar për KOHËN se vendimi është i plotfuqishëm nga FIFA dhe se Besa nuk ka bërë ankesë. Sipas tij, Besa ka për obligim t’ia paguajë klientit të tij rreth 200 mijë euro. Ai nuk ka dashur të japë më shumë detaje, por pret që Besa t’ia shlyejë borxhin që ka ndaj trajnerit francez.
“Lojën e mbetur ndaj KEK-ut nuk mundëm ta zhvillojmë. Janë 13 apo 14 lojtarë të ekipit U19 dhe nuk e shohim të udhës të vazhdojmë kështu, pasi janë të rinj dhe kemi frikë. Ndodh ndonjë lëndim që ndoshta është më i vlefshëm se Besa. Nëse në fund të javës nuk dalim në ndeshjen brenda që e kemi, klubi 98 për qind do të jetë i shuar. Kjo vetëm nëse nuk dalim të luajmë në fundjavë, klubi shkon drejt shuarjes”, ka thënë Salihi.
Ai insiston se Ylli Kullashi nuk po i qëndron prapa klubit të tij. Kullashi është pronar i klubit që ka statusin e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuara (SHPK).
“Rasti ka të bëjë me çështjen e trajnerit francez në kohën e pronarit Ylli Kullashi. Ai ka pasur kontratë profesionale dhe ka fituar rastin në FIFA dhe Besa i ka borxh 170 mijë euro. Por, ne nuk e kemi pasur të qartë pengesën e tij. Nuk e kemi ditur se rasti tij është i lidhur me afatin kalimtar. Ka një muaj që kemi bisedime me avokatin e tij që të mos na pengojë në këto tre muaj. Por, pritëm nga Federata që të kemi të drejtën e regjistrimit të lojtarëve të transferuar”, ka theksuar Salihi.
Besa së fundmi dha shenja të organizimit dhe filloi me kohë fazën përgatitore për stinorin pranveror. Në krye të shtabit teknik emëroi ikonën e futbollit pejan, Haxhi Zekën. Klubi afroi edhe disa lojtarë, por të cilët më pas nuk arriti t’i regjistrojë.
Para se të nisin hapat e parë të organizimit, diskutohej shuarja. Por, tashmë kriza në klubin pejan është thelluar edhe më shumë.
“Qytetit të Pejës i mbetet të mendojë për një klub tjetër. Diskutimi i shuarjes ka qenë edhe më herët, por ne menduam të organizohemi për vitin tjetër dhe ndoshta të paguajmë të gjithë borxhin. Nuk është përgjigjur pronari ndaj asnjë problemi. Ne nuk mund të marrim përgjegjësi të luajmë me ekipin U19 apo edhe më të rinj”, është shprehur Salihi.
Për situatën në të cilën ndodhet Besa, KOHA ka marrë edhe një opinion të pronarit, Ylli Kullashi. Kullashi ka qenë i paqartë në përgjigje.
“Ka një kohë të gjatë që nuk po merrem me Besën. E kam financuar dhe ua kam lënë atyre të cilët kanë dashur ta vazhdojnë pa pengesë. Nuk kam ide se çka ka ndodhur dhe çka është duke ndodhur. Klubi është privat, por nuk e kam idenë se çka është duke ndodhur aty. E kam financuar për dy vjet nga financat e mia. Por, më pas nuk e kam vazhduar. Do t’i kontaktoj dhe do të flas me ata që janë në rrjedha se me të vërtetë nuk e di se çfarë po ndodh. Ju po më jepni informata. Askush nuk më ka thënë se si ta vendosim në letër. Unë nuk krijoj asnjë pengesë që klubi të funksionojë. Por, duhet të gjinden njerëzit që drejtojnë klubin. Për të gjetur njerëzit, duhet para. Ka arritur në këtë gjendje për shkak të mungesës së përkrahjes. Unë jam përgjegjës për kohën që kam pasur në dorë klubin, por tash se çfarë po ndodh, nuk e marr përgjegjësi. Ka një vit e gjysmë që nuk më kanë parë. Nuk po i kërkoj askujt pare për të hapur rrugë”, ka thënë Kullashi.
Besa është një prej klubeve më të trofeshme në vend. Ka fituar titullin e kampionit në vitet 2005, 2006 e 2007. Kupën e Kosovës e ka fituar në vitet 2006, 2011 dhe 2017. Besa nuk është klubi vetëm me nam që përballet me vështirësi financiare dhe organizative. Por asnjë nuk ka rënë më poshtë se ai. /KOHA/