×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Insajderi
    13 April 2023 - 20:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk nënkupton Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

    Këto komente, Bislimi i bëri në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke iu referuar tekstit të marrëveshjes së Ohrit që flet për krijimin e një strukture vetmenaxhuese të komunitetit serb në Kosovë.

    “Kjo nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues, nuk zbatojmë qëndrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë jashtë Kosovës dhe marrëveshja bazike, si dhe aneksi implementues, kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimit të ndjekë një sekuencim që nënkupton se nuk mundet njëra palë të marrë benefitet e marrëveshjes dhe pastaj të vendoset se në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve. Kjo nënkupton që edhe nëse fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese, apo të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë suksesshëm sepse do të jetë e pamundur që pala kosovare të kryejë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zotëri Vuçiqi publikisht deklaron se nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si obligative por si një lloj menyje ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron t’i zbatojë e cilat jo”, u shpreh ai.

    Bislimi tha se grupi menaxhues për hartimin e statutit të asaj që njihet në opinionin si “Asociacion…” ekziston që nga 2013-ta.

    Ai shtoi se deri më tani ka pasur dy herë ndryshime në përbërjen e grupit menaxhues, teksa theksoi se i njëjti është dashur që të raportojë në baza të rregullta te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por shton se raportet e fundit janë dërguar në fund të vitit 2018.

    Në bazë të kësaj, zëvendësi i kryeministrit Kurti tha se “rrjedhimisht ne nuk mund ta dimë se në ç’stad ndodhet puna e grupit menaxhues, por ata do të ftohen pas takimit të radhës në Bruksel për të prezantuar punën e tyre dhe në momentin e prezantimit pushon veprimtaria e tyre, pra nuk ekziston më grup menaxhimit, apo grup menaxhues, pas prezantimit të draftit, dhe pastaj gjithçka kalon në rrafshin politik”.

    Besnik Bislimi tha se drafti që ai grup do ta prezantojë, duhet t’i përmbushë pesë kritere.

    “Është shumë me rëndësi që drafti që ai grup prezanton do të vlerësohet në bazë të disa kritereve që sigurojnë që, për shembull, drafti i propozuar nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; nuk bie në kundërshtim me marrëveshjen e 2013 dhe 2015; nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re të qeverisjes në Kosovë; nuk nënkupton të drejta kolektive për komunitetin serb; është në harmoni me letrën e zonja Mogherinit ia ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015 ku i shpreh qartazi se edhe për BE-në, ky lloj trupi i vetëmenaxhimit nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Për aq kohë sa drafti i prezantuar bie në kundërshtim me këto 5 kritere, me shumë gjasë ai duhet të shpallet si i papranueshëm dhe pastaj duhet të shikojmë për alternativat që mund të prezantohet, qoftë nga pala kosovare qoftë nga dikush tjetër. Kjo do të mbetet për t’u parë në takimin e radhës” në Bruksel, tha Bislimi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark