×
  • Lajme
  • Aktuale

    Pronari i tokës në gjyq kundër Pozhegu Brothers – Të pajetueshme banesat e blera, qahen muret

    Insajderi
    09 March 2022 - 14:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rrahim Kongjeli, ka quar në gjykatë një rast me kompaninë Pozhegu Brothers me pretendimin se dy banesave që i ka marrë nga kjo kompani u janë qarë muret. Kompania sipas dokumenteve të gjykatës ua kishte dhënë qelësat klientëve pa u bërë pranimi teknik me qëllim që të mos ua paguante qiratë. Kongjeli ka kërkuar verifikimin e banesave nga eksperti gjyqësor. Lidhur me këtë rast Gjykata Themelore e Prishtinës, të hënën ka aprovuar kërkesën e Kongjeli, për sigurimin e provës nga ekspertiza e ndërtimtarisë, që të vërtetohet gjendja e stabilitetit të dy banesave.

    Në vitin 2012, Rrahim Kongjeli kishte nënshkruar një kontratë për ndërtim të përbashkët me “Pozhegu Brothers”, në cilësinë e bashkëpunëtorit të ½ e tokës urbane. Marrëveshja mes tyre ishte vërtetuar nga Gjykata komunale në Prishtinë.

    Meqë dy prej banesave të cilat i kishte marrë Kongjeli nga kompania “Pozhegu Brothers”, u ishin dëmtuar muret e kompania nuk i kishte renovuar siç kishte kërkuar ai, rasti shkoi në gjykatë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas padisë “Pozhegu Brother”, për t’i ikur qirasë në shumën prej 250 euro për muaj, sipas nenit 1.1 të aneksit të parë të kontratës, i njëjti ka dorëzuar çelësat për shfrytëzim pa u dhënë leja, nga shërbimi përkatës i Komunës së Prishtinës dhe pa u bërë pranimi teknik.

    Sipas padisë, Kongjeli ka thënë se asnjëherë nuk është bërë pranimi teknik dhe nuk është dhënë leja për shfrytëzim.

    Andaj, si kontraktues i dytë, bazuar në kontratën për ndërtim të përbashkët sa i përket afatit të garancionit dhe përgjegjësive të veta për defektet të ndërtimit joprofesional, janë lajmëruar qarjet e mureve dhe defekte të tjera.

    Sipas procesverbalit për dorëzim personal të banesave, në katin e parë dhe të tretë, thuhet se çelësat në dorë, me vërejtje të pabaza ligjore, pretendohet se “shpenzimet eventuale të krijuara në banesën e theksuar më lartë deri në ditën e pranimit i bartë investitori, derisa pas pranimit të banesës i bartë pronari i tokës”.

    Andaj sipas Kongjelit, nuk është bërë pranimi teknik as nuk është dhënë leja për shfrytëzim të këtij objekti, deri më sot.

    Sipas tij, banesat janë dhënë në shfrytëzim dhe diskonim në mënyrë të kundërligjshme dhe në njoftimin nga kundërpropozuesi, ndërmarrja “Pozhegu Brothers”, nga gushti 2016, janë të njoftuar për mundësin e konstatimit të defekteve si rezultat i materialit të dobët ndërtimor ose kryerjes jocilësore të punëve.

    Tutje, thuhet se Kongjeli tre muaj pas pranimit të banesave kishte vërejtur të qara në të dy anët e mureve dhe për këtë e kishte lajmëruar drejtorin e kompanisë “Pozhegu” dhe organin kompetent Inspektoratin Ndërtimor të Komunës së Prishtinës.

    Kongjeli, edhe pas dy kërkesave që i kishte parashtruar Pozhegu Brothers lidhur me rastin, i njëjti nuk kishte marrë përgjigje.

    Por sipas dokumenteve,  Inspektorati Ndërtimor, inxhinierit të ndërtimtarisë kishin  konstatuar se qarjet e mureve janë serioze dhe në mënyrë permanente këto qarje do të zgjerohen dhe zgjaten dhe se sanimi i tyre është obligim i investitorit.

    Pas parashtrimit të kërkesës nga Kongjeli më 15 nëntor 2021, kompania “Pozhegu Brothers”, kishte deklaruar se nuk ndjen asnjë obligim, ngase ka kaluar afati i përgjegjësisë në rastin e nënshkrimit të procesverbalit mbi pranimin, të njëjtit pranojnë sanimin e mureve të qara dhe premtojnë se brenda dy viteve nuk do lajmërohen qarjet e mureve.

    Ndërsa, Kongjeli me 10 dhjetor 2021  thuhet se ndërmarrjen “Pozhegu” e kishte njoftuar se tani fillon procedura gjyqësore e ushtruar me propozimin për sigurimin e provës pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Kongjeli përmes propozimit të ushtruar pranë kësaj gjykate, kërkon nga ekspertët të dalin në vendshiqim dhe të konstatojnë gjendjen e stabilitetit të objektit banesor, duke theksuar se ky propozim ka karakter urgjent sepse mund të ndryshojë gjendja,

    “ngase ende nuk është bërë pranimi teknik dhe nuk është dhënë leje për përdorim, në mënyrë që gjykata të ketë prova të mjaftueshme për vendosjen e këtij rasti”, thuhet në dokument. 

    Ky rast tashmë është në Gjykatën Themelore të Prishtinë. Seanca e radhës për daljen në vendshqim, u caktua për 7 prill 2022.

    Pronari i kompanisë biznesmenit Qemajl Pozhegu, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër, për falsifikim të dokumenteve.

    Sipas aktakuzës, Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.

    Ai ishte dënuar nga gjykata me 18 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

    Dënimi i tij ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, vitin e kaluar. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark