×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bllokimi autobusëve në kufirin me Serbinë, Kurtishaj: Gjendja e rënduar – i bën thirrje Edi Ramës t’iu dalë në ndihmë kompanive kosovare

    Insajderi
    17 April 2024 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rreth 15 autobusë me targa të Kosovës janë bllokuar në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Ata janë ndaluar në kufi mbrëmë rreth orës 22:00 e deri më tani ende nuk janë lejuar të kalojnë.

    Për këtë rast për Insajderin ka folur Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj, i cili konfirmoi se gjendja është e rënduar.

    Ai tha se nga informacionet që ka, ka pasagjerë që vuajnë edhe nga sëmundje të ndryshe, dhe që nuk po mund të kryejnë as shërbime të tualetit e të ushqehen.

    Kurtishaj shtoi se shoferët e kompanisë së tij janë urdhëruar ta evitojnë kalimin përgjatë Serbisë, dhe të njëjtë gjë po ua rekomandon edhe kolegëve të tij.

    “Sa i përket udhëtimeve të Sharr Travel Zvicër-Kosovë, Kosovë-Zvicër linjat të cilat i kemi në trasën në Gjenevë, Gjermani, Itali ne duke parë situatat e fundit jemi vigjilent, në mbrojtje të klientëve dhe me të parë situatën e krijuar ne kemi ndryshuar trasën e udhëtimeve, pra kemi devijuar Serbinë dhe jemi duke e realizuar udhëtimin në drejtim të Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës”, është shprehur ai.

    Kryetari i kësaj shoqate pati edhe një thirrje për kryeministrin e Shqipërisë.

    “Gjithmonë Shqipëria ka qenë shtyllë kryesore dhe në këtë rast them që Shqipëria të involvohet më tepër, ftojë kryeministrin Rama të bëjnë të pamundurën të ushtrojnë ndikimin e tyre për me i dalë në ndihmë këtyre kompanive të Kosovës”, tha ai.

    “Është fat i mirë që asnjë autobus nuk ndodhet në territorin e Serbisë, por megjithatë janë të bllokuar atje dhe sipas informative që kemi nga ata nga ora 22:00 e darkës mbrëmë ata janë të bollkuar në kufirin Kroaci-Beograd, nuk kanë shërbime as të tualetit as të ushqimit, ka njerëz të moshuar, ka fëmijë, ka njerëz me halle dhe probleme të shumta shëndetësore të cilët udhëtojnë dhe më të thënë të drejtën në bazë të informative që kam unë gjendja është bukur shumë e rënduar”, theksoi Kurtishaj.

    Ai përmendi se si ditën e djeshme autobusë kosovarë janë gjuajtur me gjësende e ndërkohë sot ndodhi edhe bllokimi.

    “Pa marrë parasysh situatave politike është turp kjo çka po ndodhë, ne e dimë kush është Serbia gjithmonë ndihemi në rrezik kur kalojmë nëpër Serbi. Dje e kemi pasur rastin kur janë gjuajte autobusë të Kosovës që kaluan nëpër Serbi nga persona të pa përgjegjshëm të motivuar nga nacionalizmi serb për të , e tani janë bllokuar”,  ka thënë ai për Insajderin.   

    Ndërkohë, një udhëtar ka treguar për Insajderin se policia kufitare ua ka marrë dokumentet dhe sipas tij ju kanë thënë se nuk mund të kalojnë deri të vjen urdhri prej Beogradit.

    “Na kanë marr dokumentet, edhe na kanë thonë me prit deri të vjen urdhri prej Beogradit. Jemi diku 13-14 autobusa dhe 5 kerre me targa të Kosovës”, ka thënë ai për Insajderin.

    Pas kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë apeluar ndaj qytetarëve të Kosovës t’i evitojnë lëvizjet nëpër Serbi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark