×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Brutale dhe e shpejtë – LDK kap dy ndërmarrje publike brenda dy ditëve

    Insajderi
    27 October 2022 - 17:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në mënyrë brutale dhe të shpejtë, Lidhja Demokratike e Lumir Abdixhikut ka arritur të kap dy ndërmarrje publike përmes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Ai sot ka emëruar në krye të ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”, Bardh Krasniqin, kandidat i LDK-së për asamblesit në Prishtinë në zgjedhjet e fundit. Dy ditë më parë, e emëroi kryetar të “Prishtina Parking”, Sokol Havollin, ish-këshilltarin e Isa Mustafës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për asamblesit, Bardh Krasniqit i është besuar pozita e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.

    Krasniqi i cili kishte aderuar në LDK gjatë verës së 2021-së, ka arritur të listohet i pari nga komisioni vlerësues në kuadër të komunës. Ai ka marrë 37 pikë.

    Pas tij është rreshtuar Arton Shabani me 28 pikë, Fitim Havolli 25.5 dhe Valon Berisha 25.


    Dy ditë më parë, me 25 tetor në krye të “Prishtina Parking”, institucioni që menaxhohet nga komuna e Prishtinës së Përparim Ramës, e ka zgjedhur për drejtor kuadrin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havollin.

    Havolli ka shërbyer si këshilltar i ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

    Sokoli kishte mbledhur 38.75 pikë, dhe i njëjti para pak kohësh ka dhënë dorëheqje nga zv.guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Emërimi i Sokolit ka ardhur pas shkarkimit të Liridon Restelicës në gusht të këtij viti.

    Lajmin për shkarkimin e pati bërë të ditur i pari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi në rrjetin social, Facebook, i cili tha se Restelica u shkarkua nga detyra pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur.

    Përparim Rama si kandidat i Lidhjes Demokratike me 7 dhjetor të vitit 2021, e mori nën udhëheqje Prishtinën. E tanimë veçse kanë filluar emërimet politike, për të cilat pati edhe akuza nga opozita në komunë, Lëvizja Vetëvendosje.

    Pas dy emërimeve të fundit, Havolli e Krasniqi, shefi i grupit të asmableistëve të LVV-së ka shkruar “LDK sinonim i kapjes”.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark