×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bulliqit i pështillen punët me tenderin për mirëmbajtje të rrugëve, lidhë kontratë të negociuar me kompaninë që shkeli ligjin

    Insajderi
    25 January 2024 - 14:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    E kishte nisur si tender të hapur, por e ktheu në tender të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës. Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, pas shumë përpjekjeve ka vendosur që tenderin për mirëmbajtje rrugore ta nënshkruajë shpejt e shpejt. Edhe pse këtë tender nuk arriti ta gëzojë kompania e Eljesah Podvoricës, i afërt me VV’në, Bulliqi vendosi që fituese të jetë njëra ndër kompanitë që kishte bërë shkelje të rënda të ligjit.

    Komuna e Podujevës kishte hapur tender me 10 nëntor të vitit të kaluar, për kontratën “Mirëmbajtje verore dhe dimërore e rrugëve”, ku kishin aplikuar dy kompani, “VIA EGNATIA” “VAAKAL” “Natyra”, dhe “Eing Com” e “El-BAU”.

    Së pari tenderi iu dha kompanisë “VIA EGNATIA” “VAAKAL” “Natyra”, Prishtinë, me vlerën totale të ofertës 330,268,29 euro. Por, vetëm pas 19 ditëve kjo kontratë u anulua.

    E pastaj me 29 nëntor të 2023-tës u njoftua se për këtë kontratë është shpërblyer, kompania “Eing Com” e “El-BAU” Podujevë, me vlerë totale të ofertës, 547.492.12 euro. Vlerë më e lartë për 237,224 euro. Kompani kjo në pronësi të Eljesah Podvorica, person i afërt me pushtetin. Gazeta Insajderi ka raportuar se Eljesah Podvorica, jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Me zgjedhjen e kompanisë së Podvoricës, kompania e parë të cilës iu anulua tenderi, ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, dhe tash e disa muaj nuk ka vendim përfundimtar nga ky organ, duke mbetur lënda në proces.

    Pas gjithë këtyre përpjekjeve për ta zgjedhur kompaninë fituese për ‘Mirëmbajtje verore dhe dimërore të rrugëve’, Komuna e Podujevës ka nënshkruar kontratën e negociuar, shpejtë e shpejtë.

    Tenderi e kanë fituar dy kompani, NNT BINI SH.P.K, dhe Arbotec SH.P.K. Kontrata e nënshkruar përbëhet nga tri pjesë.

    Në pjesën është nënshkruar kontrata me NNT BINI SH.P.K me çmim 6782.70 euro.

    Në pjesën e dytë është nënshkruar kontrata me Arbotec SH.P.K. me çmim 19 mijë e 994.54 euro.

    Si dhe në pjesën e tretë është nënshkruar kontrata sërish me NNT BINI SH.P.K me çmim 8773.10 euro.

    Por, njëra kompani fituese, Arbotec SH.P.K të cilës i është dhënë tenderi i negociuar nga Komuna e Podujevës me çmim 19 mijë e 994 euro, sipas një raportimi të Gazetës Insajderi kishte bërë shkelje të rënda të ligjit.

    Gazeta Insajderi në muajin gusht të vitit të kaluar kishte raportuar se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë ka zënë dy ekskavatorë duke nxjerr jashtëligjshëm zhavorr në zonën që është e ndaluar me ligj.

    Gazeta Insajderi pati mësuar se ekskavatorët ishin të kompanisë fituese “ARBOTEC” Sh.p.k. e cila është në pronësi të biznesmenit Hektor Beqiri. Punimet e kësaj rruge ishin inauguruar edhe nga kryeministri Albin Kurti i cili kishte premtuar cilësi pasi që sipas tij për zgjerimin e kësaj rruge ishin përzgjedhur kompanitë më të mira.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark