×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “Buzuku” boton romanin e Xhevat Mustafës

    Insajderi
    13 November 2023 - 22:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtëpia botuese prishtinase “Buzuku” ka botuar romanin e ri të shkrimtarit Xhevat Mustafa.

    Romani ka titullin “Dashuri në detin e urrejtjes” dhe së shpejti do të jetë në libraritë e ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri.

    Njoftimin për këtë botim e ka bërë vetë autori në profilin e tij në rrjetin social facebook.

    Njoftimi i plotë:

    Më në fund, më dt.12 nëntor 2023, rreth orës 21.30 më erdhi nga Shtëpia Botuese “BUZUKU” në Prishtinë njoftimi për fillimin e botimit të romanit tim të ri, të pestë, “Dashuri në detin e urrejtjes”! Edhe pse e kam të vështirë të bëj dallimin mes 4 romaneve të pas vitit 2000, si prindërit mes 4 fëmijëve, përsëri nuk mund të mos shprehem se ky, për subjektin, do të jetë më surprizuesi, më i bukuri, më i komentueshmi, më i debatueshmi, më i pëlqyeshmi…! Natyrisht, mua më mbetet të jem mirënjohës dhe mirëkuptues për opinionet e lexuesve, si lavdërues, ashtu edhe kritikë!

    Informacion për romanin “Dashuri në detin e urrejtjes”

    Ngjarjet zhvillohen në një fshat shqiptaro-serb, në veri-perendim të Mitrovicës, në muajt mars -qershor1999… Familja e Hysen Drenicës banon në periferi të një lagjeje shqiptaro-serbe, rreth 30-40 metra larg e përballë me shtëpinë e familjes serbe të Bojko Kovaçeviç. Ndërsa udhëtojnë me autobus për në fshatin e tyre, dy vajzat studente, Teuta, vajza e familjes shqiptare dhe Marina, nga familja serbe, janë ulur pranë njëra-tjetrës. Papritur autobuzin e ndalon një patrullë milicësh serbë. Me udhëtarët shqiptarë, sidomos me Teutën, sillen në mënyrë brutale e fyese. Njeri prej milicëve ka qëllim ta përdhunojë vajzën shqiptare. Marina lajmëron me telefon Miroslavin, vëllain e vet, oficer në ushtrinë serbe, në një repart aty pranë. Mes tij dhe Teutës ka një lidhje të hershme dashurie, nxitur dhe shtuar edhe nga fakti se kanë shoqëri qysh nga fëmijëria. Ndërhyrja e shpejtë e tij e shpëton Teutën nga duart e milicit të dehur e të droguar dhe i qetëson prindërit e saj në shtëpi, të shqetësuar për vonesën e të bijës. Nga ana e saj e ëma e Marinës dhe Mirosllavit, Radmila, shpreh dashamirësi ndaj familjes shqiptare edhe për dy arsye, që ajo nuk mund t’i harrojë. E para, ka të bëjë me historinë e lidhjes jashtëmartesore gjatë rreth 6 muajve mes asaj dhe Hysenit, në periudhat kohore kur Bojko ishte me stërvitje ushtarake të mëdha e shumë të largëta. Fryt i kësaj lidhjeje të fshehtë është mbetja shtatzanë e Radmilës dhe lindja e Marinës. Arsyeja e dytë lidhet po me Marinën. Kur kjo ishte foshnje disajavëshe, Radmillës iu bënë gjinjtë plagë. Vjosa kishte pranuar pa hezituar fare që ta ushqente me qumështin e saj edhe Marinën, një javë më të madhe se Teuta.

    Kur mësohet lajmi se forcat serbe po afrohen drejt fshatit të tyre, Miroslavi dhe Marina, i luten babait të tyre që familja shqiptare të vijë për t’u strehuar në shtëpinë e tyre…Në fillim Bojko nuk e pranon këtë ide. Ai tërbohet nga zemërimi kur Mirosllavi i tregon hapur se ai e mbron Teutën dhe familjen e saj jo vetëm si fqinj, por sepse e dashuron atë vajzë. Pas këtij debati të ashpër me të birin Bojko shkon në qendër të fshatit dhe në pijetore takohet me Darkon, një serb rreth 28 vjeçar dhe i propozon përdhunimin e Teutës dhe vrasjen e Ardianit.

    Një natë forcat serbe kryejnë bastisje dhe dhunë të egër ndaj familjeve shqiptare.Komandanti serb, mik i vjetër me të atin, Bojkon, e urdhëron Miroslavin që shtëpinë e Hysen Drenicës ta djegë ai i pari. Miroslavi nuk pranon të zbatojë urdhërin dhe i kthen kurrizin eprorit, për t’u larguar. Komandanti zemërohet dhe e quan dezertor. Nga shtëpia e tij Bojko i shikon me kënaqësi flakët që mbulojnë shtëpinë e armikut të tij të vjetër shqiptar dhe sjelljet barbare të ushtarëve serbë ndaj pleqve, grave e fëmijve në shtëpitë e tjera të shqiptarëve. Ndërsa i biri, Miroslavi, Marina dhe e shoqja, Radmila, ndiejnë keqardhje të sinqertë… Komandanti serb e urdhëron Miroslavin të qëllojë pikërisht ai edhe mbi trupin e Hysenit, babait të Teutës. Por, Miroslavi e kundërshton eprorin e tij dhe nuk e zbaton edhe këtë urdhër. Komandanti serb e qëllon vetë Hysenin dhe ai vdes. Pastaj urdhëron vartësit e tij edhe të urinojnë mbi kufomën e të vrarit. Vetëm Miroslavi nuk i bindet. Vjosa dhe Teuta vrapojnë duke qarë drejt trupit të përgjakur të Hysenit. Ndërsa Miroslavi futet me hapa të shpejtë në shtëpinë e tij. I ndezur fort nga zemërimi Miroslavi i heq rrobat ushtarake në sy të babait të tij. Pastaj i thotë se ai ka vendosur të largohet fare jo vetëm nga ushtria, por edhe nga shtëpia, duke ikur bashkë me Teutën në Austri, Zvicër, Gjermani…Për një moment Bojko vendos dorën tek revolveri në brez, për ta vrarë të birin me dorën e vet. Por, e ndalojnë e shoqja, Radmila dhe e bija, Marina. Vjosa dhe Teuta me kufomën e Hysenit në mes kanë mbetur në oborrin e shtëpisë së tyre, nën degët e një molle të madhe. Bashkë me errësirën e natës vjen edhe bora. Ëmë e bijë qëndrojnë pranë trupit të Hysenit, të përmbytura nga dhimbja dhe lotët. Gruaja dhe e bija i luten Bojkos t’i fusin në shtëpi, por nuk e bindin dot. Pas dy orësh, kur jashtë janë shtuar ndjeshëm bora e të ftohtit, Radmila dhe Teuta, i luten përsëri Bojkos. Më në fund ai pranon me gjysëm mendje e zemre. Vjosa dhe Teuta nuk qëndrojnë gjatë në familjen e Bojkos e të Radmilës, sepse aty ndiehen të padëshiruara e të pasigurta, sidomos nga Bojko. Pasi kryejnë varrimin e Hysenit, në praninë e në varrmihësi shqiptar e të Radmilës dhe Marinës, dy femrat shqiptare, vendosin të ikin nga shtëpia e Bojkos. Ato bashkohen me një grup të madh refugjatësh, që shkojnë drejt Shqipërisë. Rrugës ndalohen nga një njësit me ushtarë serbë. Njeri prej tyre, Darko, e tërheq Teutën mënjanë dhe e përdhunon. Pas tij vazhdojnë disa ushtarë të tjerë. Kur mbi trupin pa ndjenja të Teutës hipën ushtari i fundit, mbi kurrizin e tij zbrazet një breshëri automatiku nga Miroslavi, i cili nuk e ka braktisur akoma repartin ushtarak ku është. Sapo shikon edhe Darkon duke vrapuar, Miroslavi qëllon disa herë mbi atë, por e rrëzon të plagosur lehtë në këmbë. Miroslavi e përjeton shumë rëndë skenën e përdhunimit të të dashurës së tij. Por, Teuta e përjeton edhe shumë më keq. Vjosa dhe Teuta nuk mund ta vazhdojnë udhëtimin për në Shqipëri. Krejt pa dëshirë ato rikthehen në shtëpinë e Miroslavit, për pak ditë, deri sa Ardiani të gjejë një makinë për t’i marrë. Teuta pëson një krizë të fortë depresioni dhe pak më vonë, edhe çmendurie. Një ditë tenton edhe vetëvrasjen, duke u hedhur në lumë. Por e ëma e shikon dhe e shpëton para se të hidhej. Në këtë gjendje ato rinisen për në Shqipëri. Vjosën dhe Teutën i nisin shpejt për në Tiranë, për në spitalin neuro-psikiatrik… Darko, me dëshirën për t’u martuar me Marinën, i bën pritë të dashurit të saj, Dragoljubit, oficer dhe shok akademie ushtarake me Miroslavin. Së bashku me disa paramilitarë të veshur me uniforma të UÇK-së, e vrasin Dragoljubin, gjoja si spiun i UÇK-së dhe për ta propaganduar si një vrasje prej saj. Pak minuta pas këtij krimi, grupi i paramilitarëve serbë rrethohet nga një grup më i madh ushtarësh të UÇK-së. Darko, falë edhe errësirës, arrin të shpëtojë, ndërsa të tjerët bien robër dhe rrëfejnë të vërtetën. Po atë ditë Marina u tregon prindërve të vet dhe të Dragoljubit se është shtatzënë me atë, duke filluar kështu edhe drama tjetër e saj për fatin e kësaj barre dhe të foshnjes. Disa ditë më vonë, gjatë një luftimi mes forcave ushtarake serbe e të UÇK-së plagosen edhe Ardiani dhe Miroslavi. I plagosur rëndë Ardiani bie rob në duart e forcave serbe. Në një spital lëvizës ushtarak e vendosin në një çadër me disa ushtarë serbë të plagosur. Mes tyre ishte edhe Miroslavi. Një natë, në kllapi, Ardiani flet disa fjalë në shqip. Miroslavi e dëgjon dhe e njeh nga zëri. Pas një dite, për të parë të birin, vijnë në spital Radmila dhe Bojko. Kur ky shikon aty edhe Ardianin, ndien habi dhe tërbim. E akuzon Ardianin edhe si shok të atyreve që kanë vrarë Dragboljubin. Kur Ardiani u tregon të vërtetën për këtë vrasje Marina dhe Radmilla tronditen, ndërsa Bojko nuk i beson. Nga mesnata avionë të NATO-s sulmojnë edhe çadrat e këtij spitali. Miroslavi,që është në gjendje më të mirë fizike, e ndihmon Ardianin, duke e mbajtur në supet e tij, të largohen të gjallë nga predhat. Por, pas disa orë udhëtimi rraskapitës ndahen. Miroslavi drejtohet për në zonën ku janë forcat serbe, ndërsa Ardiani drejt zonës ku janë forcat e UÇK-së. Pas disa ditësh në fshat futen forca të UÇK-së. Në hyrje të shtëpisë njeri prej partizanëve e njeh Bojkon dhe e urdhëron që të ndalojë, me duart lart. Por, Bojko përpiqet të nxjerrë revolverin, pa plumba brenda, me qëllim që të vritet nga shqiptarët. Partizani, që nuk mund ta merrte me mend këtë, e qëllon me synimin për vetëmbrojtje dhe e vret.

    Pas fitores së NATO-s dhe të UÇK-së shumë nga familjet serbe zgjedhin si alternativë shpëtimi braktisjen e shtëpive dhe të pronave të tjera, duke i shitur shpejt e shpejt, sidomos tek shqiptarët dhe duke u larguar për në Serbi. Këtë vendosin të bëjnë edhe Radmila e Marina. Ndërsa Miroslavi niset për në Austri, por, rrugës bie rob në duart e një njësiti të UÇK-së. Ardiani, pasi ndërhyn në komandë për ta futur Miroslavin në listën e robërve që do të lirohen, duke u shkëmbyer me një grup robërish shqiptarë, niset për në Shqipëri të kërkojë dhe gjejë nënën dhe motrën. Teuta është e shtruar në spitalin neuro-psikiatrik të Tiranës, në një dhomë me një vajzë nga Vlora, viktimë prej rreth 2 vjetësh e shfrytëzimit për prostitucion në Itali nga Leko, i fejuari apo tutori i saj shqiptar. Ardiani takohet me mall dhe gëzim me nënën dhe motrën. Por gëzimi zgjat fare pak. E ëma, Vjosa, i thotë fshehtas, se Teuta është shtatzëne nga përdhunimi rreth 2 muaj më parë dhe se të nesërmen do t’i bëjnë abort. Ardiani dëshpërohet shumë. Ai vendos të rrijë aty deri ditën e abortit e të niset për në Kosovë, një ditë më vonë. Ai arrin në fshat në mëngjesin e ditës së nisjes për në Serbi të Radmilës dhe të Marinës. Ai shkon t’i takojë. Në fillim i falënderon për ndihmën që u kishin dhënë nënës dhe motrës së tij. Pastaj i këshillon që të mos e brakstisin shtëpinë e të mos largohen për në Serbi. Ardiani i siguron se ato si femra, nuk duhet të kenë fare frikë për hakmarrje nga autoritetet e reja shqiptare të pas luftës. Radmila shpreh skepticizëm dhe kundërshtim të fortë dhe nuk ndërron vendim. Ndërsa punojnë për rindërtimin e shtëpisë, Ardiani bisedon me Bekimin, që ka i ka ndërprerë studimet universitare për inxhinieri ndërtimi në mes të vitit të tretë. Ky i shpreh shqetësimin se serbët kanë filluar të blejnë shumë shtëpi shqiptarësh në veriun e Mitrovicës, duke u ofruar pronarëve shqiptarë shuma disa fish më të mëdha se sa përdoren në tregun formal. Në çastin kur Bekimi i thotë me keqardhje:” Po na e marrin para syve e nga duart tona, Mitrovicën, vëlla!”, mbi trupin e tij bien disa plumba automatiku. Para se të vdesë Bekimi mundet t’i thotë: “Amanet, Kosovën, vëlla!” Ardiani e njeh njeriun që qëlloi. Ishte Darko. Ndërsa ai vraponte, Ardiani e qëllon me disa plumba. Njeri e ka goditur për vdekje.

    Pas tre muajsh Vjosa dhe Teuta, e shëruar kthehen nga Tirana, në shtëpinë e tyre të rindërtuar më mirë se sa ishte para lufte. Teutën e ka munduar gjatë dilema nëse dashuria e saj me Mirosllavin do të ketë një shans dhe mundësi vazhdimi. Po kështu edhe Mirosllavi, gjatë këtyre 3 muajve, ka qenë në vramendje të vazhdueshme për lidhjen e tyre. Një mëngjes Teuta takohet me Marinën. Pas përshëndetjeve dhe pyetjeve të zakonshme, Marina i tregon se Mirosllavi është në Austri dhe i thotë se nëse dëshiron mund t’ia japë numrin e tij të celularit. Teuta, pas disa sekonda në mëdyshje, ikën pa e përshëndetur drejt shtëpisë së saj, duke qarë me shpirt e trup…

    Ky roman është i gatshëm edhe si skenar për film artistik me metrazh të gjatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark