×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Çfarë thoshte Lëvizja Vetëvendosje për Oliver Ivanoviqin në komunikatën e datës 4 shkurt 2016?

    Insajderi
    17 January 2023 - 11:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në përvjetorin e vdekjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zgjodhi fjalë të mëdha për ta përshkruar atë, si një person i përkushtuar për të luftuar për interesin e komunitetit dhe qytetit të tij.

    Por, çfarë thoshte Lëvizja Vetëvendosje për Oliver Ivanoviqin në komunikatën e datës 4 shkurt 2016?

    Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës, më 4 shkurt 2016, nëpërmjet një komunikate për media, kishte fajësuar Oliver Ivanoviqin dhe Dragan Delibashiqin për vrasjen e 10 qytetarëve në Mitrovicën Veriore.

    Sipas Lëvizjes Vetëvendosjes së Albin Kurtit, “ata u vranë nga grupi kriminel serb “Rojet e Urës”.

    “Ky grup kriminal i cili akoma pengon kthimin e shqiptarëve në pronat e veta dhe është përgjegjës direkt për spastrim etnik të veriut të Mitrovicës, sipas marrëveshjes në Bruksel u legalizua dhe u shpërblye me firmosjen e kontratave të 483 pjesëtarëve të saj me institucionet qendrore të Kosovës, ndërsa dy udhëheqësit e saj u liruan nga përgjegjësia për këtë akt makabër në ”mungesë” të provave”, thuhej në komunikatën e LVV-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, qytetarja boshnjakje Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi ishin vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës”, vazhdonte tutje komunikata e tash partisë në pushtet, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas Vetëvendosjes, këto vrasje përcaktuan fatin e Mitrovicës në drejtim krejtësisht të ndryshëm nga pjesa tjetër e Kosovës dhe kanë akoma pasoja direkte në atë që po ndodh sot në veri të Kosovës.

    “Sot e kësaj dite gjendja në veri të Mitrovicës mbetet e njëjtë dhe veçsa shkon e përkeqësohet për banorët shqiptarë të asaj ane. Ndërkaq serbët kanë fituar nga marrëveshja e fundit nga Qeveria Mustafa-Thaçi themelimin e një Asociacioni ku përfshihen vetëm komunat serbe dhe po ashtu nga marrëveshja për energji dhe ajo për telekomin”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark