×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Si e mori njeriu i afërt me Lushtakun besimin e Haxhiut për t’u bërë shef në burgjet e Kosovës

    Insajderi
    17 January 2023 - 10:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një shëtitje në sheshin e famshëm “Time Square”, në New York ishte pjesë e agjendës në vikendin e kaluar për zyrtarin e lartë shtetëror, Ismail Dibranin.

    Ai ndau me miqtë e tij një foto nga atje, në të cilën shihej i veshur me brendin e shtrenjtë “Calvin Clein”.

    Askush nga njerëzit e afërt me Sami Lushtakun nuk e kishte besuar se ndonjëri prej tyre do ta realizonte këtë shëtitje në New York, në cilësinë e zyrtarit të lartë në pushtetin e Albin Kurtit.

    Por, Dibrani dëshmoi se ky ishte vetëm një “paragjykim”. Ai është një prej njerëzve që ka një histori të gjatë afërsie me të fuqishmin e PDK’së, Sami Lushtakun. Në dy vitet ka nisur një kapitull të ri: Avancim e afërsi me njërën prej figurave kyçe të Vetëvendosjes, Albulena Haxhiun.

    Dibrani aktualisht është shef në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Mbetet mister se si arriti Dibrani të afrohej me pushtetarët e rinj.

    Dibrani që në të njëjtën kohë punon edhe si konsulent i firmës “Behari Doors”, që merret me dyer e dritare duket se ka gjetur një derë për tu futur në shoqëri me njerëzit e Albin Kurtit.

    Por, si ndodhi që njeriu i lidhur me Sami Lushtakun të vendosej në krye të Shërbimit Korrektues nga njerëzit e Albin Kurtit?

    Insajderi sjell historinë e zyrtarit të lartë Ismail Dibranit dhe përfitimet e tij nga pushteti i ri. Ai aktualisht mban pozitën e Zëvendësues i zv. Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së.

    Në fillim të pushtetit të Kurtit, në shkurt të vitit 2021, Dibrani kishte një post më të ulët në hierarkinë e burgjeve. Mbante pozitën e zyrtarit të lartë brenda SHKK.

    Ai me vonë u avancua në pozitën më të lartë të cilën e ushtron edhe aktualisht. Atë të zëvendës i zv. Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së.

    Insajderi ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë dhe Dibranin lidhur me avancimin e tij por, që nga data 27 dhjetor të 2022’tës, asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.

    Ismail Dibrani edhe pse nuk mban pozitën e të parit në SHKK, ai duket që ka përkrahje të madhe nga ministrja Haxhiu në shumë takime të rëndësishme.

    Dibrani ka përfaqësuar SHKK në takime të rëndësishme në SHBA e në Departamentin Amerikan të Shtetit edhe pse në pozitën më të lartë se ai është Sami Gashi, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm.

    Dibrani ishte i bashkëakuzuar me Sami Lushtakun në procesin e famshëm gjyqësor

    Emri i Ismail Dibranit është i njohur për publikun pasi u gjykua se kishte lidhje me arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK në vitin 2015. Por, në mungesë të provave gjykata e shpalli të pafajshëm.

    Lushtaku ishte arratisur nga QKUK me 22 shtator 2015. Për këtë ishte ngritur aktakuzë ndaj disa zyrtarëve të SHKK. Në mesin e tyre ishte edhe Ismail Dibrani.

    Ismail Dibranioas ngritjes së aktakuzës ishte suspenduar nga pozita drejtorit në Qendrën Korrektuese në Dubravë nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha.

    Pezullimet ishin bërë pasi që ndaj zyrtarëve të SHKK, ku ndër ta ishte edhe Ismail Dibrani ishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kundërshtim me nenin 422 par 1 dhe 2.1,2.2,2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Lidhur me rastin e arratisjes së Sami Lushtakut I njohur si rasti I “Arratisjes nga QKUK” kishte reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Këtë rast, ata e kishin quajtur si ditëtë e fundit të PDK’së në pushtet.

    “Sami Lushtaku ka qenë i kandiduari i PDK-së vetëm gjashtë muaj më parë, dhe tash arratiset prej strukturave të drejtësisë, njëjtë siç ka bërë më parë Xhabir Zharku. Ky fenomen është i përgjithshëm në PDK, dhe papërgjegjësia personale në këtë parti është rregull. Një parti e tillë di të veprojë veç në mënyrë brutale dhe para-ligjore, por nuk ka për të ndërtuar kurrë një sistem të drejtësisë e të gjyqësorit të pavarur”. Vlerësohet në reagim.

    Dibrani akuzohej se prej 1 shtator 2015, nga dita kur e kishte marrë pozitën e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, kishte keqpërdorur pozitën e tij duke shkelur qëllimisht dhe me vetëdije ligjin, duke i mundësuar Sami Lushtakut trajtim preferencial, i cili rezultoi me arratisjen e tij nga mbikëqyrja korrektuese me 22 shtator 2014.

    Sipas prokurorisë, të paraburgosurit asnjëherë nuk kishin marrë masë disiplinore dhe me qëllim të përfitimi për Lushtakun i kishin mundësuar atij masa të sigurisë më të buta dhe joadekuate, duke e lejuar atë të kalojë kohën e lirë i pashoqëruar nga oficerët korrektues jashtë objekteve të paraburgimit.

    Për këto veprime, Dibrani ngarkohej me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Dy foto që përforcojnë afërsinë e Dibranit me Lushtakun

    Fiks para 13 viteve Ismail Dibrani kishte habitur të gjithë kolegët e tij të Shërbimit Korrektues. Ishte shfaqur publikisht duke luajtur futboll me Lushtakun. Nuk dihet se a kishte shënuar ndonjë gol Dibrani gjatë asaj ndeshje, por dihet sigurt që kishte kryer dy vepra të pahijshme.

    E para: Ishte shfaqur duke luajtur me një politikan dhe u duke shoqëruar me të, ndonëse i njejti përballej me aktakuza penale.

    E dyta: Përpos Lushtakut pjesë e ndeshjes ishin edhe disa të burgosur. Ky veprim i Dibranit kishte tronditur atëherë drejtuesit e burgjeve dhe të ministrisë së Drejtësisë. Ishte futur nën procedura disiplinore.

    Kjo nuk do të ishte hera e vetme që Dibrani do të shfaqej përkrahë Lushtakut. E kishte bërë edhe njëherë tjetër.

    Dukë pasur kundërshtar të kamotshëm politik, ministrja Albulena Haxhiu ka befasuar se si ka emëruar në këtë pozitë të lartë të SHKK, Ismail Dibranin, njeriun që shoqërohet me Sami Lushtakun, kundërshtar i madh politik i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Fotografia që ka siguruar Gazeta, është një takim më bashkatdhetar që kishte organizuar kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku në fshatin Gradicë.

    Pjesë e takimit ishte edhe Ismail Dibrani i cili vie nga ky fshat. Në këtë tavolinë me birra, Dibrani shihet se është pozicionuar përball Lushtakut

    Punësimet e militantëve të VV në SHKK

    Pas ardhjes në pushtët të Lëvizjes Vetëvendosje janë raportuar për punësimë të shumta të aktivistëve dhe militantëve të partisë brenda institucioneve të Kosovës. Pa punësime të tilla nuk ka mbetur as Shërbimi Korrektues i Kosovës. Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për punësimet e anëtarëve të VV’së dhe familjarë të tyre si gardian në SHKK.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark