×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Deklaratat skandaloze të VV-së ndaj ambasadorit Hovenier/ Si po rrezikohet prishja e marrëdhënieve të popullit më pro-amerikan me mikun më të madh

    Insajderi
    16 February 2024 - 15:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deklaratat e djeshme të ambasadorit amerikan u panë si ‘alarm’ nga opozita. Jeffrey Hovenier e përgënjeshtroi kryeministrin Albin Kurti duke theksuar se janë prekur marrëdhëniet SHBA-Kosovë. Por, pozita përkundër kritikave ka vendosur që t’i ‘shpall luftë’ mikut me të madh të popullit, Amerikës. Dje deputeti i VV-së, Dimal Basha u lëshua me akuza banale ndaj ambasadorit Hovenier. Ai akuzoi ambasadorin se kërkesat e Vuçiqit po paketohen si të Amerikës.

    Mesazhi i SHBA-së për Qeverinë?

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier të enjten në një konferencë për media kritikoi ashpër Qeverinë. Hovenier konfirmoi se marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Kosovës tashmë janë ndikuar nga çështja e ndalimit të dinarit.

    Mesazhi amerikan është i qartë, pezullojeni rregulloren”, tha ai në konferencën e jashtëzakonshme.

    Tutje, ambasadori kritikoi qeverinë Kurti që nuk është angazhuar si partnere për bashkëpunim në këtë çështje.

    Ne do të shpresonim që qeveria dhe kryeministri Kurti do të angazhohet si partner që ta zgjidhim këtë çështje së bashku në vend se të marrim veprime të njëanshme.Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo“, tha ambasadori dje para mediave.

    Fillimisht ishte James O’brien, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, që shprehu publikisht shqetësimet e tij lidhur me Qeverinë Kurti rreth çështjes së dinarit.

    “Paaftësi qeverisjeje” , ishte komenti i O’Brien për ndalimin e dinarit serb.

    Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, deklaroi disa ditë më parë O’Brien.

    Madje, diplomati i lartë amerikan hodhi pikëpyetje mbi raportet e partneritetit në mes Kosovës dhe ShBA-së. Në intervistën për Zërin e Amerikës, kur u pyet për punën e sanksioneve ndaj Kosovës nga ana e ShBA-së, O’Brien theksoi se nuk bën kërcënime të zbehta publikisht.

    Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere…Unë nuk bëj kërcënime të vakëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha ai.

    Opozita bashkë kundër Kurtit

    “Situatë jo vetëm e dhimbshme, por edhe alarmante”, kështu e ka quajtur situatën e krijuar kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.

    Një situatë e tillë nuk është vetëm e dhimbshme, por edhe alarmante, sepse kur zoti Kurti dhe Qeveria e tij me veprimet dhe gabimet e tyre e sjellin punën që qeveria amerikane, edhe përmes ndihmë sekretarit amerikan të Shtetit, edhe përmes deklarimit në konferenca të jashtëzakonshme të ambasadorit të ShBA-ve në Kosovë del dhe e thotë qartazi se partneriteti mes Kosovës dhe Amerikës është dëmtuar”, pohoi ai.

    Krasniqi tha se Kurti nuk e ka legjimitetin e shkatërrimit të aleancave të Kosovës.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se me vendimin për dinarin, Qeveria ka bërë një hap para dhe tre hapa pas.

    Ai tha se përshkrimi më i mirë i veprimeve që Kosova po bënë, është se po bënë një politikë vetizoluese.

    Ndërsa Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi në mënyrë simbolike se Kosova është një anije që kryeministri Albin Kurti dëshiron ta përplasë, pas presionit amerikan me rastin e ndalimit të dinarit.

    “Kosova është një Titanik, një anije e madhe, por që kryeministri Kurti me vetëdije po dëshiron ta përplasë me një shkëmb të madh, pra me Amerikën. Do të ishte tragjike për ne, sjellja e veprimet e tij janë gabim, do të varet nga ne të tjerët se a do ta lejojmë”, ka thënë Haradinaj.

    Si u demantua Kurti nga ambasadori amerikan?

    Qeveria Kurti deri dje i kishte quajtur propaganda lajmet për prishje të raporteve me SHBA-në.

    Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti me 14 shkurt tha se nuk e sheh të rrezikuar partneritetin me SHBA-në.

    Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti. Ai përsëriti fjalët “nuk po rrezikohet”, pas pyetjeve të gazetarëve për partneritetin me Amerikën.

    Teksa për Ministrin e Financave Hekuran Murati, kjo ishte propagandë me elemente të Beogradit.

    Por, ambasadori Hovenier, dje i demantoi publikisht duke zbuluar se janë prekur marrëdhëniet me SHBA-në.

    E kjo nxiti reagim të ashpër të deputetit të VV-së, Dimal Basha, ai iu sul ambasadorit me një sërë akuzash.

    Basha përmes një postimi në “Facebook”, tha se po ushtrohet presion i padrejtë ndaj Qeverisë dhe me këtë vetëm sa po fuqizohet Serbia.

    Ai akuzoi ambasadorin se kërkesat e Vuçiqit po paketohen si të Amerikës.

    Po manipuloni me opinionin kur po i paketoni kërkesat e Vuçiqit si kërkesa të Amerikës! Ne po i refuzojmë ankesat dhe britmat e Vuçiqit, dhe refuzimi jonë nuk ka asgjë të bëj me Amerikën. Nuk është se e kemi ndaluar dollarin amerikan, të cilin dollar edhe familja ime detyrohet ta këmbej dhe s’ka asnjë ankesë, prandaj refuzojmë Vuçiqin, e jo Amerikën siç po e paketoni reagimin! Dinari mund të rëndoj raportet tona me Serbinë, por jo me Amerikën, sepse dinari nuk është valutë amerikane“, shkroi ai.

    Basha nuk u kursye fare duke u munduar të ia tregonte vendin ambasadorit amerikan: Gabimin më t’madh e bëni nëse mendoni se mund të silleni si shef i shtetit vetëm pse jeni ambasador amerikan.

    Ndalimi dinarit serb që krisi raportet me aleatët

    BQK-ja e ka publikuar rregulloren e re më 17 janar dhe ajo ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

    Bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar nga Kosova që ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, sipas së cilës, euroja duhet të shërbejë si valutë e vetme për pagesa.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e ka përdorur monedhën e saj për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë – përfshirë këtu spitalet dhe shkollat.

    Rregullorja e BQK-së ishte bërë temë diskutimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara javen e kaluar. Aty Kosovës iu kërkua që ta pezullojë vendimin. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark