×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Deputetja e LDK-së: Qeveria Kurti solli shpresë të rreme, nepotizëm e kapje të shtetit

    Insajderi
    30 December 2022 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë Kurti.

    Krasniqi ka renditur të gjitha dështimet që sipas saj ka pasur kjo qeveri gjatë vitit 2022.

    Sipas Krasniqit, ekzekutivi aktual nuk i ka sjellë asnjë të mirë vendit.

    Ngritjet e vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore, derivateve, pastaj shtrenjtimi i energjisë elektrike, të gjitha këto janë bërë barrë e papërballueshme për shumicën dërmuese të popullsisë. Si rezultat, për fatin e keq kishim edhe një ikje masive të qytetarëve. Vetëm në muajt e parë të vitit 2022 kishim mbi 200 mijë aplikime për në ambasadën e Gjermanisë për viza pune, mos të flasim për ambasadat tjera, ku ende vazhdojnë të jenë pritjet e gjata në radhë për të caktuar termine për viza. Vërtetë kjo është shqetësuese edhe për të ardhmen e vendit, sepse ata që po ikin tani, nuk e mendojnë më kthimin në vendlindje”, ka thënë Krasniqi.

    Deputetja Krasniqi, ka pohuar se ka pasur stagnim të plotë në diplomaci, duke përmendur që nuk është arrit të sigurohet asnjë njohje e re.

    E, po ashtu as anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Përveç aplikimit për anëtarësim në BE dhe KE, kjo qeveri nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje të re për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Nuk kishte as anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, përmes të cilave do të faktorizohej vendi më shumë në arenën ndërkombëtare. Të vetmen arritje për të cilën kjo qeveri akoma flet me mburrje është ajo për shkarkimet e Ambasadorëve dhe stafit diplomatik, duke tentuar kështu ta shesin këtë si sukses para qytetarëve sepse kanë dështuar të bëjnë më shumë.  Por në realitet këto shkarkime që u pasuan me emërime në diplomaci, përbëjnë shkelje ligjore sepse ky proces ka ndodhur pa ndonjë vlerësimi për punën e tyre”, ka shtuar deputetja.

    Kurse, sa i përket çështjes së dialogut, Krasniqi ka thënë se ky proces është përcjellë me mungesë të transparencës dhe me qasje të gabuar.

    I gjithë procesi i dialogut me palën serbe është përcjellë me mungesë të transparencës dhe me një qasje të gabuar. Z. Kurti ka shkelur edhe parimet e tij dhe të subjektit që e drejton, sepse sa ishte pjesë e opozitës, deklaroheshin se dialogu duhet të jetë i hapur, ndërkaq tani ne shohim se po ndodh e kundërta.   Pati thënë se nuk takohet me Vuçiqin pa kërkim falje, por pasi erdhi në pushtet u takua pa asnjë kusht, hoqi dorë nga konfiskimi dhe gjobat për targat, madje, për me keq e negocioi në tavolinë me Vuçiqin vendimin e Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi, për Front Online.

    Sipas saj, çdo marrëveshje tjetër, pa njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e papranueshme dhe konsiderohet e dëmshme për vendin.

    Nuk ka lën pa përmendur edhe çështjen e nepotizmit, duke pohuar se i njëjti kurrë s’ka qenë më i theksuar.

    Nepotizmi dhe kapja e shtetit s’ka qenë kurrë më e theksuar se sa në këtë periudhë të qeverisjes nga partia e shpresës, e cila nuk po arrin as ti furnizojë spitalet me pej kirurgjik. Dikur z. Kurti i akuzonte udhëheqësit e kaluar për xhipat e zi zyrtar, sot ata i terrorizojnë qytetarët në rrugë”, ka deklaruar ndër të tjera ajo.

    Kurse, thotë se kjo qeveri për fatin e keq nuk ka asnjë arritje.

    Disa nga premtimet e shkelura i përmenda edhe më lartë. Ritheksoj, për fatin e keq, asnjë arritje nuk është shënuar nga kjo qeveri, që mbolli shpresë të rreme, e po korr zhgënjim të vazhdueshëm nga qytetarët, që dhjetëra qindra prej tyre çdo ditë presin në radhë para ambasadave për t’u larguar nga vendi”, është shprehur deputetja Krasniqi.

    Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, më 22 mars të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Qeverinë e Kurtit e mbështetën deputetët e komuniteteve joserbe.

    Ekzekutivi i ri ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.

    Votimi i qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, u bë disa orë pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku kryetar u zgjodh Glauk Konjufca nga LVV-ja.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark