×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Detaje të aktakuzës kundër shokut multimilioner të Hysen Durmishit

    Insajderi
    20 July 2022 - 16:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas publikimit të aktakuzës ndaj biznesmenit Bujar Shabani, që është në krye të kompanisë “Bageri” që dyshohet për mashtrime në tendere publike, Gazeta Insajderi sjell deklaratat e inxhinierit dhe gjeodetes që ishin cak i mashtrimit të tij.

    Biznesmeni Bujar Shabani, që është pronari i kompanisë “Bageri” e shok i afërt me zv/ministrin e Infrastrukturës Hyseni Durmishin, do të përballet me gjykatën. Rrezikon që të dënohet deri në pesë vite pasi që akuzohet se mashtroi në procedurat tenderuese.

    Shabani, dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit. Gazeta Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të këtij rasti të mashtrimit, dhe të martën ka raportuar lidhur me aktakuzën.

    Prokuroria e ngarkon Shabanin me veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.

    Në aktakuzë janë përfshirë dy tendere publike në të cilat mori pjesë biznesmeni Shabani me kompaninë e tij “Bageri”.

    Në përurimin e njërit prej projekteve Shabani madje kishte marrë pjesë bashkë me shokun e tij, Hysen Durmishin.

    Dyshohet se rruga e përuruar më 4 shtator të vitit 2020, ku i pranishëm ishte edhe Durmishi, ka pas vetes një histori të madhe mashtrimi.

    Dosja kundër Shabanit është ende më e trashë. Jo vetëm tenderi prej 4.7 milionësh, por i njëjti dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër “Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”.

    Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro. Por që këtë tender nuk kishte arritur ta fitonte.

    Inxhinjeri nga Norvegjia që denoncoi biznesmenin Shabani për mashtrim

    Biznesmeni Shabani, dyshohet se ka mashtruar një inxhinier dhe një gjeodete, dokumentet e të cilëve i kishte përdorur në proceduar e tendereve publike.  

    Viktima e tij e parë sipas prokurorisë ka qenë Inxhinieri Arben Vranovci që jeton në Norvegji. I njëjti kishte ngritur një kallëzim penal kundër Bujar Shabanit në prill të vitit 2021.

    Ai ka deklaruar se në vitin 2009 ishte kontaktuar nga biznesmeni Shabani për mundësinë e angazhimit në kompaninë e tij. Dhe se për këtë kishte bërë një marrëveshje gojore që të angazhohej si ekspert i jashtëm, meqë nuk jetonte në Kosovë.

    Biznesmeni Shabani i kishte kërkuar nga ai që t’ia dërgonte diplomën e tij. Vranovci e kishte bërë këtë.

    Për një vit të tërë Shabani nuk e kishte angazhuar në asnjë projekt. I kishte bërë një telefonatë pas një viti, më 2020.

    “Arben prej tani kompania jonë nuk ka nevojë për shërbimet e tua profesionale dhe këtu përfundon marrëveshja jonë”, i kishte thënë biznesmeni Shabani inxhinierit Vranovci, sipas aktakuzës.

    Kishte besuar se gjithçka ka përfunduar aty. Por më vonë Vranovci e kishte marrë informata se diploma e tij ishte përdorur nga Shabani në disa projekte.

    Meqë kishte qenë në pushime në Kosovë, kishte shkuar ta takonte Shabanin në zyrën e kompanisë “Bageri”, në Lipjan.

    E kishte pyetur Shabanin për informatat që kishte pranuar. Biznesmeni e kishte mohuar.

    “…diploma juaj nuk është përdorur sepse firma “Bageri” ka edhe pesë inxhinier tjerë, ka mundur të bëhet ndonjë lëshim kur ti ke qenë si bashkëpunëtor i jashtëm apo si sekondar dhe është futur në dosje që kërkesa e firmës të jetë më serioze dhe se nuk kemi pas asnjë arsye që ta përdorim diplomën tuaj”, i kishte thënë Shabani.

    I njejti i kishte kërkuar inxhinierit Vranovci që ta vazhdonin bashkëpunimin. Vranovci kishte pranuar. Kësaj radhe kishte kërkuar që të bëhej marrëveshje me shkrim, jo vetëm gojore.

    “Gjatë këtij takimi, i njëjti deklaron se Bujari e kishte pyetur nëse është i gatshëm që të vazhdojnë prapë bashkëpunimin, ashtu që iu kishte përgjigjur me ‘po’ mirëpo kësaj radhe kishte kërkuar  që të kenë kontratë me shkrim dhe menjëherë po atë ditë kishin shkuar tek zyrat e kompanisë Bageri në Lipjan, me ç’rast iu kishte ofruar një kontratë standarde e kompanisë”.

    Vranovci ka deklaruar se pasi e ka analizuar kontratën ka bërë ndryshimin në dy pika.

    “Dekalron se e ka marrë e ka analizuar dhe në dy pika ka bërë ndryshime  edhe atë ‘natyrën e bashkëpunimit nga mbikëqyrës në bashkëpunëtor i jashtëm dhe orarin e punës nga ajo me orar të plotë, në atë sipas nevojës, të cilat ndryshime sipas tij Bujari i kishte pranuar pa asnjë hezitim dhe të njëjtën kontratë e kishin nënshkruar që të dy dhe një kopje të kontratës e kishte marrë vet duke vazhduar për në Norvegji, ndërsa pas nënshkrimit të kësaj kontrate deklaron se Bujari nuk e kishte thirre asnjëherë të vetme”, thuhet në aktakuzë.

    Shabani kishte pranuar këtë kusht të Vranovcit. Mirëpo, situata nuk kishte ndryshuar aspak. Shabani ishte sjellë njëjtë me të. Nuk e kishte kontaktuar asnjëherë inxhinierin Vranovci për ta angazhuar, ndërkaq tinëz ishte përdorur diploma e tij në tenderët multimilionësh.

    Shton se këtë e kishte kuptuar në vitin 2020 kur ishte kontaktuar përmes telefonit nga një person nga OJQ Avonet i cili e kishte pyetur lidhur me bashkëpunimin mes tij dhe kompanisë Bageri.

    Vranovci kishte kishte deklaruar se e kanë një marrëveshje me shkrim sipas të cilës i njëjti është në cilësi të bashkëpunëtorit të jashtëm ku gjatë kësaj bisede ky person e kishte njoftuar se kanë gjetur kontrata me emrin dhe nënshkrimin e tij në disa tenderë-projekte të ndryshme për të cilat deklaron se nuk ka qenë fare në dijeni.

    Pas disa ditëve deklaron se kishte pranuar një email nga Avonet ku ishin të bashkangjitura të gjitha dëshmitë rreth kontratave për të cilat i kishin shpjeguar përmes telefonit paraprakisht.

    Ai deklaron se pasi kishte filluar t`i analizoj dokumentacionet ka vërejtur se aty ishte kontrata e vitit 2019 ku ndryshimi ishte bërë vetëm në fletën e fundit ku nuk figuronte nënshkrimi i tij por i dikujt tjetër, e cila fare lehtë mund të verifikohej meqë e kishte kontratën origjinale.

    “Pastaj kontrata tjetër e cila si datë fillestare ishte e njëjtë me kontratën e vitit 2019 mirëpo kohëzgjatja deri në vitin 2020, e po ashtu përpos nënshkrimit ishte ndryshuar edhe natyra e punës si bashkëpunëtor i jashtëm në Udhëheqës dhe menaxher i projekteve si dhe orari i punës tetë orë në ditë. Tutje deklaron se për të gjtiha projektet ku Bujari kishte aplikuar, i njëjti nuk ishte fare në dijeni ngase nuk ishte informuar dhe asnjë dokument nuk ishte nënshkruar nga ana e tij”, thuhet më tej në deklaratën e tij në prokurori. 

    Me të zbuluar këtë, Vranovci nuk kishte biseduar më me Shabanin. Ishte nisur për ta denoncuar në Prokurorinë Themelore të Ferizajit.

    Lidhur me akuzat, për inxhinierin Arben Vranovci, biznesmeni Shabani ka deklaruar para prokurorit se Vranovcin e kishte punësuar si zyrtar të kompanisë “Bageri”. Ai madje deklaronte se edhe ka kontrata të nënshkruara me të.

    “Vranovci ka punuar si inxhinier nga viti 2011 apo 2012 si bashkëpunëtor i jashtëm deri në vitin 2020 ngase i njëjti jeton jashtë Kosovës dhe se asnjëherë nuk ka qenë në mbikëqyrje të projekteve”, thuhet në deklaratën e Shabanit.

    Ndërsa kur është pyetur për pretendimet e Vranovcit për mashtrim, Shabani ka pohuar se “detajet nuk i di ngase janë kompani e madhe. Dhe kemi vëllim të madh të punëve”.

    Çka deklaroi në prokurori zyrtarja e komunës dokumentacioni i së cilës dyshohet se u keqpërdor nga “Bageri”

    Viktimë tjetër e Shabanit ishte edhe gjeodetja Violeta Aliu-Bislimi.

    Ajo kishte pasur një marrëveshje me kompaninë “Bageri” që të angazhohej si inxhiniere e përcjellës së projekteve nga vitit 2017 deri në vitin 2019.

    Kishte lënë punën në këtë kompani meqë ishte punësuar si zyrtare në Komunën e Ferizajit.

    Lidhur me rastin gjeodetja Violeta Aliu kishte deklaruar para prokurorit se nuk ka qenë në dijeni se dokumentacioni i saj kishte vazhduar të përdorej edhe pasi që i kishte përfunduar kontrata.

    Për këtë ishte njoftuar nga organizata Avonet. Të njëjtëve ajo u kishte kthyer email duke i njoftuar se që nga marsi i vitit 2019 nuk ka qenë më e angazhuar në kompaninë “Bageri”.

    “me datë 22.06.2020 u ka kthyer email me përgjigjen se ‘nuk është e licencuar dhe se nuk di asgjë më tepër se ku dhe si e ka përdorë licencën e saj kompania Bageri por nëse e ka përdorë pas datës 20.03.2019, e ka përdorë pa lejen e saj’”.

    Ajo e kishte shkëputur kontratën me 20 mars 2019.

    “Lidhur me kontratën mes saj dhe kompanisë Bageri me pronar Bujar Shabani, e njëjta ka deklaruar se afati i rregullt ka qenë deri me datë 31.12.2019 dhe pas nënshkrimit të saj me datë 01.03.2019 menjëherë pas pak ditësh është dashur të vërtetojnë dokumentacionin tek noteri ndërsa me datë 20.03.2019 e njëjta ka bërë shkëputje të kontratës të cilën dëshmi edhe e ka ofruar origjinale e për të cilën deklaron se meqë e njëjta ka qenë marrëveshje interne mes dy palëve, nuk është e protokolluar apo regjistruar në ndonjë libër të kompanisë”, thuhet në aktakuzë.

    “Sa i përket përdorimit të dokumentacionit të saj nga ana e kompanisë Bageri për të ofertuar në projekte tenderuese pas shkëputjes së kontratës-marrëveshjes, që ka të bëj me shkollimin pra diplomat, CV-të, referencat si dhe kontratën e lidhur mes tyre, e njëjta ka deklaruar se nuk ka qenë fare në dijeni”, thuhet në aktakuzë.

    Por para hetuesve është deklaruar edhe vetë i akuzuari Shabani. Ai ka thënë se në të dy projektet ka ofertuar me dokumentacion të njëjte, duke prezantuar si gjeodete Violeta Aliun, menaxher të projektit Arben Vranovcin si dhe inxhinier të tjerë.

    Sa i përket Violeta Aliut deklaron se e njëjta ka filluar punën në kompaninë e tij diku në vitin 2017 ose 2018 dhe se kontrata e fundit e punës me të është lidhur me datë 03.03.2019 në kohëzgjatje prej prej 1 mars deri me 31 dhjetor të po atij viti.

    Ai thotë se kontrata ishte nënshkruar me mundësi vazhdimi.

    “Me mundësi vazhdimi si gjeodete me orar pune 8 orë në ditë me pagë prej 300 euro, ndërsa meqë e njëjta në vitin 2019 është punësuar në KK Ferizaj, me të njëjtën kanë përpiluar një Aneks kontratë e cila mbanë datë 05.03.2019 ku sipas tij janë ndryshuar pikat 7 dhe 8 që ajo të punoj si bashkëpunëtore e jashtme, ashtu që të njëjtën e ka prezantuar në projekte me dokumentacion të kompletuar”, thuhet në deklaratën e Shabanit para prokurorit.

    Ai madje deklaron se nuk ka pasur njoftim për shkëputje të kontratës me Violeta Aliun.

    “Lidhur me dokumentin Njoftim për shkëputje të kontratës mes tij dhe Violeta Aliut, i njëjti ka deklaruar se në këtë dokument është nënshkrimi i tij me faksimil por që nuk i kujtohet të ketë bërë shkëputje të kontratës me shkrim me Violeten e as që të jetë njoftuar gojarisht lidhur me këtë, e po ashtu e njëjta figuron në listën e punëtorëve të datës 03.08.2019 meqë nuk ka pas dijeni për shkëputje të kontratës dhe se dokumenti në fjalë përpilohet në zyrën e prokurimit në kompaninë e tij nga zyrtari përgjegjës”, thuhet në aktakuzë. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark