×
Insajderi

Dhëndri i arrestuar i Liburn Aliut “luftonte” ashpër korrupsionin, hajnat, mafinë e ndërtimit… në Facebook

Insajderi
21 September 2022 - 12:24
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në mesin e shtatë të arrestuarve në rastin “Brezovica” është edhe asamblisti i Vetëvendosjes, Berat Lahu i cili ka lidhje familjare me ministrin e MMPH, Liburn Aliu. Ai është i martuar me motrën e ministrit Aliu.

Afërsia e tyre familjare ka bërë që Berat Lahu të dyshohet për veprën penale “Ushtrim të ndikimit”, që sipas Kodit Penal të Kosovës mund të dënohet me gjobë ose 1 deri në 8 vite burg.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se ai është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

Berat Lahu tani është duke u hetuar për ushtrim te ndikimit tek personat zyrtar për vendimmarrje. Dikur kishte bërë thirrje që me Lëvizjen Vetëvendosje do të luftohet krimi e mafia e ndërtimit. E për krim në ndërtim pa leje në zonat e Brezovicës ai po hetohet.

“Votoje Lëvizjen VETËVENDOSJE! për t’u siguruar që Prishtina e Kosova nuk kthehen mbrapa te krimi e mafia e ndërtimit” kishte shkruar ai.

“I nderuar qytetar i Prishtinës,
me 14 Nëntor voto numrin 144 dhe Arben Vitinë.
Votoje Lëvizjen VETËVENDOSJE! për t’u siguruar që Prishtina e Kosova nuk kthehen mbrapa te krimi e mafia e ndërtimit.
Voto që Qeverisja Kurti të ketë më të lehtë!”, kishte shkruar në një status në Nëntor të vitit 2021.

Po ashtu në tetor të 2021 kishte shkruar se me Lëvizjen Vetëvendosje krimi nuk kalon. Ai kishte përmendur edhe vllaun e gruas së tij, ministrin Liburn Aliu.

“Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! Krimi nuk kalon!
Me sqarimet e sotme projekti kriminal i NPB ndalohet.
Ministri Liburn Aliu, sqaroi në detaje Planin kriminal që mundësonte keqpërdorimin e më shumë se 200.000.000 € pasuri të qytetarëve të Prishtinës.
Faleminderit qytetarëve vigjilent të lagjes Lakrishtë në sinjalizimin e krimit shëndetësor dhe pasuror”, kishte shkruar ai në vitin 2021.

Thirrjet e tij në Facebook për t’i luftuar hajnat e zhvatësit ishin të shumta

“Qeveri kundër hajnave e kundër zhvatjes.
Qeveri nga Populli për Popullin.
Kjo është Qeveria e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Prandaj duhet votuar për Lëvizjen, për 144″, kishte shkruar ai në një tjetër sstatus.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark