×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dhuna ndaj të moshuarës- Reagon Presidenca

    Insajderi
    02 November 2022 - 20:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një rast i tmerrshëm ka ndodhur në qytetin e Pejës. Në videon e bërë virale në rrjetet sociale e media, shfaq disa infermiere në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, teksa rrahin dhe keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore një paciente.

    Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, ka lëshuar një deklaratë pas kësaj.

    Në këtë deklaratë theksohet se dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet dhe se T’i bësh cak dhune të moshuarit, krim i dyfishtë.

    “T’i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë. Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit”, thuhet në deklaratën dërguar mediave.

    Presidentja u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që rastin ta trajtojnë me prioritet.

    “E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme. Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme”, thuhet në deklaratë.

    Policia në Pejë e ka konfirmuar se punonjëset e shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, teksa nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se të dyshuarat ngarkohen me tri vepra penale dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit.

    “Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit”, tha ai.

    Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.

    Siç ka mësuar Insajderi, e moshuara është nëna e dëshmorit, Taulant Nura, i cili është vrarë gjatë luftës në betejën e qytetit të Gjakovës.

    “Kjo gruaja e sulmuar është nëna e dëshmorit Taulant Nura i vrarë në maj 99-ës në betejën e qytetit të Gjakovës, i tha ky burim Insajderit.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se dhunuesja kryesore që shihet në këtë video është Aurona Pelaj nga fshati Novosellë.

    Pelaj shihet duke e goditur me shuplaka në fytyrë, pa pikë mërie të moshuarën.

    Pamjet e rënda janë publikuar nga aktorja Kaltrinë Zeneli të martën.

    “Orenda” Sh.P.K. është një biznes privat i cili merret me aktivitetet në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.

    Aksionarë të biznesit janë Anton Rasaj, Besmir Ahmetaj, Agron Kukaj dhe Esmira Kukaj.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se ndaj dy dhunueseve është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark