×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dietologia: Ndryshimi i stilit të ushqyerit para Ramazanit, rrezikon shëndetin

    Insajderi
    27 February 2023 - 13:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Për më pak se një muaj pritet të fillojë muaj Ramazan, në të cilin besimtarët e fesë islame agjërojnë prej lindjes deri në përendim të diellit.

    Privimi i menjëhershëm nga konsumimi i pijeve dhe ushqimeve për një periudhë të konsiderueshme të ditës për mund të jetë i vështirë, ndaj edhe disa agjërues fillojnë “stërvitjen’ e organizmit para ardhjes së Ramazanit.

    Në një prononcim për Insajderin, dietologia, Vala Pupovci, ka thënë se aplikimi i një stili të ri të të ushqyerit para fillimit të këtij muaji nuk është i shëndetshme.

    “Disa njerëz mund t’a shohin Ramazanin si mundësi për të mbajtur një dietë, dhe si rrjedhojë e kësaj, të konsumojnë ushqim me sasi të tepruar paraprakisht, me “pretekstin” se nuk do të konsumojnë sasi të madhe të ushqimit e pijeve gjatë muajit të Ramazanit. Megjithatë, një veprim i tillë mund t’a bëjë më të vështirë adaptimin e trupit me sasinë më të ulët të ushqimit, dhe si pasojë mund të vërehet një ulje e madhe e nivelit të energjisë gjatë ditës.

    Teksa ka treguar se edhe sasia e ushqimit që konsumohet duhet të jetë e njëjtë si para fillimit të agjërimit.

    Përgjithësisht, mënyra e të ushqyerit para Ramazanit nuk duhet të ndryshojë shumë nga mënyra e të ushqyerit gjatë Ramazanit. Sasia e ushqimit gjatë këtij muaji, njëjtë si edhe para muajit të Ramazanit, megjithatë është mirë të jetë e kontrolluar, si dhe lloji i ushqimit të jetë i përzgjedhur”, ka thënë ajo.

    Pupovci ka thënë se reduktimi i ushqimit në mënyrë sistematikë mund të mos funksionojë pozitivisht për të gjithë ata që pretendojnë të agjërojnë.

     “Shumica e njerëzve thonë se probleme me urinë kanë vetëm, 2 apo 3 ditët e para të Ramazanit, derisa të adaptohen. Pra, disa njerëz mund t’a shohin të arsyeshme të parapërgatiten disa ditë para Ramazanit duke reduktuar sasinë e ushqimit në mënyrë graduale, në mënyrë që t’a kenë më të lehtë menaxhimin e urisë gjatë agjërimit. Gjithsesi, kjo është një mënyrë që mund të funksionojë për disa njerëz”, ka deklaruar dietologia.

    Sipas saj, përveç agjërimit, mbajtja e dietës në këtë muaj mund të sjellë pasoja shëndetësore.

    “Është e kuptueshme se koha e limituar kur lejohet konsumimi i ushqimit gjatë Ramazanit, e bën më të vështirë konsumimin e sasive të mëdha të ushqimit, si dhe shujtave më të shpeshta. Megjithatë, kur kjo bëhet në mënyrë të qëllimshme, dhe sasia e ushqimit limitohet aq shumë, sa një person nuk merr kaloritë apo lëndët tjera ushqyese minimale ditore për të mbështetur funksionet trupore, atëherë kjo mund të sjellë disa dëme shëndetësore.

    Një prej tyre mund të jetë energji shumë e ulët gjatë ditës, si rrjedhojë e uljes së madhe së shtypjes së gjakut apo nivelit të sheqerit në gjak apo mungesë e lëndëve ushqyese si vitaminat dhe mineralet. Njëkohësisht, mund të shfaqen probleme me tretjen – kapsllëkun si pasojë e marrjes jo të mjaftueshme të ushqimeve që janë të pasura me fibra”, ka deklaruar ajo.

    Pupovci ka thënë se konsumimi i syfyrit është më i rëndësishëm sesa praktikat e lartëcekura.

    “Ajo çka është më me rëndësi është konsumimi i një Syfyri i cili ka komponentë që ndikojnë në ngopje dhe hidratim. Këto komponentë janë ushqimet e pasura me proteina, ushqimet e pasura me fibra, si dhe ushqimet e pasura me yndyrë dhe gjithsesi uji, çaji apo pijet tjera pa kalori. Kur shujta e Syfyrit është e bollshme, si dhe e pasur me këto komponentë, menaxhimi i urisë dhe etjes sigurisht që do të jetë më i lehtë”, ka përfunduar dietologia.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark