×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dy herë i dënuar e shtatë herë në burg – E kaluara kriminale e Ekrem Rexhepit të arrestuarit për dhunimin e 11-vjeçares

    Insajderi
    02 September 2022 - 12:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ekrem Rexhepi, para se të arrestohet për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, ka qenë edhe shtatë herë të tjera në burg. Gazeta Insajderi sjell detaje të dosjes së tij nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

    26 vjeçari Ekrem Rexhepi, ka qenë i dënuar dy herë nga shteti. Një herë ishte dënuar në dhjetor të vitit 2020, me gjashtë muaj burgim me kusht dhe me një gjobë prej 300 eurove për dhunë në familje. Dhe një herë për vjedhje të rëndë. Për këtë vepër ka vuajtur dënimin me burgim prej një viti, si dhe ka paguar gjobën prej 400 eurove.

    Qysh nga vitit 2007 e gjerë në 2022-tën, Rexhepi u arrestua dhe u dërgua në mbajtje plot 7 herë.

    Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi ka dhënë detaje për Gazetën Insajderi, rreth rasteve në fjalë.

    Rexhepi u mbajt në Qendrën Korrektuese në Lipjan katër ditë në vitin 2007-të, këtë herë për veprën “Aksident Trafiku”.

    Për veprën “Vjedhje e rëndë”, Rexhepi u kthye në burg pas 6 vitesh përsëri. Në qendër u mbajt për 2 muaj e 29 ditë.

    Ndërkaq, 136 ditë të tjera i njëjti i kaloi në mbajtje për veprën “Vjedhje Grabitqare”.

    “Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 12.07.2007 deri me 16.07.2007 për Veprën Aksident Trafiku dhe në këtë institucion ka qëndruar 4 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 23.05.2013 deri me 21.08.2013 për Veprën Vjedhje e rëndë në tentative dhe në këtë institucion ka qëndruar 2 muaj e 29 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 22.12.2017 deri me 07.05.2018 për Veprën Vjedhje Grabitqare dhe në këtë institucion ka qëndruar 136 ditë”, ka deklaruar Gashi.

    Për të njëjtën vepër, Rexhepi u dërgua në mbajtje edhe plot 56 ditë të tjera.

    Veprën penale “Vjedhje Grabitqare”, Rexhepi e kishte kryer sërish pas tre muajsh. Ishte dërguar sërish në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku kishte qëndruar 21 ditë.

    Por i njëjti nuk ndaloi me aq, vetëm dy vite pas lirimit, Rexhepi u kap sërish duke vjedhur. Për këtë vepër, ai ishte mbajtur në paraburgim katër ditë në Prishtinë.

    Veprën e fundit penale, para dyshimit për dhunim, Rexhepi e ka kryer në janar të këtij viti.

    Këtë herë, për vjedhje të pyllit, vepër për të cilën kishte qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë për 31 ditë.

    “Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 19.10.2018 deri me 09.11.2018 për Veprën Vjedhje Grabitqare dhe në këtë institucion ka qëndruar 21 ditë. Ka qenë në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë nga Data 09.03.2020 deri me 13.03.2020 për Veprën Vjedhje dhe në këtë institucion ka qëndruar 4 ditë.Ka qenë në Qendrën Korrektuese Smrekonicë nga Data 28.01.2022 deri me 28.02.2022 për veprën Vjedhje dhe Vjedhje e pyllit dhe në këtë institucion ka qëndruar 31 ditë. I njëjti nga 28.08.2022 është në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë, i dyshuar për veprën aktuale dhunim”, thuhet në përgjigjet e Gashit për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark