×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Rasti që tronditi vendin – Dështimi i shtetit për ta mbrojtur 11 vjeçaren, që u raportua e zhdukur para dy muajsh, e u dhunua të shtunën nga pesë persona

    Insajderi
    01 September 2022 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lajmi se një i 11 vjeçare u dhunuar seksualisht për shtatë orë ditën e shtunë në Prishtinë, nga pesë persona tronditi opinioni publik në Kosovë. Më tronditës del fakti se shteti ka qenë i njoftuar se para dy muajsh e njëjtë vajzë e mitur kishte qenë viktimë. Ajo ishte raportuar e zhdukur nga familja e saj, dhe pasi policia e kishte gjetur ishte dërguar në strehimore. Dyshohet se gjatë kohës sa ishte e zhdukur, brenda natës është dhunuar nga gjashtë persona. Por prokuroria nuk dha asnjë informacion për të intervistuar apo të arrestuar lidhur me këtë rast. Për dhunimin e të shtunës, janë arrestuar pesë personat, dy prej të cilëve të moshës madhore e me raste penale, dhe tre të mitur. Deri tash janë dhënë dy dorëheqje zyrtare, por rasti nuk është sqaruar deri në fund

    Tmerri i dhunës seksuale ndaj 11 vjeçares, nuk ka nisur në natën e 27 gushtit, kur për shtatë orë ishte dhunuar nga pesë persona, dy prej të cilëve të moshës madhore. Ajo dyshohet se është keqpërdorur seksualisht e kishte qenë viktimë e trafikimit edhe në muajin qershor.

    Insitucionet e shtetit ishin vënë në dijeni nga familja se vajza 11 vjeçare, ishte zhdukur me 21 qershor.

    Në natën e 21 qershorit, ajo ishte takuar me një person të moshës madhore në një kafene të lagjes ku jeton, në Prishtinë dhe se nga aty kishin vazhduar në një motel në rrethinë.

    Sipas deklaratës së të miturës, detaje prej të cilës ka siguruar Periskopi, në motel kishte shkuar edhe një person tjetër. Pastaj, të dy e kishin dorëzuar tek persona tjerë.

    Dyshohet se gjatë kohës sa ishte e zhdukur, viktima është keqpërdorur seksualisht nga gjashtë persona të moshës madhore brenda natës. Abuzimi dyshohet të ketë ndodhur në lokacione si Prishtinë, Orlloviq e Fushë Kosovë.

    Prokuriaria e Prishtinës, e ka konfirmuar sot se prokurori kujdestar nga departamenti për të mitur kishte nisur hetimet për rastin, por nuk ka njoftuar për asnjë të intervistuar apo arrestuar.

    “Ju njoftojmë se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur,  me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore”, thuhet në njoftim të prokurorisë.

    “Në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë. I njëjti ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet”, thuhet në njoftim.

    Mësohet se e mitura nuk ka qëndruar shumë gjatë në strehimore, pasi që vullneti i prindërve por edhe i vajzës ishte që të kthehej në shtëpi.

    Derisa Policia e Kosovës, ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Insajderi, për të dhënë informacione lidhur me rastin se deri ku kanë shkuar hetimet dhe pse nuk ka ende asnjë të arrestuar.

    Dhunimi i të miturës për 7 orë nga pesë persona

    Pasditën e së shtunës, e mitura 11 vjeçare u përdhunua për shtatë orë nga pesë persona, dy prej të cilëve të moshës madhore të njohur për organet e rendit edhe për vepra tjera penale, e tre tjetër të mitur.

    Kjo ngjarje e tmerrshme dyshohet se nisi në parkun e lagjes Arbëria e më pas në disa lokacione tjera. Nën dyshimin e bazuar se kryen aktin çnjerëzor të keqtrajtimit seksual të të miturës u arrestuan Ekrem Rexhepi, Shkëlqim Kamberi,  Xh. S., G. J. dhe Zh.S., shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas dëshmisë rrënqethëse të viktimës dhënë në policinë e Kosovës, gjithçka ndodhi derisa ajo ishte në park, ku ishin afruar tre personat, të cilët kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, e derisa ajo po ecte kanë filluar edhe ta preknin.

    “Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj”.

    “Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri”, thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria.

    Nuk kishte përfunduar këtu. Ekrem Rexhepi kishte arritur me veturë pasi ishte thirrur në telefon nga vëllau i tij i mitur. I njëjti kishtë shkuar tek vendi i ngjarjes me veturën Pickup, prej ku e kishte marrë të miturën për tu larguar në një vend të panjohur.

    “E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës…, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën”.

    “Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

    Pas orëve të tmerrit që përjetoi, në mesnatë vajza u gjetë në gjendje të rënduar emocionale, dhe bashkë me nënën e saj e lajmëroi rastin në polici, ku në detajë tregoi se çfarë i kishte ndodhur.

    Policia për këtë akt mizor arrestoi Ekrem Rexhepin, Shkëlqim Kamberin,  Xh. S., G. J. dhe Zh.S.. Ndaj tyre u caktua masa e paraburgimit prej një muaji, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në datën kur ka ndodhur dhunimi, Ekrem Rexhepi ka postuar në llogarinë e tij në Tik-Tok një video në makinën e tij të tipit Pick Up, në të cilen sipas Prokurorisë dyshohet se ka ndodhur krimi.

    E kaluara kriminale e Ekrem Rexhepit

    Ekrem Rexhepi e Shkëlqim Kamberi, nuk ishin të panjohur për organet e drejtësisë. Ndaj tyre rëndojnë edhe vepra të tjera penale, si “Dhunë në familje”, “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e pyllit”.

    26 vjeçari Ekrem Rexhepi, ishte dënuar në dhjetor të vitit 2020, nga Themelorja e Prishtinës me gjashtë muaj burgim me kusht dhe me një gjobë prej 300 eurove për dhunë në familje.

    Ai kishte tentuar ta sulmonte babain, motrën dhe vëllain e tij.

    Rasti i dhunës kishte ndodhur më 30 mars të 2020-s, derisa pas fjalosjes me ta, Ekrem Rexhepi i kishte kërcënuar se nëse nuk ia gjejnë 2 mijë e 500 euro do t`i lë në karrocë.

    “I pandehuri, për shkak të mosmarrëveshjeve me të dëmtuarin-babanë e tij H.R., lidhur me fjalosjen në mes të pandehurit dhe motrës e vëllait të tij dhe tentim sulmin ndaj të njëjtëve nga ana e të pandehurit, në atë momente ka ndërhyrë i dëmtuari H… duke e penguar të pandehurin, mirëpo i njëjti tenton ta godas edhe të dëmtuarin, ndërsa e ndaluan bashkëshortja dhe djali i të dëmtuarit..”.

    “…atëherë i pandehuri ishte bërë nervoz dhe e kërcënoi të njëjtin me këto fjalë kërcënuese „Deri nesër në ora 15:00 i dua 2500€, ose do të këpus në mes dhe do të lë në karrocë“, „ty dhe E… do t’ju lë në karrocë, më lironi shtëpinë dhe nuk të intereson çka bëjë unë“, thuhet në aktgjykim e siguruar nga RTV Dukagjini.

    Tjetër vepër penale për të cilën ai u dënua me vendim të plotfuqishëm, ishte vjedhja e rëndë. Për këtë vepër ka vuajtur dënimin me burgim prej një viti, si dhe ka paguar gjobën prej 400 eurove.

    Në tri rastet e tjera të cilat gjithashtu kishin të bënin me veprën penale të vjedhjes, ai ishte liruar nga akuza.

    E kaluara kriminale e Shkëlqim Kamerit

    Shkëlqim Kamberi ishte arratisur pas përdhunimit të të miturës. Por nuk ishte pishman për krimin e kryer. Ai në rrejtet sociale kishte postuar

    Qëndroi në arrati për dy ditë derisa u dorëzua nga babai i tij në polici. Babi i tij tha se kur e kuptoi se është shpallur në kërkim, doli për ta kërkuar derisa e takoi në fshatin Koliq.

    “Ma mirë me qenë të dekt, se të gjallë. Shkelqimi s’ka qenë në shpi, se kom ditë ku osht. Unë vet e kom dorëzu në Polici. Në Koliq e kemi taku. Kena dalë me lyp edhe na ka dalë në udhe përpara”, përfundoi babai i të dyshuarit.

    Kameri nuk është i panjohur për organet e drejtëisë. Ndaj tij rëndojnë tri aktakuza që i janë të ngritura më herët për vepra penale. Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje, përdorim të armës dhe për sulm.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur për Insajderin se aktakuza e sulmit, është regjistruar në gusht të këtij viti.

    “Lidhur me të pandehurin SH.K ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda me datë 30.09.2021 është e regjistruar aktakuza me të cilin i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’ nga neni 367 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu për të njëjtin ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal me datë 02.08.2022 është e regjistruar aktakuza me të cilin i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale Sulmi nga neni 184 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

    “Ma mirë me m’myt mu, mos me kanë gjallë” , reagimet e familjarëve të të dyshuarve

    Një familjar i dy vëllezërve të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares, ka thënë se familja ndihet shumë keq për ngjarjen që tronditi Kosovën.

    Ai tha se për rastin e dhunimit të 11-vjeçares, dy djemtë e tyre nuk e kanë njoftuar asgjë familjen, dhe se për rastin dëgjuan nga avokati.

    “Tash janë në paraburgim. Shumë keq e kemi gjendjen, ne si familje e nijmë vetën shumë keq…Për rastin na ka njoftu avokati të dielën në mëngjes”, tha ky familjar për Express.

    Kurse babai i Shkelqim Kamerit, tha se familja është në gjendje shumë të keqe pas këtij rasti. Ai fajin ia la shoqërisë së të birit, duke ia uruar vetes vdekjen.

     “Ma mirë mos kofsha hiç, ma mirë me m’myt mu, mos me kanë gjallë se që jom prind. Unë vet e kam dorëzu Shkelqimin në Polici. Ai s’ka qenë djalë problematik, i urtë, punëtor, e morën në qaf tjetër kush, e na morën në qafë edhe neve, tri shpi na kanë blloku krejt. Mos vet. S’kom me gjetë avokat, me çka pagu, punët ligshtë. Me një rrogë tetë anëtarë“, tha ai për Sinjalin, transmeton Gazeta Insajderi.

    Dy dorëheqje pas përdhunimit të 11 vjeçares

    Të paktën dy zyrtar të lartë kanë dhënë dorëheqje pas rastit të përdhunimit të 11 vjeçares.

    Të marten Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. E që sipas tij, kjo kërkesë ka ardhur pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares.

    “Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, tha Svecla atë ditë.

    Kurse të mërkuren derisa në rrugët e kryeqytetit po protestohej kundër dhunës ndaj vajzave e grave, Shërbimi Korrektues i Kosovës, njoftoi se ka dhënë dorëheqje Ali Gashi, Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

    Sipas SHKK’së, dorëheqja e Gashit ka ardhur si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

    “Pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares, si akt moral jep dorëheqje  Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, z. Ali Gashi. Dorëheqja ka ardhur si akt moral i z. Gashi, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale. Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Megjithëkëtë asnjëri nga të dorëhequrit nuk kanë dhënë më shumë detaje të dështimit për të mbrojtur vajzën 11 vjeçare.

    Mijëra protestues kërkuan mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të mërkurën mbajti protestën në mbrojtje të vajzave dhe grave në Kosovë.

    Pozitivisht thirres për të protestuar iu përgjigjën mijëra qytetarë, duke përfshirë aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, mjekë, këngëtarë, dhe disa politikanë. Po nuk u lejuan të marrin pjesë zyrtarët e shtetit, pasi sipas organizatoreve, ata duhet të mbahen përgjegjës për krimet që po u ndodhin vajzave e grave.

    Pjesëmarrjës të shumtë në prostestë ishin edhe fëmijë, të cilët me pankarta në duar kërkonin të mos “mos u mbyteshin ëndrrat”.

    “Nanë, ma vodhën fëmijërinë nga duart e mia t’vockla”, “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”, “Jo, do të thotë Jo”, “Edukoje djali”, “Gra armatosuni”, “Dhuna s’ka arsyetim”, “Përdhunuesit në burg”, ishin vetëm disa nga frazat që ato mbanin në dorë, si protestë kundër dhunës seksuale ndaj 11 vjeçares, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gjatë protestës në dyert e objektit të qeverisë së Kosovës, gratë e vajzat kërkuan që të ju lejohet me ligj përdorimi i sprejit.

    “A mundeni me marrë këtë zotim, që sapo të fillojë punimet Parlamenti i Kosovës, qekjo çështje ka me u ngritë prej Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë javës, nesër pasnesër ne e dojmë një përgjigje. Nuk e kemi, qetu na keni çdo ditë, bile-bile nuk kemi me qenë më të qeta e të sjellshme. Na është bërë boll”, tha protestuesja.

    Protestuesit duke kërkuar drejtësi kundër viktimave të dhunës seksuale, hodh edhe ngjyre e kuqe në institucionet kryesore duke aluduar se ato “institucionet i kanë duart me gjak”. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark