×
  • Lajme
  • Sport
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Dyshime për korrupsion- Ndërrimi i barit në “San Siro” kushtoi 800 mijë euro më lirë sesa në “Fadil Vokrri”

    Insajderi
    01 April 2024 - 12:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Veç 800 mijë euro më pak se institucionet e Kosovës paguajtën klubet milaneze për shtrimin e barit hibrid. Ndërkaq, Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Ministrisë së Kulturës i kushtoi 1.3 milion për shtrimin e këtij lloji të barit në “Fadil Vokrri”, që pritet të kryhet para ndeshjeve të “Ligës së Kombeve” në shtator.

    Përveç kostos më të lirë, menaxhmenti i klubeve italiane e shtroi barin edhe në një afat më të shkurtër kohor. Pra, për 10 ditë. Ndërkaq, në komunikatën e FFK’së u tha se punimet do të jenë për “disa muaj në vazhdim”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Punimet e kësaj fushe do të vazhdojnë me intensitet të lartë për disa muaj në vazhdim, derisa ndeshja e parë në fushën e rinovuar pritet të zhvillohet në korrik”, thuhej në njoftimin e FFK’së për fillimin e punimeve, ku për t’iu bërë promocion punëve ishin Agim Ademi e Hajrulla Çeku.

    Kontrata për realizimin e punimeve për ndërrimin e barit klubeve prestigjioze milaneze iu kushtoi vetëm 500 mijë euro. Në anën tjetër, Agim Ademi me Hajrulla Çekun me anë të një kontrate një burimore i “derdhën” 1.3 milion euro nga buxheti i shtetit. 800 mijë euro më shtrenjtë sesa dy klubet me histori të gjatë në futbollin evropian.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, për këtë ka ngritur dyshime për kontratën një-burimore të arritur për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

    Haxhiu me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se kontrata një-burimore për fushën me bari sintetik hibrid kushton 1.3 milion euro. Teksa sipas tij në çmimet e tregut s’kushton më shumë sesa 270-300 mijë euro.

    “Ministri duhet te tregoj për kontratën një burimore për fushën me bari sintetik hibrid në vlerë 1.3 milion qe në çmimet e tregut nuk kushton me shumë se 270-300 mijë euro. Unë e kam ngritur në Kuvend këtë zhvatje, vjedhje, korrupsion të Qeverisë dhe kam kërkuar që Prokuroria të hetoj këtë rast, ku u “tretën” 1 milion euro me kontratën një burimore?”, ka deklaruar ai.

    “Si u transferuan paret nga MKRS në OJQ dhe si u formua komision i përbashkët MKRS-FFK, me qëllim zhvatjen e 1 milion eurove”.

    “Degradim i sportit, keqpërdorime, zhvatje, dështime në infrastrukturën sportive, dështime në organizim, dhunë fizike edhe në garat e fëmijëve – kjo është pasojë e keqmenaxhimit që po ndodh në sektorin e sportit”.

    Insajderi raportoi më herët se Zyra Kombëtare e Auditimit në pasqyrimin financiar të FFK-së për vitin 2021 njoftonte se buxhetit të federatës i kishte kushtuar për një vit 35,278 euro mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri”. Kjo shifër është më e ulët sesa shpenzimet e internetit (29,863 euro) dhe telefonit (25,943 euro) bashkë përbrenda Federatës.

    Ademi dhe Çeku filluan të reflektojnë pas një sërë kritikash që Kosova mori lidhur me gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”.

    Gjendja e fushës i kishte rënë në sy edhe yllit kosovar që luan në kombëtaren e Zvicrës, Xherdan Shaqiri. Ai e kishte quajtur fushën “turpi i botës”.

    “Shpresoj që një ditë Kosova të kualifikohet. Duhet të ketë ambient të mirë mes lojtarëve. Të rregullohet stadiumi, sepse është turp të shikojë bota atë fushë. Dhe kur të rregullohen këto gjëra të vogla, Kosova do të kualifikohet, sepse ka shumë futbollistë të talentuar”, deklaronte ai pas ballafaqimit të Zvicrës me Kosovën në Basel. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark