×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Ekskluzive: Dështimi i ATK-së, “Revolucionarët” e 14 shkurtit zhdukin rreth 40 milionë euro

    Insajderi
    29 July 2022 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Administrata Tatimore e Kosovës gjatë vitit të kaluar dhe pjesës së parë të 2022’ës ka dështuar në mbledhjën e borxheve të vjetra. Gazeta Insajderi, ka zbuluar se rreth 40 milionë euro janë zhdukur nga 14 shkurti e deri më tash, si pasojë e dështimit në mbledhjën e tatimit.

    Kur “revolucionarët”, morën pushtetin më 14 shkurt të vitit të kaluar premtuan se mbledhja e taksave do të jetë e lehtë dhe e shpejtë. E ngjashme me shpërndarjën e vajit në tepsi. Haraçi ndaj bizneseve, i aplikuar nga regjimi i kaluar, kishte ndikuar në mos pagesë të taksave, sipas tyre.

    Mirëpo nga data 14 shkurt e vitit të kaluar e deri më sot më 29 korrik situata është e ngjashme për sa i përket mbledhjës së taksave. E ngjashme me kohën e PAN’it të krimininalizuar.

    Gazeta Insajderi, ka zbuluar se Administrata Tatimore e Kosovës ka dështuar në mbledhjën e tatimeve të bizneseve, përgjatë tërë kohës së “revolucionit”, të 14 shkurtit.  Rreth 40 milionë euro janë zhdukur.

    Rregullativa ligjore parasheh zhvleftësimin e një borxhi tatimor, nëse shteti nuk arrinë ta inkasojë atë brenda gjashtë viteve. Një ditë pasi të kalojnë gjashtë vite, Administrata Tatimore detyrohet që t’ia fshijë biznesit borxhin nga sistemi.

    Gazeta Insajderi, ka siguruar raporte të sakta që tregojnë se çfarë ka ndodhur me vjetërsimin e borxheve gjatë viteve 2021 e 2022. Aty tregohet qartë me shifra se sa janë zhdukur nëpër secilin regjion.

    Vlera më e lartë e borxheve të vjetërsuara është në Prishtinë. Prizreni është i dyti ndërsa Ferizaji i treti.

    Heshtja e ministrisë për Financa dhe e Administratës Tatimore

    Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga Administrata Tatimore më datën 19 korrik. Menaxhmenti i ATK-së është pyetur se cilat kanë qenë arsyet që është lejuar vjetërsimi i borxheve.

    Po edhe pse gazeta ka pritur dhjetë ditë për një përgjigje, ku insitucion ka injoruar totalisht pyetjet rreth dy skandaleve për të cilat ka raportuar Gazeta Insajderi.

    Rregullat tatimore obligojnë që të fshihen borxhet kur kalon një periudhë 6 vjeçare.

    Por ky insitucion që drejtohet nga Ilir Murtezi nuk është përgjigjur se pse kanë lejuar që ky borxh të parashkruhet.

    Nuk kanë treguar as se çfarë masash kanë ndërmarrë si institucion që të inkasohej ky borxh dhe pse nuk kanë rezultuar të sukseshme këto masa.

    Administrata Tatimore e Kosovës, nuk ka treguar as pas dhjetë ditësh se a janë marrë masa suspenduese ndaj menaxherëve apo ndonjë zyrtari tjetër për shkak të mos inkasimit të borxhit me kohë.

    Po ashtu, Gazeta Insajderi ka kërkuar shpjegime edhe nga ministria për Financa. Më datën 20 korrik i ka dërguar pyetjet, por nuk ka marr përgjigje as pas 9 ditësh.

    Ky insitucion që drejtohet nga Hekuran Murati, nuk ka treguar nëse ka qenë në dijeni se personi me të cilin u shfaq në konferëncen për media nuk ka arritur të inkasoj të hyrat si kishte planifikuar për gjatë muajve maj dhe qershor.

    Nuk ka tragua as nëse është vënë në dijeni se ndaj administratës Tatimore të Kosovës, janë rritur borxhet që kanë pasur bizneset.

    As pas raportimeve të Gazetës as pas pyetjeve që i janë dërguar Murati nuk ka treguar nëse do të kërkojë llogari nga drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

    “…kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat”

    Kryeministri Albin Kurti më 15 korrik të këtij viti ishte krekosur për mbledhje taksash dhe i kishte dhënë qeverisë që drejton epiteten “e pakorruptuar”.

    “Kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat”, kishte pohuar Kurti më datën 11 korrik në simpoziumin Symi në Greqi.

    Kjo deklaratë e Kurtit del të jetë e pasaktë, bazuar në shifrat e raporteve të Administratës Tatimore. Bizneset nuk janë duke i paguar borxhet e tyre dhe Administra Tatimore e Kosovës është duke dështuar që t’i inkasojë borxhet e vjetra, tregojnë statistikat interne të ATK-së.

    Gazeta Insajderi ka raportuar edhe më herët për eskalimin e borxheve të bizneseve ndaj ATK-së.

    Bizneset në Kosovë tash i kanë shtetit borxh 131% më shumë sesa para dy vitesh.

    Derisa se në janar të vitit 2020 borxhi i bizneseve ndaj shtetit ishte 357 milionë, sipas dokumentacioneve interne të ATK-së që ka siguruar Gazeta Insajderi del se ky borxh ka arritur në mbi 471 milionë euro.

    E që i hedhë  poshtë të gjitha deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti se bizneset po paguajnë boxhin pasi ishin liruar nga korrupsioni, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Vetëm në Departamentin e Tatimpaguesve të mëdhenj, del se shifra e borxhit të biznesve ka arritur në 55 milionë nga 20 milionë.

    Sipas dokumenteve interene që ka siguruar Gazeta Insajderi nga ATK del se nga 79 milionë sa ishte borxhi në bizneset e “Prishtina 1”, në vitin 2022 ka arritur në 96 milionë.

    Kurse bizneset e “Prishtina 2” siç janë të ndara nga ATKnga 35 milionë në 47 milionë ndërsa në “Prishtina 3”

    Bizneset nga Gjilani nga shuma prej 29 milionë eurove ka arritur në 34 milionë euro. Derisa ato nga Ferizaj nga 39 milionë euro, i kanë borxh shtetit 49 milionë euro.

    Bizneset e komunës së Prizrenit të cilat sipas Administratës Tatimore të Kosovës, janë ndarë në dy kategori i kanë shtet borxh në total nga 44 milionë euro në 47 milionë euro.  

    Boxhi I bizneseve të Gjakovës nga 10 milionë është rritur në 12 milionë, i atyre të Pejës nga 27 milionë në 32 milionëeuro derisa bizneset e Mitrovicës nga 29 milionë në 38 milionë.

    Dokumentet interne të ATK-së që tregojnë për dështim në mbledhjen e tatimit

    ATK ka dështuar që gjatë dy muajve të arrijë targetin që i kishin vendos vetës. Gjatë muajit qershor kishin planifikuar të mblidhnin mbi 52 milionë euro tatime nga bizneset por inkasuan vetëm 42 milionë. Kurse në muajin maj nga 47 milionë sa planifikonin, kanë inkasuar vetëm 43 milionë euro.

    Pavarësisht kësaj, përmes një konference për media drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj, bashkë me ministrin Hekuran Murati, njoftonin se gjatë periudhës 6 mujore ky institucion ka mbledhur 355 milionë euro të hyra tatimore.

    Asnjëri prej tyre nuk e përmendi se në fakt borxhi i bizneseve është rritur e as se ATK ka dështuar gjatë dy muajve të arrijë targetin që i kishin vendos vetës.

    Për këtë raportoi Gazeta Insajderi.

    Sipas dokumentacioneve zyrtare të ATK-së, del se gjatë muajit qershor kishin planifikuar të mblidhnin mbi 52 milionë euro tatime nga bizneset por inkasuan vetëm 42 milionë. 

    Kurse në muajin maj nga 47 milionë sa planifikonin, kanë inkasuar vetëm 43 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por në konferencë drejtori, Ilir Murtezaj  kur fliste për “suksesin” e mbledhjes së 355 milionë euro të hyra tatimore për gjashtë muaj, meritat ia linte disa faktorëve, “si fuqizimit të kontrollit të brendshëm, efikasitetit në mbledhjen e borxheve e dixhitalizimit”

    “Si rezultat i përformancës dhe të hyrave tatimore, ATK-ja në shumë fusha është institucion lider në rajon. Gjatë periudhës 6 mujore jemi vlerësuar nga FMN-ja. ATK ndër objektivat kyçe ka pasur ofrimin e shërbimeve. Si rezultat është arritur që ATK të mbledhë gjatë 6 mujorit të hyrat mbi 355 milion euro tatime. Në krahasim me planin kemi rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 përqind”, tha Ilir Murtezaj.

    Por Murtezaj nuk e tha asnjë fjalë për dështimin e madh gjatë dy muajve në mbledhjen e tatimeve nga bizneset.

    Për këtë nuk fol as ministri Hekuran Murati. Vecse ai e lavdërojë drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj.

    “I përgëzoj ATK dhe stafin për arritjet në gjashtë mujor, po ashtu edhe tatim paguesit sepse janë ata që e  mbajnë shtetin dhe ATK-në në këmbë, secili që paguan me rregull është kontributor i këtij shteti”, tha Murati para gazetarëve përcjell Insajderi.

    Murati, madje u shpreh se për të rritur suksesin e ATK-së dhe shtetit duhet të ketë besim në institucione. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark