Sulmuesi i KF Llapit, Valmir Veliu, është shumë pranë transferimit të karrierës së tij. Veliu është në negociata me klubin turk Trabzonspor. Transferimin e tij është duke e negociuar agjenti i tij Rahman Kice, i cili ka edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë nën menagjimin e tij, raporton Insporti.com.
Veliu, 21-vjeçar, ka impresionuar trajnerin Abdullah Avcı dhe presidentin e klubit Ahmet Ağaoğlu, i cli ka dhënë dritën e gjelbër për të filluar blerjen e kartonit nga Llapi.
Në Transfermarkt, Veliu, i cili u përzgjodh në formacionin e vitit nga Federata e Futbollit të Kosovës, ka vlerën e tregut prej 400 mijë eurosh dhe mësohet se Trabzonspori, i cili me shumë gjasa do të kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, është gati të bëjë këtë investim.
Sipas burimeve të Insportit, Veliu ishte duke e negociuar transferimin e tij në klubin më të madh turk, Galatasaray por largimi i trajnerit legjendar, Fatih Terim, ka ndryshuar situatën totalisht.
Terim të hënën (dje) është larguar nga pozita e trajnerit për shkak të rezultateve të dobëta në kampioantin turk këtë sezon.
Ylli i Llapit këtë sezon ka zhvilluar 18 ndeshje duke shënuar gjashtë gola dhe asistuar gjashtë herë në BKT Superligën e Kosovës. /Insporti.com/