Insajderi
Hulumtime/Analiza

“El-Bau” hisedar në tenderin 4 milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës, ndonëse konkurruan edhe 16 operatorë të tjerë, disa me oferta më të lira

Insajderi
22 April 2026 - 15:31
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“El-Bau” hisedar në tenderin 4 milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës, ndonëse konkurruan edhe 16 operatorë të tjerë, disa me oferta më të lira
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministria e Infrastrukturës ka dhënë kontratën për ndërtimin e rrugës Korishë–Kabash, me vlerë mbi 4.1 milionë euro. Në këtë tender morën pjesë gjithsej 17 grupe të operatorëve ekonomikë. Megjithatë, kontrata iu besua një grupi operatorësh ku në kuadër të konzorciumit bën pjesë edhe kompania “El-Bau”, e cila njihet për afërsinë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në anën tjetër, një nga kompanitë konkurruese ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke pretenduar se është eliminuar padrejtësisht, ndonëse kishte ofertuar me çmim më të ulët për afro 170 mijë euro.

Gazeta Insajderi

Ministria e Infrastrukturës, më 21.04.2026, njoftoi se ka dhënë kontratën për “Ndërtimin e rrugës Korishë–Kabash, lidhja me rrugën rajonale R118 – pjesa e parë”.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, në këtë tender kanë marrë pjesë gjithsej 17 operatorë ekonomikë, ndërsa kriter për përzgjedhje ka qenë “çmimi më i ulët”.

Megjithatë, kontrata i është dhënë një grupi operatorësh ekonomikë, me vlerë 4,144,371.52 euro, ndërkohë që sipas njoftimit kishte edhe oferta me të lira duke filluar nga 3,975,358.29.

Grupi i operatorëve ekonomik që u shpërblyen me kontratë janë: ERST BAU, EL – BAU, Shkembi, Arlindi SH.P.K.

Pjesë e këtij konsorciumi, kompania “El-Bau”, njihet për lidhjet e saj me pushtetin.

Ankesa në OSHP për trajtim jo të barabartë

Lidhur me këtë tender një kompani u ankua edhe në Gjykatën e Tenderëve.

Kompania kishte kontestuar vendimin, duke pretenduar se oferta e saj ishte më e lirë dhe se ishte eliminuar padrejtësisht nga gara, duke akuzuar autoritetin kontraktues për shkelje të procedurave dhe trajtim jo të barabartë.

“Pas analizimit të këtyre dokumenteve mund të thuhet se gjatë procedurës formale të vlerësimit të tenderëve që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet prokurimi, nxjerrjes së vendimeve kontradiktore, AK nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme dispozitat ligjore procedurale dhe materiale të LPP-së për shkak se gjatë mënyrës dhe metodës se vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e përcaktuara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit dhe dispozitat ligjore që përcaktojnë kushtet dhe kërkesat e trajtimit të barabartë të OE në procesin e vlerësimit.“, thuhet në ankesë.

Aty përmendet edhe fakti që fondet publike dëmtohen për afro 170 mijë euro.

AK ka bërë shkelje edhe të Nenit 6 të LPP-së pasi është e obliguar sipas këtij Neni që të siguroj që fondet publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike, njëkohësisht duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Kjo pasi AK me këtë vendim po dëmton fondet publike në vlerë prej 169,013.23€ pasi ka rekomanduar për shpërblim me kontratë OE me çmim më të lartë njëkohësisht duke mos e përfill kriterin e vendosur në FTD si dhe Nenin 60 paragrafi 1.1. Autoriteti Kontraktues ka bërë shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 6 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili obligon autoritetet kontraktuese që të sigurojnë përdorimin sa më efikas, ekonomik dhe transparent të fondeve publike.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim duke e aprovuar atë vetëm pjesërisht, por pa e ndryshuar rezultatin final të kontratës.

Sipas vendimit, OSHP ka konstatuar se ankesa e kompanisë Fortesa ka elemente të bazuara, mirëpo në fund ka vendosur që të mbetet në fuqi njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës për dhënien e kontratës.

Kush e fitoi tenderin?

Kompania El Bau, tashmë është e njohur për publikun.

El Bau në pronësi ka afaristin Fatlum Pireva të afërt me pushtetin e VV’së.  Kompani kjo që kishte qenë pjesë e konsorciumit në tenderin për stadiumin e Gjilanit, cili përfundimisht dështoi, pasi kishte tendenca se Alban Hyseni, i përzgjodhi dostat e tij për t’iu dhënë mbi 15 milionë euro.

Jo vetëm, Pireva ishte pjesë e konsorciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë i cili ishte ngarkuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim.

Fatlum Pireva së bashku me dy persona tjerë dyshohej si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.

Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.

Sipas gjykatës, të pandehurit dhe Fatlum Pireva akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Kjo kompania ka fituar disa tendere në Gjilan dhe në institucione të tjera.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark