×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Elektro Serveri”- Rizvanolli nuk flet për revokim të licencës, shpreson në zgjidhje

    Insajderi
    01 November 2022 - 16:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për moszbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri nga kompania “Elektro Sever” ajo shpreson se marrëveshja do të zgjidhet shpejtë për fillimin e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore.

    Ndonëse për mosrespektim të afateve ligjore nga ana e “Elektro Sever”, ministrja Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, nuk ka treguar se a do t’i revokohet kësaj kompanie licenca e lëshuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Për më tepër ajo tha se ka progres në zbatimin e marrëveshjes.

    Ministrja e Ekonomisë ka folur edhe për krizën energjetike dhe për rastin e përfolur të ambasadorit Martin Berishaj për energji.

    “Sa i përket marrëveshjes ka pasur disa përparime, dhe ne kemi thënë se qeveria e Kosovës do të mbulojë devijimet deri në afatet e parapara të implementimit të marrëveshjes dhe jo më tej. Pra, e thash që ka pasur progres në zbatimin e marrëveshjes. Janë paraparë aty disa hapa, shumica prej tyre në afatin fillestar nuk kanë qenë të përmbushura nga ana e kompanisë “Elektro Sever”. Mirëpo gjatë periudhës konsultuese me palët, duke përfshirë Bashkimin Evropian ka pasur përparim dhe ne shpresojmë se palët do të jenë racionale dhe do të gjejnë zgjidhjet shpejt, në mënyrë që kjo çështje e pazgjidhur për 22 vjet të zgjidhet një herë e përgjithmonë, në mënyrë që qytetarët në katër komunat veriore të paguajnë sikur të gjithë qytetarët e tjerë”, tha Rizvanolli.

    Deputetja e LDK-së anëtare e këtij komisioni, Valentina Bunjaku ka pyetur ministren Rizvanolli për masat që mund të ketë marrë kjo ministri lidhur me rastin e ambasadorit Berishaj.

    “Qëndrimi juaj për skandalin e ambasadorit. Është fjala për ambasadorin e juaj për keqpërdorim. Fjala është për ambasadorin Berishaj në lidhje me keqpërdorimet. Po pyes edhe një herë për skandalin me Martin Berishaj dhe deklarohu që ka keqpërdor mjete. Dhe cili është qëndrimi i juaj si ministre, a keni reaguar dhe a keni marrë ndonjë masë ju si ministre”, pyeti Bunjaku.

    Për këtë pyetje Rizvanolli u shpreh e habitur, por shtoi se nëse ka dyshime do të duhej institucionet përkatëse të merren me hetimin e ambasadorit Berishaj.

    “Unë nuk e di saktësisht se për çfarë keqpërdorimi janë përfolur, si do që të jetë. Mendoj se kjo nuk është çështje e cila me përket mua dhe mandatit të Ministrisë së Ekonomisë në asnjë mënyrë. Nëse ka dyshime sigurisht që institucionet relevante do të duhej dhe besoj që janë duke u marrë me të”, tha ajo.

    Gjatë raportimit në këtë Komision, Rizvanolli nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike pas rënies së temperaturave.

    Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm.

    Megjithatë, Rizvanolli tha se situata me energji elektrike nuk pritet të lehtësohet gjatë muajve të dimrit.

    Për këtë, Rizvanolli ka arsyetuar propozim-vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, për çka kërkoi nga Komisioni miratimin e këtij propozimi.

    “Kemi kërkuar shtyrje për periudhën 30 ditore dhe tani po kërkojmë shtyrjen e dytë, duke qenë se situata nuk pritet të lehtësohet, mirëpo pritet që të vështirësohet gjatë muajve të dimrit, pasi që pritet që temperaturat të bien dhe konsumi të rritet edhe më tej. Përderisa çmimet e importit gjatë dy javëve të fundit kemi parë një ulje të çmimeve në tregun evropian, kjo si rrjedhojë e uljes së kërkesës për shkak të motit të mirë në Evropë. Mirëpo, kjo pritet të jetë e përkohshme dhe pritet që çmimet të vazhdojnë të ngriten”, theksoi ajo.

    Me këtë propozim-vendim ndalohet eksporti i peletit jashtë vendit. Komisioni pa votat e opozitës, miratoi vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike. Me propozimin e VV-së, komisioni vendosi që ky vendim të shqyrtohet në seancën e 8 nëntorit. Ministrja Rizvanolli ka folur në komision edhe për prodhimin e energjisë në vend dhe sasinë e deponimit të rrymës tepricë në Shqipëri. Sipas ministres, në përgjithësi prodhimi i energjisë ka pasur një realizim prej 101 për qind të planit të prodhimit.

    Gjatë raportimit ajo pati pengesa disa herë me kollitje për shkak të gjendjes shëndetësore, dhe kërkoi mirëkuptim nga deputetët.

    “Në përgjithësi prodhimi i energjisë ka pasur një realizim prej 101 për qind të planit të prodhimit, kjo falë gjenerimit të Termocentralit Kosova B, i cili e ka tejkaluar planin prodhues. Gjatë kësaj periudhe një pjesë e energjisë tepricë është depozituar në Shqipëri, në Korporatën Energjetike të Shqipërisë (KESH). Dhe më 28 tetor 2022, sasia e energjisë e deponuar në KESH është 136 mijë e 607 megavat orë. Më falni se jam ftohur, por nuk është COVID, kështu që mos u brengosni. Kjo do të thotë kursim i energjisë”, tha ajo.

    Megjithatë, kryetari i Komisionit Ferat Shala nuk është pajtuar me të dhënat e prezantuara nga ministrja për prodhimin e energjisë elektrike.

    “Këtu është një problem i madh, me kosto të lartë financiare dhe prodhuese. Këtu duhet të na jepni një sqarim, sepse në këto rrethana, me hyrë në remont dhe me dalë me kapacitet prodhues më pak prej 30-50 megavat më pak prodhim TC B2, nuk do të duhej që ju si institucion qeveritar ta kaloni në heshtje pa kërkuar një llogaridhënie”, theksoi Shala.

    Për këtë nuk dha shumë sqarime ministrja Rizvanolli.

    Komisioni parlamentar për Ekonomi, gjatë ditës ka miratuar edhe Projektligjin me amendamente për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky projektligj për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore, është miratuar në parim javën që shkoi në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në një seancë të re më 8 nëntor të shqyrtohet në lexim të dytë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark