×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Eskalon nepotizmi në Obiliq- Ndërmarrja lokale mbushet me njerëz të LDK’së e kushërinj të tyre

    Insajderi
    25 May 2023 - 14:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti Sh.a” ka vazhduar me avazin e punësimeve partiake edhe në konkursin e hapur së fundmi. Gazeta Insajderi merr vesh se pozita të rëndësishme i janë dhënë familjarëve të zyrtarëve të LDK’së. Parti kjo që udhëheqë në Obiliq.

    Kjo ndërmarrje ka hapur konkurs me 7 prill 2023 për pozitat si: Shofer Kategoria C, Zyrtar Ligjor, Zyrtar i Burimeve Njerëzore dhe punëtor i Autopark-it.

    Në rezultatet e bëra publike me datë 23 maj 2023, Gazeta Insajderi ka kuptuar se pesë kandidatët e pranuar në këto pozita janë shumë të afërt me LDK’në.

    Në pozitë e ‘shoferit të kategorisë C’ u zgjodh Korab Emini. Ai mori gjithsej 80.49 pikë pas testit me shkrim dhe intervistës.

    Siç merr vesh Insajderi, Korab Emini është vëllau i zyrtarës së prokurimit në Komunën e Obiliqit, Leonarda Emini.

    Ndërsa, dy kandidatët e përzgjedhura për pozitën ‘Njësia e Burimeve Njerëzore’ janë Ardiana Hasani dhe Njomza Hashani.

    Ardiana Hasani mori 88.16 pikë pas intervistës dhe testit me shkrim. Ajo është motra e drejtoreshës në Drejtorinë për Mbrojtje të Mjedisit, Fitore Hashani.

    Vlen të theksohet se Gazeta Insajderi kishte raportuar tre muaj me parë se një kontratë në vlerë prej 267 mijë eurove nga Komuna e Obiliqit iu dha vjehrrit të drejtoreshës Fitore Hashani.

    E përzgjedhura tjetër, Njomza Hashani është vajza e axhës së kryesueses së ndërmarrjes ‘Kastrioti’, Nita Hashani.

    Njomza Hashani grumbulloi 87.99 pikë pas intervistës dhe testit me shkrim.

    Për postin e zyrtarit ligjor në këtë ndërmarrje u përzgjodh Valmir Sadiku. Ai mori 81.82 pikë.

    Valmir Sadiku është nënkryetar i degës së LDK-së në Obiliq.

    Kurse për pozitën ‘punëtor i autoparkut të Ndërmarrjes’ u përzgjodh Armend Rama. Ai arriti 80 pikë.

    Armend Rama është djali axhës së udhëheqësit së njësisë së Auditimit në Komunën e Obiliqit, Besnik Rama.

    Gazeta Insajderi ka raportuar rreth dy muaj më parë për punësime tjera në pozita të rëndësishme të familjarëve të kryetarit Xhafer Gashi dhe familjarëve të zyrtarëve të partisë së tij në ndërmarrjen Publike Lokale “Kastrioti Sh.a” në konkursin e hapur në janar të 2023’ës.

    Qeveria e Kosovës në mars të 2021’ës kishte  vendosur për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti Sh.a” me aksione 100% të komunës së Obiliqit.

    Kjo kompani merret kryesisht me shërbime të mirëmbajtjes së ambientit dhe natyrës si dhe shërbime të tjera në komunitet./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark