×
  • Lajme
  • Insajderi

    Familja e veteranit të UÇK-së e pashpresë, Fondi i Sigurimit Shëndetësor konfirmon që nuk jep asnjë cent për shërimin e tij

    Insajderi
    03 August 2022 - 16:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-ushtarit të UÇK-së njëherit policit të Kosovës, Brahim Sedollit nga fshati Shirokë i Suharekës po i nevojitën 34 mijë e 600 euro për trajtimin e sëmundjes me sy që i është shfaqur. Kështu ka konstatuar njëri nga Spitalet private në Tiranë pas kontrolleve që Sedolli iu është nënshtruar ditën e djeshme. Fondi për Sigurime Shëndetësore konfirmoi se nuk do ta ndihmojnë financiarisht policin e Kosovës.

    45 vjeçari, Brahim Sedolli po vuan nga një lloj i sëmundjes së syrit që me termet mjekësore njihet si fistula. Kapilarët i kanë shpërthyer e dhimbja ka qenë marramendëse siç u shpreh vëllai i tij.

    Për të kuptuar më në detaje se çka i është thënë nga Spitali në Tiranë, Brahim Sedollit Gazeta Insajderi ka kontaktuar vëllain e tij, Ismetin. Ai u shpreh i zhgënjyer me shtetin e Kosovës derisa potencoi se fillimisht në Spitalin e Tiranës vëllait të tij për intervenim i kishin kërkuar 68 mijë euro, por me të kuptuar se është veteran e polic i Kosovës, që ka kontribuar për atdhe iu është zbritur çmimi.

    Por, pavarësisht kësaj edhe 34.600 euro janë shumë e lartë për familjen e tij.

    “Dje ka qenë i ka kryer ekzaminimet, inçizimet krejt çka duhet, analiza dhe kanë dalë në përfundim që për trajtim duhet 68.000 mijë euro, por kur vëllau ju ka tregu që është veteran, që ka qenë pjesë e UÇK-së e tash polic i Kosovës ia kanë zbrite çmimin në 34.600 euro”, ka deklaruar Sedolli për Insajderin.

    “Nuk di çka kemi me bë, shumë se lartë është  kjo shumë për ne”, u shpreh ai i dëshpëruar.

    Fondi për Sigurime Shëndetësore: S’e refuzuam kërkesën e Bedri Sedollit

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga Fondi për Sigurime Shëndetësore për të kuptuar se çfarë përgjigje i është dhënë Brahim Sedollit. Të njëjtit kanë mohuar se e kanë refuzuar kërkesën e tij, po japin një arsyetim tjetër.

    “Në lidhje me rastin ne fjalë ju sqarojmë se Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk ka refuzuar kërkesën e pacientit në fjalë, por për shkak se diagnoza referuese nga Klinika e Radiologjisë nuk është e përfshirë në listën e patologjive me diagnozat emergjente në UA 03/2017 për TMJIShP, Fondi nuk ka pasur bazë ligjore ta nënshkruaj fletëzotimin për fillimin e trajtimit mjekësor të pacientit në fjalë”, thanë për Insajderin nga FSSh.

    Aplikimi në FSSH i Brahim Sedollit

    Vëllai i tij, Ismeti gjatë ditës së sqaroi në detaje për Insajderin rastin e sëmundjes së vëllait të tij e çka i thanë në Fondin për Sigurime Shëndetësor. Madje ofroi edhe dëshmi, dokumente.

    Brahim Sedolli ka qëndruar plotë 10 ditë nëpër spitalet e Kosovës duke kërkuar ilaç për problemin e tij me sy. Pas qëndrimit 10 ditorë, sipas Ismet Sedollit gjashtë specialistë të QKUK-së i dhanë nënshkrimin për trajtim urgjent jashtë vendit.

    Si rrjedhojë, aplikuan në Fondin për Sigurime Shëndetësore duke ua paraqitur krejt dëshmitë, duke filluar nga nënshkrimi i dhënë nga gjashtë specialistët që duhet trajtim jashtë vendi, Sedolli ka ofruar dëshmi duke treguar qartazi se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e tani polic i Kosovës.

    Siç tha vëllai i tij “gjithmonë ka qenë në mbrojtje të shtetit, e tani kur tij po i duhet ndihma ia kthyen shpinën”.

    Kërkesën për mbulushmëri prej 70% të shpenzimeve për trajtim e kanë bërë me datën 27 korrik derisa me 1 gusht kanë pranuar përgjigjen negative.

    Arsyetimi sipas vëllait të policit ka qenë që nuk e mbulojnë këtë lloj sëmundje që as saktë emri nuk i dihet.

    “Gjashtë specialistët të Spitalit të Prishtinës, na kanë dhënë 6 vula për trajtim urgjent jashtë vendit dhe ne atë dokument i kemi telefonuar dy spitale të Turqisë dhe kemi aplikuar për mbulushmëri prej 70% tek Fondi për Sigurime Shëndetësore, kemi apliku me 27 korrik dhe 1 gusht na kanë refuzu për arsye që nuk kemi mundësi ne, për me trajtu këtë lloj sëmundje se nuk nuk i dinin as emrin për këtë e kanë thënë mjekët urgjentisht me u trajtu jashtë dhe këta na refuzuan. Drejtori apo zëvendësi i Fondit çka është saktë spe di, i thashë kush më jep mua llogari nëse i ndodh diçka – tha jo nuk e di, zoti ua bëftë qarën”, tha Sudolli për Insajderi.

    Për Gazetën Insajderin, dje foli edhe vet polici Brahim Sudolli. Ai konfirmoi se veç kishte marrë rrugën për Tiranë për trajtim e shtoi se nuk e ndihmoi shteti.

    “Jam në Spital të Tiranës tek doktor Petrela për intervenim. Nuk jam në Kosovë, gjithçka që ka thënë deputetja janë të vërtetë. Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar kërkesën time për trajtim jashtë vendit”, tha shkurt Brahim Sedolli për Insajderi.

    Ndërkohë ka qenë deputetja e Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës, Albana Bytyqi ajo e cila e ka bërë publik fillimisht rastin e policit Brahim Sedolli.

    Madje për refuzimin që iu bë deputetja kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

    Reagimi i plotë i deputetes:

    Refuzimi i Ministrisë për shërim jashtë vendit

    Nuk ka diçka më të dhimbshme se të shohësh një ish-ushtar të UÇK-së e që jep kontributin e tij edhe sot si polic në Policinë e Kosovës, që kërkon ndihmën e shtetit për shëndetin e tij e shteti ia mohon.

    Brahim Sedolli, veteran i luftës e polic në PK që po përballet me probleme shëndetësore i është refuzuar ndihma për shërim jashtë vendit.

    Çka me shtu më shumë kur Ministri ynë i Shëndetësisë ka harruar që ka marrë një detyrë jetike për njerëzit, dhe më shumë po e luan rolin e vëzhguesit dështak.

    Në kohën kur secili prej nesh thirret në vlerat e Policisë për çdo situatë të ndjeshme, si kjo e fundit në veri, ministri nuk po e ndihmon z. Sedolli të shërohet.

    Pasi policin e nderuar nuk e përkrah shteti ka fillu fushatën të kërkoj ndihmë nga dashamirët per shërim jashtë vendit .

    Nuk është marre me dhënë dorëheqje ministër, derisa nuk bëhet shumë vonë nga neglizhenca jote për të marrë përgjegjësi.

    Z. Brahim Sedollit i uroj shërim të shpejtë!

    Gazeta Insajderi që nga dita e djeshme ka kërkuar përgjigje zyrtare nga Minsitria e Shëndetësisë gjegjësisht Fondi për Sigurime Shëndetësore për të marrë një përgjigje zyrtare se çka iu është thënë e pse iu është refuzuar kërkesa për ndihmë.

    Gazeta Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark