×
  • Lajme
  • Insajderi

    Familjarët e Salih Mustafës nuk deklarohen pas dënimit nga Specialja

    Insajderi
    16 December 2022 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në shtëpinë e komandantit të UÇK-së Salih Mustafa, në periferi të Prishtinës lëvizjet janë të pakta.

    Asnjëri nga familjarët e tij deri tash, nuk janë deklaruar për vendimin e Dhomave të Specializuara që e dënoi Mustafën me 26 vjet burgim për krime lufte.

    Para shtëpisë po qëndrojnë disa vetura, por nuk lëvizje jashtë saj, shkruan Insajderi.

    Të vetmit që deri tash kanë folur dhe e kanë cilësuar si vendim puropolitik i ndikuar nga Serbia dhe totalisht i papranueshëm, janë xhaxhai i gruas së Mustafës dhe motra e saj.

    Bajram Sopi, xhaxhai i gruas së Salih Mustafës, tha se Mustafa nuk është fajtor, dhe se me kohën drejtësia do të vijë në vend.

    “Unë e di qëmoti, për shembull ky ka qenë pikërisht i akuzuar edhe për aspiratat e kombit tonë, ka qenë i dënuar 5 vjet prej regjimit serb. Salihu nuk është fajtor, por është diçka tjetër dhe këtu që fshihet pas saj, mundohen ta barazojnë viktimën me terrorizmin. Kështu që, ne jemi plotësisht të qetë sepse drejtësia herdokur do të vijë në shprehje dhe besojmë në pafajësinë e tij si familjar”, ka thënë Sopi.

    Ndërkaq, Kosovare Sopi, motra e gruas së Sali Mustafës, është shprehur se vendimi për dënimin e Salih Mustafës, është puropolitik dhe i ndikuar nga shteti serb.

    Tutje, Sopi ka thënë se vendimi i ditës së sotme nga Specialja, ka dëshmuar se Gjykata nuk i mbron të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

    “Bija e Sokol Sopit, babën invalid të luftës, edhe Vlora vetë është invalide e luftës, ku krejt jeta jonë familjare e po ashtu edhe e Salih Mustafës ka qenë që i ka kushtuar këtij kombi. Normalisht këtë vendim ne e kundërshtojmë dhe është vendim totalisht i papranueshëm, po shihet qartë se është vendim puropolitikë, i ndikuar nga shteti i Serbisë që lë shumë për të dëshiruar këtë vendim, absolutisht që ne nuk e pranojmë. Ne besojmë shumë në pafajësinë e Sali Mustafës, sepse njihehmi edhe nga afër, familjar e kemi, po shihet që ky vendim sot edhe e dëshmoi me vendimin e dhënë ndaj Salih Mustafës, që kjo Gjykatë absolutisht nuk i mbron të drejtat e shqiptarëve të Kosovës”, u shpreh Sopi.

    Gjykata Speciale në Hagë e shpalli fajtor sot Salih Mustafën, i njohur si komandant Cali, duke e dënuar me burgim për akuzat torturë si krim lufte, ndalim arbitrar dhe vrasje e paligjshme. Në total ai është dënuar me 26 vjet burgim, shkruan Insajderi.

    Mustafa është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

    “Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim luftë. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme”.

    “Trupi gjykues ju dënon me dënim të njësuar me 26 vjet burgim në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, tha kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Botë
    15 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark