×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Insajderi / Ballina 5

    Favori i Komunës së Prishtinës për “Kastrati”-n nxitë betejë mes korporatave të naftës

    Insajderi
    27 October 2022 - 20:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pompa e derivateve “Kastrati” pikën e re të shitjes do ta ketë ngjitas me konkurrentin e tij, “Patroni”-n – çështje kjo që ka nxitur betejën mes korporatave të naftës. Insajderi sjell detajet ekskluzive të rastit, në të cilin është përfshirë edhe komuna e Prishtinës së Përparim Ramës.

    Kompania “Kastrati” ka nisur ta ndërtojë pikën e re të derivateve në dalje në Prishtinës, rrugës për Fushë-Kosovë.

    Ky fakt e ka penguar “Patronin”, biznesin e naftës, në kufirin e së cilës kanë nisur punimet për objektin e “Kastrati”-t.

    Pikërisht për këtë çështje Zyra Ligjore e “Patroni”-t ka çuar ankesë në komunën e Prishtinës, për anulimin e lejes së ndërtimit të “Kastrati”-it, zbulon Gazeta Insajderi.

    Në letrën që e ka siguruar Gazeta Insajderi, e cila ka shkuar në adresë të Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës, dhe atë të Arbër Sadikit, drejtorit të Urbanizimit, tregohen arsyet e “anulimit të lejes”.

    “Me anë të vendimit të drejtorisë së Urbanizimit sipas informacioneve të marra i është dhënë leja e ndërtimit kompanisë Kastrati Group, anash pompës tonë të benzinit në kundërshtim me kushtet dhe kriteret e ndërtimit të objekteve të përkohshme”, thuhet në ankesën e “Patroni”-t, e cila është dërguar më 27 shtator të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo thuhet se është bërë kundër Nenit 11, pika 1 dhe 2 të Rregullores për Procedurën e Ndërtimit të Objekteve me karakter të Përkohshëm për pronat e personave Fizik dhe Juridik.

    “Në pikën 1 thuhet se distanca e objekteve me karakter të përkohshëm nga kufiri i parcelës duhet të përcaktohet sipas kritereve të planeve urbanistike, ndërsa në pikën 2 thuhet se distanca mund të zvogëlohet deri në 1.2 metra, me pëlqim të pronarëve të parcelave fqinje”, vazhdon arsyetimi i “Patroni”-t për krerët e komunës së Prishtinës, ku kërkohet anulimi i lejes ndërtimore, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më tej, ankesa thotë se ndërtimi i objektit është bërë në kundërshtim me nenin 18 të Ligjit mbi Ndërtimet i cili thotë se “nëse nuk ekziston plani rregullativ urban, aplikuesi i propozon organit kompetent kushtet ndërtimore që dalin mbi bazën e diametrit prej 50 metrave nga vijat kufizuese të parcelës tokësore për të cilin aplikuesi ka kërkuar të ndërtojë objektin e tij ndërtimor”.

    Gazeta Insajderi i ka shkruar Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës, dhe Arbër Sadikit, drejtorit të Urbanizimit, për t’i pyetur se si e kanë lejuar dhënien e lejes ndërtimore, në kundërshtim me Rregulloren dhe Ligjin në fuqi, por nuk kanë kthyer përgjigje.

    Rama e Sadiki nuk kanë treguar as për atë nëse do ta anulojnë ose jo lejen e dhënë për “Kastrati”-n, në bazë të së cilës kanë nisur ndërtimin e pikës së re të karburantit.

    Përgjigje nuk ka kthyer as “Kastrati”, i cili ka nisur punimet ngjitas me “Patronin”, pavarësisht pyetjeve të pranuara nga Gazeta Insajderi.

    Pika e derivateve “Patroni” që tash e disa vjet vepron në atë pjesë të Prishtinës në letrën dërguar komunë së Prishtinës, e për të cilën ende nuk ka marrë përgjigje, tregon se sa do të dëmtohet biznesi i tyre kur objekti në kufi me ta do të funksionalizohet.

    “Më rastin e dhënies së lejes së ndërtimit kompanisë Kastrati Group, kompanisë tonë si investitor me rastin e investimit kemi pas shpenzime në vlerë prej 1.5 milion euro, ndërsa me rastin e dhënies së lejes së ndërtimit kompanisë Kastrati Group mund të kemi shkaktim të dëmit në vlerë prej 5 milionë eurove”, vazhdon ankesa e “Patroni”-t, e cila ende nuk është marrë parasysh nga drejtuesit e Prishtinës.

    Ndryshe, “Patroni” funksion që nga viti 1989 në Kosovë, dhe tash ka disa pika të shitjes së karburanteve, njëjtë siç i ka edhe “Kastrati” e cila është themeluar më 1995.

    Kjo e fundit pikën e re të shitjes së derivateve do ta ketë ngjitas me konkurrentin e tij, çështje kjo që ka nxitur betejën mes korporatave të naftës, për shkak të favorit të komunës së Prishtinës.

    Në maj, shteti ia kishte bërë një favor tjetër “Kastrati”-t

    Ministria e Mbrojtës në maj e pati ka shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik “Kastrati” për “Furnizim emergjent me karburant derivate për automjete” për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Insajderi, vlera e kësaj kontrate pas negociatave ishte 82 mijë e 111 euro, e cila ishte nënshkruar me  11 maj 2022.

    Në letrën e shpallur për tenderuesin e suksesshëm potencohej se kompania “Kastrati” kishte dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët si përgjigje për njoftimin e kontratës.

    Mirëpo, Gazeta Insajderi pati mësuar se biznesmeni Valon Kastrati, që drejton kompaninë në fjalë është mik shumë i afërt i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

    Këtë e konfirmon edhe vet ministri ku në profilin e tij në Facebook ka shkruar se e ka vizituar Valon Kastratin, “mikun tim” dhe familjen e tij.

    “Sot vizitë familjes së mikut tim Valon Kastrati…”, shkruan mes tjerash ministri Mehaj në postimin dedikuar mikut të tij të cilin e shpërblen me tender mbi 80 mijë euro.

    Para kompanisë “Kastrati SHPK”, MM dhe FSK e ka furnizuar me derivate kompania tjetër “Petrol Company”, por asaj iu është ndërprerë kontrata.

    Gazeta Insajderi ishte interesuar të marrte një përgjigje se mbi çfarë baze Ministria e Mbrojtjes e ka larguar kompaninë e vjetër dhe ka shpërblyer një kompani tjetër, por nuk kishte kthyer përgjigje.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark