Rekordmenia shqiptare merr tre medalje në kampionatin ballkanik në Kraljevo
Rekordet duket se janë të lidhura gjithnjë me emrin e saj. Luiza Gega mahnit sërish në pistat e vrapimit, duke shkruar gjithmonë historinë.
Atletja shqiptare ishte e jashtëzakonshme në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Serbi, teksa shënoi emrin me gërma të arta. Tre medalje të arta ia doli të fitojë rekordmenia shqiptare, me Luiza Gegën që u shpall kampione Ballkani në garën e 3000 metrave me dhe pa pengesa, si dhe në garën e 5000 metrave.
Dominim i Luiza Gegës që tregoi se është e pakonkurrueshme në një aktivitet ku marrin pjesë edhe vende që nuk janë pjesë e rajonit. Në këtë aktivitet atletja shqiptare arriti edhe kualifikimin në Lojërat Olimpike Paris 2024, pikërisht në garën e saj të preferuar 3000 metra me pengesa.
Këtë vit Luiza fitoi edhe të artën në Lojërat Europiane që u zhvilluan në Poloni, ndërsa muajin e ardhshëm do të zbresë në pistë për aktivitetin më të rëndësishëm të vitit, Botërori, që do të zhvillohet në Hungari.