Ia humbi 13 mijë euro dikasterit qeveritar që e drejton, duke i mbajtur të fshehura shpenzimet e Prindon Sadriut, por kryediplomatja Donika Gërvalla, me shumë siguri ka folur për qeverisje transparente të mërkurën. Ajo gënjeu publikisht kur tha se MPJ i është përgjigjur pozitivisht kërkesave të mediave, pasi janë të paktën 4 kërkesa zyrtare që vetëm Gazeta Insajderi i ka drejtuar tek Gërvalla për shpenzimet e Prindon Sadriut. Në asnjërën deri tash nuk ka marrë përgjigje, ndonëse prej kërkesës së parë kanë kaluar 8 muaj të plotë. Gërvalla rrezikon të marrë edhe gjobën tjetër nga Agjencia për Informim, pasi që e njëjta ka refuzuar edhe kërkesat e ripërsëritura nga Insajderi
Ka hyrë në muajin e 8 beteja e Gazetës Insajderi me Ministrinë e Punëve të Jashtme, që drejtohet nga Donika Gërvalla, për faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu. Por MPJ, nuk e ka ndërmend që të zbuloj se sa para të taksave të qytetarëve harxhoi Sadriu, që është edhe bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani.
Sadriu që e mbante pozitën e zëvendësshefit të misionit diplomatik në Shkup, kishe kërkuar që t’i ofrohej mundësia e shfrytëzimit të karburantit nga shteti deri në gjetjen e një banese për akomodim atje. Kërkesa e tij, ishte aprovuar.
Lidhur me shpenzimet për karburante dhe shpenzimet e tjera që kishte bërë Sadriu, Gazeta Insajderi në muajin shkurt të këtij viti, i ka bërë dy kërkesë për qasje në faturat e shpenzimeve të tij.
Pavarësisht që është e obliguar me ligj që të ofroj dokumentet, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ia dha faturat Insajderit.
Gazeta u ankua në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Agjencia, në fillim të qershorit i kërkoi MPJ-së që brenda shtatë ditësh t`ia ofronte gazetës faturat e shpenzimeve të Sadriut. MPJ nuk e mori parasysh kërkesën.
Në fillim të muaji korrik Agjencia e gjobiti me 3 mijë euro për heshtje ndaj kërkesës. As pas kësaj shteti nuk u zmbraps nga përpjekja për favorizimin e burrit të presidentes.
Kjo bëri që Agjenci për Informim dhe Privatësi, ta gjobitë për herë të dytë Ministrinë e Punëve të Jashtme me 10 mijë euro, për mos qasje në dokumente, që në total i bie 13 mijë euro.
“I shqiptohet gjobë institucionit publik në fjalë [MPJ], shuma e së cilës arrin në 13 mijë euro”, thuhet në vendimin e AIP.
Pas kësaj, Gërvalla doli me një përgjigje banale se pse po i fsheh shpenzimet e burrit të ish-kryetares së partisë Vjosa Osamani, ndonëse ai paguhet me taksa të qytetarëve. Tha se faturat nuk munden me i nda veç e veç se si i kanë shpenzuar zyrtarët.
“Shpenzimet nuk mund t’i ndajmë veç e veç”, tha ajo.
Por edhe në këtë rast gënjeu, sepse e njëjta ministri para një viti i ofroi Gazetës Insajderi, faturat e ish-ministres Meliza Haradinaj dhe kabinetit të saj.
Rrjedhimisht, shteti u pajtua që në këmbim të fshehjes së faturave të Prindon Sadriut, të paguaj 13 mijë euro gjobën. Këtë e bëri në muajin shtator.
Rreth këtij rasti skandaloz të MPJ-së, është njoftuar edhe Avokati i Popullit, i cili ka konfirmuar se ka nisur hetimet.
49 ditë nga ripërsëritja e kërkesave për shpenzimet e Sadriut
Redaksia e Gazetës Insajderi, e bindur se shpenzimi i parasë publikie, e sidomos nga bashkëshori i Presidentes është interes i madh i publikut, ka vendosur ta vazhdoj betejën për kërkim të transparencës nga MPJ.
Tri ditë pasi që Agjencia për Informim dhe Privatësi e gjobiti MPJ-në me 13 mijë euro për fshehjen e faturave të Prindon Sadriut, me 25 dhe 26 korrik, Gazeta Insajderi i ka ripërsëritur dy kërkesat.
Nga MPJ gazeta ka kërkuar përveç shpenzimeve të derivateve, të na ofroj edhe shpenzimet për për mëditje, dreka, darka dhe shpenzime telefoni.
Por ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla, përveç që nuk i ka ofruar faturat brenda afatit ligjor, as në kërkesat e ripërsëritura ajo nuk e ka njoftuar gazetën për protokollimin e tyre siç është e obliguar me ligjin në fuqi.
Plotë 49 ditë pune kanë kaluar prej kur janë ripërsëritur kërkesat MPJ-së.
Rasti i dy kërkesave të ripërsëritura është duke u shqyrtuar nga një herë nga kjo agjenci.
Prindon Sadiu, është zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe paguhet nga taksat e qytetarëve.
Institucionet vendore janë të obliguara me ligj që të bëjnë publike se si e shpenzojnë çdo centë të taksapaguesve kosovarë. Por kjo nuk po vlenë për MPJ-së, pasi është aktivizuar për t`i mbajtur të fshehura.
Pse po gënjen ministrja Gërvalla?
Për kundër tërë këtij historiku të mbylljes totale e fshehjes së shpenzimeve të zyrtarit të saj, Donika Gërvalla si shefe e Ministrisë së Punëve të Jashtme, flet për transparencë.
Gazetarja e “Zërit të Amerikës”, të mërkuren kërkoi nga diplomatja Gërvalla të tregoj përse institucioni që ajo drejton refuzoi kërkesën e Gazetës Insajderi, për çka edhe u gjobit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi me 13 mijë euro gjobë për mos transparencë.
Përgjigja e Gërvallës filloi me “kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës” duke e injoruar faktin që pikërisht dikasteri i saj, është gjobitur për mos transparencë.
“Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, mendoj se kjo qeveri larg së qeni perfekte në punën e saj, ka ofruar qasje qoftë në dokumente publike por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të madhe jo vetëm për gazetarë por edhe institucione apo për shoqërinë civile”.
“Unë shumë gëzohem që shoqëria civile dhe mediat në Kosovë janë kaq të zëshme në kërkesat e tyre për më shumë transparencë sepse mendoj që kjo i shërben një demokracie më të fortë në Kosovë”, tha ajo.
Çka quan transparencë kryediplomatja, që nuk i përgjigjet 4 kërkesave për qasje në dokumente të gazetës Insajderi, as pas 8 muajsh prej kur i është kërkesa për herë të parë?/Gazeta Insajderi