×
Hulumtime/Analiza / Analiza

MPJ vazhdon t`i mbaj të fshehura shpenzimet e Prindon Sadriut – Injoron edhe dy kërekesa tjera të  Insajderit

Insajderi
16 August 2022 - 17:02
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Tri ditë pasi që Agjencia për Informim dhe Privatësi e gjobiti Ministrinë e Punëve të Jashtme me 13 mijë euro për fshehjen e faturave të Prindon Sadriut, Gazeta Insajderi ka ripërsëritur kërkesat. Nga Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar përveç shpenzimeve të derivateve, të na ofroj edhe shpenzimet për për mëditje, dreka, darka dhe shpenzime telefoni. Por ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla, përveç që nuk i ka ofruar faturat brenda afatit ligjor, as në kërkesat e ripërsëritura ajo nuk e ka njoftuar gazetën për protokollimin e tyre siç është e obliguar me ligjin në fuqi

Ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla, siç duket nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga fshehja e faturave të shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu, as pas dënimit me 13 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Gazeta Insajderi, me 25 dhe 26 korrik i ka ridërguar edhe një herë dy kërkesat për qasje në dokumentet publike, duke kërkuar shpenzimet e Prindon Sadriut për derivate, dreka, darka, meditje e telefon.

Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka dërguar asnjë konfirmim për pranimin e kërkesave e as përgjigje rreth tyre. Që kur i janë ridërguar kërkesat, kanë kaluar 15 ditë pune, duke u kaluar kështu afatet ligjore që janë të parapara për përgjigje nga Institucionet Publike në kërkesa. Por nga Ministria e Punëve të Jashtme

Lidhur me heshtjen e MPJ-së rreth dy kërkesave të gazetës është njoftuar edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Rasti i dy kërkesave të ripërsëritura është duke u shqyrtuar nga një herë nga kjo agjenci.

Për fshehjen e faturave nga MPJ është njoftuar edhe insitucioni i Avokatit të Popullit, i cili është duke e shyrtuar ankesën e Gazetës Insajderi ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Prindon Sadiu, që është edhe bashkëshort i Presidentes së vendit, Vjosa Osmani është zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe paguhet nga taksat e qytetarëve.

Institucionet vendore janë të obliguara me ligj që të bëjnë publike se si e shpenzojnë cdo centë të taksapaguesve kosovarë. Por në rastin konkret, kur gazeta ka kërkuar faturat e shpenzimeve të diplomatit Sadriu, MPJ i ka mbajtur të fshehura.

“Donika Gërvalla nuk mund t`i ndajmë shpenzimet veç e veç”

Në paraqitjen e parë për media pasi u dënua nga 13 mijë euro nga AIP, ministrja Donika Gërvalla tha se publikimi i shpenzimeve të ish-shefit të Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, Prindon Sadriut, ka qenë i pamundur për ministrinë.

Sipas saj MPJ-ja ka mungesë të kapaciteteve për trajtimin e rasteve të shpenzimeve të secilit mision “veç e veç”

“Ne kemi pasur një kërkesë. Ministria e Punëve të Jashtme, shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk janë të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht, prandaj edhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme. Shpenzimet nuk mund t’i ndajmë veç e veç”, tha ajo.

“Unë mendoj që është diçka logjike dhe e thjeshtë: nuk kemi asnjë lloj interesimi që të mbajmë fshehur shpenzimet e askujt”, tha ajo.

Ani pse u ankua se MPJ nuk ka staf për t`i ndare shpenzimet veç e veç Gërvalla dha një deklaratë tjetër se shpenzimet do të publikohen si të plotë, në një periudhë afat-shkurtër kohore.

“Shpenzimet sa i përket misionit janë në dispozicion. Nuk ka asnjë… Vendimi nga ana e sekretarit është marrë kohë më parë që të përgatiten shpenzimet, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit me qëllim që të sigurojmë një transparencë. Jemi në aspektin e realizimit teknik. Vendimi politik është marrë për publikimin e tyre”, tha kryediplomatja.

Një veprim i para një viti i kësaj ministrie e demanton deklaratën e Gërvallës.

Ministria e Punëve të Jashtme, para një viti, siç edhe obligohet me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike i kishte ofruar Gazetës Insajderi, shpenzime për derivate për zyrtarët që ka kërkuar.

Ky insitucion në majt të vitit të kaluar i lejoi qasje Gazeta Insajderi, në faturat e shpenzimeve për derivate jo vetëm për një person, por për të gjithë kabinetin e ministres në atë kohë Meliza Haradinaj-Stublla.

Shpenzimet nuk i ofroi të tërësishmë por veç e veç për secilin zyrat, për secilin muaj sa ka shpenzuar.

Ministria e Punëve të Jashtme që në atëkohë ofroi edhe shpenzimet tjera përveç derivate siç edhe i kishte kërkuar Insajderi.

Specifikisht tregoi, se sa kanë shpenzuar Meliza Haradinaj-Stublla, Teuta Shahatqija, Muhamet Brajshori, Bekim Brestovci e Aldisa Morina edhe për paga, medite, dreka darka e shpenzime telefoni.

Ndërsa në rastin e diplomatit Prindon Sadriut veproi ndryshe, duke i fshehur ato.

Gjoba 13 mijë euro për fshehjen e faturave nga MPJ

Me 22 korrik, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, është dënuar me 13 mijë euro gjobë pasi që ka refuzuar t`i ofroj Gazetës Insajderi faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu, që është edhe bashkëshorti i Presidentes së vendit. MPJ me taksa të qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadriut nga Kosova në Maqedoni aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit.

Por për këto shpenzime ky insitucion nuk i ofroi të dhëna Gazetës anipse ka mbi 4 muaj që kur i janë kërkuar ato, e që ligji i obligon t`i bëjnë publike.

Pasiqë MPJ nuk i ofroi këto fatura, Gazeta Insajderi u ankua në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, e cila nxorri një vendim me 2 qershor, duke e obliguar atë që brenda 7 ditësh t`i jap faturat gazetës.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk e përfilli fare vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Si rrjedhojë e kësaj, AIP me 1 korrik e gjobiti me 3 mijë euro fillimisht.

“Shqiptohet gjobë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për moszbatimin e vendimit të datës 02.06.2022 në shumën prej 3 mijë euro për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumentet publike”.

Pasiqë përsëri Ministria e Gërvallës heshti, Agjencia shqiptoi sot edhe gjobën e dytë.

“Shqiptohet gjobë për moszbatim të vendimit të datës 02.06.2022 në shumën prej 10 mijë euro për pamundësinë e realizimit tët  të drejtës për qasje në dokumentet publike”, thuhet në vendimin e 22 korrikut të AIP-as.

Agjencia e obligon MPJ-në që brenda 30 ditësh të paguaj totalin e gjobës prej 13 mije eurosh, shkruan Gazeta Insajderi.

Kujtojmë se Prindon Sadriu, që është edhe bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani, që e mbante pozitën e zëvendësshefit të misionit diplomatik në Shkup, më 2 mars të viti 2020, kishe kërkuar nga Ambasadori i Kosovës në atëkohë Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës.

Në kërkesë e specifikonte se dëshironte shfrytëzimin e karburanteve nga shteti deri në gjetjen e një banese për akomodim, siç thoshte ai deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

Kjo kërkesëe tij, ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së me 2 mars 2020.

Mirëpo asnjëherë publikisht Sadriu nuk tregoi se a gjeti banesë dhe sa gjatë Ministria e Punëve të Jashtme i ka paguar atij për karburante. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark