×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Gëzim e hidhërim bashkë për Krasniqin- Lirohet por i ndalohet hyrja në zyrën e kryeshefit në KEK

    Insajderi
    15 September 2023 - 16:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sot me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është liruar nga paraburgimi, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Kërkesa për lirim nga paraburgimi për Krasniqin është bërë nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe është aprovuar nga Gjykata.

    Por, me lajmin për lirimin ai mori edhe një lajm të keq. Masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar.

    Ish-kryeshefi i KEK-ut, nuk do të mund t’i afrohet në më shumë se 50 metra objektit të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës dhe personave që janë të punësuar në KEK.

    Zëdhënësja për informimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Milinda Gashi i tha Gazetës Insajderi se ndaj tij gjykata ka caktuar masën e ndalimit për të iu afruar vendit apo personit të caktuar.

    “Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë”, ka thënë Gashi.

    Ndryshe, Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

    Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.

    Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litëin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.

    Në fillim të shkurtit të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nënshkroi kontratë mbi 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA”. Puna që duhej të kryente kjo kompani dhe partneri vendor “Bujar B. Shala B.I.”. ishte për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

    Kontrata ishte e negociuar dhe u bë shpejt. Derisa vet thirrja u shpall më 27 janar, 2023, njoftimi që është lidhur kontrata u bë më 3 shkurt.

    Me këtë kontratë pritej që të kthehej në punë ky bllok në fillim të muajit prill 2023.

    Derisa kompania “Litwin SA” ishte në garë edhe në një tender të anuluar më herët po për riparimin e bllokut A5, kpmpania Bujar B. Shala B.I. , sipas Agjencisë e Bizneseve del që është regjistruar më 25 janar të vitit 2022 dhe aktivitet primar e ka “Tregtia tjetër me pakicë, jo në dyqane, tezga ose tregje”.

    Gazeta Insajderi pati raportuar për shkarkimin e Shemsi Hazirit, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, i cili udhëhiqte hetimet për Nagip Krasniqin dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark