Në këtë ditë gjashtë vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA, organin qeverisës të futbollit evropian, përkundër kundërshtimit dhe lobimit të ashpër nga Serbia.
Në Kongresin e UEFA-s më 3 maj 2016, Kosova u bë anëtarja e 55-të e shtëpisë evropiane të futbollit, me 28 vota pro, 24 kundër. Dy vota ishin shpallur të pavlefshme, shkruan FrontOnline.
Pranimi në UEFA i hapi rrugë aplikimit për anëtarësim dhe përfundimisht edhe pranim po ashtu në FIFA, shtëpinë e futbollit botëror, i cili erdhi vetëm dhjetë ditë më vonë, më 13 maj 2016.
Që prej atëherë, Përfaqësuesja e Kosovës ka marrë pjesë një herë në eliminatoret për Kampionat Evropian dhe për Kampionatin Botëror.
Pranimi në UEFA po ashtu ua mundësoi klubeve të ligës elitare kosovare, Superligës, të garojnë për pjesëmarrje në garat evropiane, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Rol kyç dhe kryesor për ta bindur Kongresin e UEFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të veten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më vonë, më 9 qershor 2018.