×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Gruaja u vra nga burri, prokuroria u dënua veç me 30 përqind të pagës – vendimi që ekspozon keq Këshillin Prokurorial

    Insajderi
    30 January 2024 - 12:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një gruaja iu mohua e drejta për jetë, ajo u vra nga burri i saj. Deri tek vrasja erdhi si pasojë e neglizhencës nga organet gjegjëse. Prokuroria u dënua veç me 30 përqind të pagës, ndërkohë që Sebahate Morinën e mbuloi dheu, shkruan Insajderi.

    Se iu kishte mohuar e drejta për jetë kështu e kishte konstatuar Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e 22 marsit 2023. Ajo u vra nga ish-bashkëshorti më 14 mars 2021 në Prishtinë.

    Vrasja e saj erdhi si pasojë e neglizhimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Stacioni Policor në Graçanicë.

    Dështimi për mbrojtjen e jetës, e drejtë kjo themelore sipas Kushtetutës së vendit, për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) rezultoi me zvogëlim të pagës 30% për një vit për prokuroren e rastit, Hava Krasniqi.

    Ndonëse, sipas vendimit të KPK-së prokurorja është gjetur përgjegjëse, pasi kishte dështuar në ushtrimin e profesionit të prokurorit, ngase nuk kishte vlerësuar rrezikshmërinë dhe marrë veprime urgjente sipas kompetencave ligjore.

    Vendimi i Këshillit është marrë më 26 qershor 2023, ndërsa është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme më 1 gusht 2023.

    Edhe pse vendimi ishte konfirmuar nga shkalla e tretë, para afro 6 muajsh, i njëjti nuk ishte publikuar në ueb-faqen zyrtare të KPK-së. E kjo, nga KPK ishte arsyetuar me atë se ishte hequr rastësisht nga ueb-portali i KPK-së.

    Ju njoftoj se, Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës SUPREME A.A.nr.27 /2023, të datës 1 gusht 2023, janë publikuar me kohë në uebportal, por janë hequr rastësisht gjatë bartjes së të dhënave nga uebportali aktual në uebportalin e ri, i cili pritet të lansohet në mars të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

    E ndjera Sebahate Morina, u vra 10 ditë pasi ishte raportuar rasti i dhunës ndaj saj, ish-bashkëshorti i saj (i dyshuari), ishte liruar në procedurë të rregullt dhe Morinës nuk i ishte ofruar mbrojtje. Kështu, në ditën e 11-të, pak metra pa mbërritur në vendin e punës, Morina u vra nga ish-bashkëshorti, i cili me pas vrau edhe veten.

    Sistemi Prokurorial i Kosovës inicioi procedurën disiplinore tek pas dy viteve, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se tani të ndjerës i ishte shkelur e drejta për jetë. Andaj, KPK mori vendim për zvogëlim të pagës për prokuroren e rastit.

    Sipas arsyetimit të vendimit, zvogëlimin e pagës së prokurores si masë disiplinore, Këshilli e ka bërë pasi është gjetur se prokurorja Krasniqi kishte vepruar në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 2, nënparagrafi 2.5 dhe 2.1 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    Krasniqi ka dështuar në ushtrimin e profesionit të prokurorit sepse, mungesa e vlerësimit të rrezikut nga ana e prokurores Krasniqi pas raportimit të dhunës në familje, duke marr për bazë faktin që i dyshuari L.S ishte recidivist, kishte dënim për vepër penale në vitin 2019, kishte urdhër mbrojtje të lëshuar nga Gjykata dhe dy deklarata për ushtrimin e dhunës ndaj viktimës tani të ndjerës S.S. Prokurorja Hava Krasniqi ka neglizhuar me rastin duke mos ndërmarr veprime hetimore nga data e raportimit të dhunës, përkatësisht 03 mars 2021 deri në vrasjen e të ndjerës, 14 mars 2021”, thuhet në arsyetimin e KPK-së.

    Aty thuhet se periudha prej 10 ditësh që prokurorja nuk ka marrë masa konkrete, bëri të dështojë në mbrojtjen e jetës së tani të ndjerës.

    Sipas vendimit, prokurorja Krasniqi, kishte anashkaluar faktin se i dyshuari ishte recidivist, kishte dënim për vepër penale në 2019, kishte urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata dhe dy deklarata të ushtrimit të dhunës ndaj viktimës.

    Përkundër atyre që përmenden më lartë, thuhet se prokurorja, të dyshuarin (ish-bashkëshortin e Morinës), e kishte liruar në procedurë të rregullt, duke autorizuar Policinë që ta intervistojnë (të dyshuarin) të nesërmen.

    Ndaj vendimit të KPK-së, ankesë në Supreme kishte ushtruar prokurorja Krasniqi, me arsyetimin se rasti i iniciuar nga autoriteti kompetent është gjykuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me vendim të 19 marsit 2021, ku ishte konstatuar se “Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka bërë asnjë lëshim”, shkruan Betimi për Drejtësi.

    Gjithashtu, ajo kishte pretenduar se KPK ka zbatuar gabimisht ligjin, duke vërtetuar gabimisht gjendjen faktike.

    Por, ankesa e Krasniqit është gjetur e pabazuar nga Supremja, duke thënë se nuk ka provë që dëshmon se është zhvilluar ndonjë procedurë hetimore dhe të jetë marrë ndonjë vendim nga KPK apo gjykata në këtë rast. Dhe se është vërtetuar se prokurorja, është përfshirë në shkelje.

    Supremja, ka vërtetuar vendimin e KPK-së, duke thënë se ka vlerësuar drejt të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e prokurores.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark