×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Hajdari e lavdëron dikasterin e saj, por Auditori gjeti shumë shkelje në agjencinë që udhëhiqet nga ajo

    Insajderi
    25 May 2023 - 12:29

    Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar në seancën e sotme të Kuvendit një rezolutë për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

    Deputeti i PDK-së, Ferat Shala e mori fjalën i pari, duke thënë se menaxhimi i këtij dikasteri nga ministrja Rozeta Hajdari “ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës”.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Shala ka theksuar se nëse Qeveria nuk reagon për situatën në këtë ministri, nënkupton se dikush i fuqishëm qëndron prapa keqpërdorimeve.

    “Do t’i radhis disa nga shkeljet e kësaj ministre. Projekti i Bankës Botërore në vlerë prej 15 milionë euro i keqmenaxhuar juridikisht dhe operacionalisht. Skandali i radhës është skandali i Dubait për artefaktet. Emërimi dhe shkarkimi i 7 sekretarëve permanent. Angazhimi i ekspertëve me pagesë 1000 euro ditën. Nënshkrimi i jashtëligjshëm i kontratës për investitorin strategjik. Zhvlerësimi i rregullores për investime strategjike. Asnjë rezultat në këtë sektor. Keqmenaxhimi i rezervave shtetërore. Keqmenaxhimi i vajit ushqimor. Rreth 200 mijë litra vaj të kontraktuara nuk janë ardhur në Kosovë ende për rezervë shtetërore”.

    “Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria për mosdeklarim të pasurisë është shkelja e radhës. 500 mijë kopje të gazetës franceze. Rritja e importit si asnjëherë më parë nga Serbia. Nuk është vetëm çështje opozitare, është ekonomike është çështje sociale. Çka duhet të ndodhë tutje që kjo Qeveri të marrë masa. Aferat e tilla të cilat po heshten na kanë sjellë deri te një inflacion e import kaq i madh. Ju kërkoj që të debatojmë hapur dhe të nxjerrim bashkë një rezolutë që na nxjerr nga kjo situatë. Nëse pas sotit kryeministri Kurti dhe mazhoranca nuk reagon atëherë dikush i fortë po qëndron prapa këtyre keqpërdorimeve milionëshe”, ka thënë Shala, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, është përgjigjur pas kritikave të opozitës për ministrinë dhe kërkesën që ajo të dorëhiqet.

    Hajdari ka thënë se vazhdimisht po përmenden skandale, por se nuk po jepen argumente.

    “Thoni që ka skandale të vazhdueshme, a janë dokumentuar në ndonjë raport të Auditorit këto skandale sepse kemi pasur një auditim. Për projektin e Bankës Botërore, ka qenë projekt huamarrje nga Qeveria për bizneset. Ju shpifni që ne kemi dhënë para për Dubai dhe kjo është shpifje sepse nuk ka ndodhur asnjëherë. Ju shpifni por nuk argumentoni. Duhet të thoni konkretisht çka kemi bë skandal në Dubai”.

    “Emërimi dhe shkarkimi i shtatë sekretarëve permanentë, ju i pasket gjetë shtatë, unë e di që janë më pak. Unë nuk kam asgjë personale me asnjë zyrtar. Angazhimi i ekspertëve, 1000 euro ditën. Po i nderuar 1000 euro ditën, por a keni pasur ndonjëherë politikë industriale për Kosovën, asnjëherë”, ka thënë Hajdari, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, çka gjeti Auditori i Shtetit në agjencinë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari?

    Saktësisht 13 gjetje janë renditur në raportin e Auditorit të Shtetit për Agjencinë e Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, e cila funksionon në kuadër të dikasterit që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.

    Dokumenti zyrtar i publikuar këtë maj nga ZKA thekson se MINT dhe KIESA kanë dështuar t’i ndihmojnë Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme në Republikën e Kosovë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gjetja e parë zbulon se agjencia dhe ministria kanë pasur mungesën e Strategjisë për Zhvillimin e NMVM-ve.

    Gjetja e dytë thotë se nuk ka funksionuar këshilli kombëtar për Zona Ekonomike.

    Gjetja e tretë tregon që themelimi i Zonave të lira ekonomike me vendime të qeverisë është bërë pa studim të fizibilitetit.

    Gjetja e katërtë zbardhë mungesën e investimeve në Zonat Ekonomike.

    Gjetja e pestë thekson mungesën e infrastrukturës në Zonat Ekonomike.

    Gjetja e gjashtë e Autidimit shkruan për mungesën e analizave për nevojat e NMVM.

    Gjetja e shtatë trumbeton vonesën në thirrjet publike.

    Gjetja e tetë lidhet më atë më lartë ku thuhet se buxheti nuk është shpenzuar për shkak të vonesave në thirrje

    Gjetja e nëntë sqaron mangësitë në procesin e vlerësimit të aplikueseve për grante

    Gjetja e dhjetë kallëzon se është bërë monitorimi jo-adekuat i përfitueseve nga MINT/KIESA

    Gjetja e 11-të tha se përkrahjet nuk kanë ndikuar në rritjen e të hyrave

    Ndërkaq, dy gjetjet e fundit e 12-ta dhe e 13-ta theksojnë mungesën e monitorimit të vazhdueshëm nga MINT/KIESA dhe moskoordinimin e MINT/KIESA.

    Raporti i plotë:

    © Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark