×
  • Lajme
  • Lajme

    Hasani: Presidentja në shkelje serioze kushtetuese, mosdenoncimi i kërcënimit – papjekuri e saj!

    Insajderi
    18 October 2023 - 14:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani e ka quajtur papjekuri të skajshme politike mosdenoncimin e kërcënimit nga presidentja Vjosa Osmani. Kjo e fundit deklaroi një ditë më parë se është kërcënuar e shantazhuar për ta dekretuar Blerim Isufajn kryeprokuror, por që nuk ka rënë pre e këtyre “provokimeve”.

    Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Hasani ka thënë se vonesa e shkaktuar në procesin e dekretimit përbën shkelje të detyrimit kushtetues nga neni 84.17 i Kushtetutës.

    Më poshtë e gjeni intervistën e plotë të Enver Hasanit;

    INSAJDERI: Si e keni parë deklarimin e Presidentes së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, për mos dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit si dhe deklaratat e saj qe nuk ka denoncuar  kërcënimet se nuk i beson sistemit te drejtësisë?

    HASANI: Mos dekretimi i një titullari të organit qendror kushtetues përbën një të drejtë, por edhe detyrim të Presidentit të Republikës së Kosovës sipas nenit 84 të Kushtetutës së Republikës. Kjo nënkupton se shefi i shtetit të Kosovës ka dy rrugë, të dekretoj ose të mos dekretoj. Në çdo rast, dekretimi përbën aktin e fundit të konfirmimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së ndjekur nga organi propozues i titullarit të organit kushtetues qendror. Kjo nënkupton që ekzistojnë vetëm dy rrugë – dekretimi ose të refuzimi i dekretimin. Kur bën dekretimin, Presidenti i Republikës nuk jep arsyetim, një gjë e tillë nuk është në natyrën e dekretit. Kur refuzon, Presidenti jep arsye për mos dekretim, të cilat duhet të bazohen në vlerësimet e organeve të tjera kushtetuese ose në burime të tjera të informatave, por asnjëherë në gjetjet faktike origjinare të zyrës së Presidentit të Republikës. Konstatimi i gjendjes faktike origjinale nuk është në mandatin e shefit të shtetit, pra ushtrimi kushtetues ushtrimi i funksionit të mbledhjes së fakteve origjinare nuk i takon këtij organi kushtetues: këtë gjë e bëjnë të tjerët për te.

    Sa i përket deklaratës së Presidentes Osmani që nuk ka denoncuar në polici kërcënimet që ka marrë, mendoj se paraqet një papjekuri politike të skajshme që nuk i ka hije dhe nuk i shkon institucionit që drejton. Përtej kësaj, arsyetimi i saj ishte me synim të qartë kërcënimin e qytetarit duke niveluar institucionin e kreut të shtetit me qytetarin dhe fatin e tij kundrejt shtetit si aparat represiv. Qeverisja me anë të frikësimit të qytetarit duke shkaktuar pasiguri të përgjithshme është sundim. Si metodë në politikë, megjithatë, është e njohur por nuk jep rezultate afatgjate dhe nuk ka perspektivë të mirë.

    INSAJDERI: A paraqet shkelje kushtetuese mos dekretimi?

    HASANI: Nga sa më sipër, qartë del se vonesa e shkaktuar në procesin e dekretimit ose jo të propozimit të marrë nga Këshilli Prokurorial  përbën shkelje të detyrimit kushtetues nga neni 84.17 i Kushtetutës. Ky nen përcakton tagrin e Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim të Presidentit të Republikës. Ky tagër përbën njërin prej tridhjetë autorizimeve kushtetuese që ka ky organ kushtetues me qëllim të materializimit të fizionomisë së tij nga neni 83 i Kushtetutës, që thotë se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës”. Kjo fizionomi që definon natyrën e shefit të shtetit gjendet edhe në nenin 4.3 të dispozitave themelore të Kushtetutës dhe merr fuqi juridike operative përmes kompetencës nga neni 84.2 i Kushtetutës, që përcakton se Presidenti i Republikës “garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. Këtë pjesë të dispozitës operative e ka shkelur Presidentja Osmani kur ka vonuar pa asnjë arsye mos dekretimin.

    Përtej kësaj shkeljeje sistematike dhe e vazhdueshme kushtetuese, deri në njoftimin publik për medie –  që u është dërguar edhe anëtarëve te Këshillit Prokurorial të Kosovës,  në mënyrë të gabuar dhe abuzive sepse Presidenti i Republikës nuk komunikon me organe më të ulta kushtetuese; ai njoftim nuk ka asnjë efekt juridik, ngaqë nuk përmban si shtojcë një vendim kushtetues të Presidentit që vendos për mos dekretim. Më lejoni të sqaroj se dekret refuzues nuk mund të ketë në asnjë sistem juridik dhe nuk mund të shërbejnë ligjet për akte juridike definuese të natyrës së akteve juridike të shefit të shtetit dhe të qeverisë, që nuk mund të jenë objekt i kontrollit të ligjshmërisë. Ky definim bëhet me kushtetutë.

    Mosveprimi i zonjës Osmani ka shkaktuar edhe një shkelje të të drejtave kushtetuese të kandidatëve që nuk janë propozuar nga Këshilli Prokurorial. Dekretet e Presidentit të Republikës nuk mund të jenë objekt i kontrollit të ligjshmërisë, përveç në vendet ku kjo përcaktohet me kushtetutë. Nëpër disa prej kushtetutat e vendeve përreth Kosovës, si ta zëmë Shqipëria, shprehimisht listohen dekretet e organeve qendrore kushtetuese dhe vendimet tjera të tyre si akte juridike që përjashtohen nga kontrolli i ligjshmërisë, duke i lenë t’iu nënshtrohen vetëm kontrollit të drejtpërdrejtë dhe përfundimtar të kushtetutshmërisë. Këtë e bëjnë edhe disa kushtetuta të tjera evropiane. Në Kosovë kjo duhet të nënkuptohet. Çfarë ndodhi në rastin konkret që pyesni? Kandidatët që nuk fituan në Këshillin Prokurorial për të qenë në listë, u detyruan të shterin mjetet juridike: ata shkuan dhe ndoqën rrugën e shterjes së mjeteve juridike, që nuk ekzistojnë në këtë rast, dhe gjyqësori i rregullt me plot të drejtë refuzoj shqyrtimin meritor ngaqë kanditatët në ndërkohë kishin humbur afatet ligjore. Vetë Gjykata Kushtetuese, që kishte udhëzuar palën për një gjë të tillë, në kundërshtim me krejt precedentët e mëparshme të saj, tani tha se kërkesa ishte e papranueshme dhe konfirmoj aktvendimin e gjykatës së rregullt kompetente. E thash edhe dje për Gazeta Express, por them edhe te ju : nëse një ditë futem në Këshill të Evropës, që besoj se ajo ditë nuk është fort larg, Kosova duhet të hartoj një buxhet rezervë për kompensimin e qytetarve të saj për shkeljet e të drejtave të tyre nga ana e shtetit. Vetëm shikoni sa miliona humben nëpër arbitrazhe dhe askush nuk përgjigjet, as penalisht dhe as moralisht. Mund ta imagjinoni sa më keq do jetë gjendja me Gjykatën e Strasburgut pasi të kemi hyrë në Këshill të Evropës (sic!).

    INSAJDERI: A është shenjë e injorimit  të Kosovës nga BE që Presidenti francez Makron foli për Kosovën në takim me kryeministrin shqiptar  Edi Rama, një ditë pasi pati mundësi të fliste për këto gjera me kryeministrin e Kosovës, zotin Kurti, i cili ishte një dite me pare ne Tirane?

    HASANI: Sigurisht që po, meqë fjala çelës që shprehet në prononcimin e zotit Makron kishte të bënte me akuzat e tij mos mbajtje të premtimit të dhënë nga pala e Kosovës, konkretisht nga kryeministri Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani. Ata duhet të sqarojnë për qytetarët e Kosovës se çfarë kanë premtuar dhe nëse kanë mbajtur fjalën. Ndryshe nuk shpjegohet mospërfillja e zotit Makron. Për hir të së vërtetës, kryeministri Kurti ka qenë tërë kohën i lënë në margjina në Tiranë gjatë takimit të Berlinit, dhe kjo vërehet edhe nga paraqitjet vizuale televizive. Klima refuzuese krijohet kësisoj, përmes izolimeve diplomatike që bëhen kuluareve si pasojë e mos seriozitetit në qasje ndaj partnerëve ndërkombëtar që ke në disponim, me të cilët nuk mund të sillesh si me votuesin tënd dhe ata që i ke rival politik brenda shtetit. 

    INSAJDERI: Nga përvoja juaj në Gjykatën Kushtetuese, por pare edhe vendimet e tyre te fundit, nëse dërgohet rasti i mos dekretimit te Kryeprokurori si rast në këtë gjykate, a do te rrezikonte rrëzimin e Presidentes Osmani?

    HASANI: Unë besoj se po. Gjykuar nga rastet e kaluara, kjo shkelje përbën një shkelje më serioze sepse është më e prekshme dhe më lehtë për t’u provuar, përfshirë dhe aspektin e pranueshmërisë së kërkesës eventuale. Çështja është nëse do të dërgohet dhe nëse do ndiqen precedentët e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese. Deri më sot, siç e tash, precedentët janë braktisur shpesh, në një mënyrë të gabuar. Kjo mund të ndodhë sërish. Ky ndryshim i shpejt dhe i bazuar në arsye metafizike, krejtësisht ekstra juridike, prish sigurinë dhe stabilitetin juridik në vend. Ndryshimet e precedentëve të kaluar mund të bëhet dhe është standard i Gjykatës së Strasburgut. Por kjo mund të bëhet vetëm kur flitet për liritë dhe të drejtat kushtetuese: Konventa Evropiane për Drejtat e Njeriut është detyrim kushtetuese ndër ne dhe paraqet një “instrument të gjallë”  (shprehje e Gjykatës së Strasburgut, jo e imja), që ndryshon shpesh për shkak të evoluimit në sistemin evropian të vlerave dhe parimeve. Mirëpo, kur bëhet fjalë për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së akteve juridike, kushtetutshmërisë së konfliktit për kompetencë si dhe për çështjet tjera të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, ndryshimi i shpesh i precdenteve shkatërron reputacionin e Gjykatës Kushtetuese, dhe vë në pikëpyetje kapacitetin profesional të saj dhe guximin intelektual e moral për të vepruar sipas parametrave stabile dhe të besueshme kushtetuese. Kjo sepse kushtetuta në pjesën që mnormon marrdhëniet horizontale të pushtetit dhe të organeve të tij nuk është një “instrument i gjallë’, por relativisht statik: duhet të ruhet qëndrueshmëria e tekstit fillestar maksimalisht dhe, kur devijohet nga teksti dhe precedentët, atëherë  duhet të ekzistojnë rrethana jashtëzakonisht bindëse dhe të jepen arsyetime krejtësisht juridike e profesionale, jo sociologjike e metafizike. /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark