×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Haxhi Shala nis mbarë vitin, kyçet në biznesin fitimprurës të ndërtimit të banesave

    Insajderi
    02 January 2023 - 13:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Haxhi Shala ka dështuar dy herë radhazi të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës. Fillimisht me Nismën Socialdemokrate e në zgjedhjet e fundit me AAK-në. Pas këtyre dështimeve, Shala ka dhënë dorëheqje nga politika për t’u kyçur në një biznes tejet fitimprurës, shkruan Insajderi.

    Në fund të dhjetorit, ndaj ish-deputetit, Prokuroria Speciale ka ngrit aktakuzë nën dyshimin për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votave”, por pavarësisht kësaj Shala e ka nisur mbarë vitin 2023-të. Ai është kyçur në biznesin e ndërtimit të banesave.

    Sot me 2 janar, kompania e tij “HEF Investment” veçse ka nisur punën për ndërtimin e një objekti në zonën e Prizrenit.

    Lajmin për fillimet e punimeve e ka shpërndarë vet Shala në llogarinë e tij në Facebook.

    “Me 02 janar 2023 ne filluam me betonim, shpresoj të jetë vit i punës dhe suksesit! Faleminderit pwr besim dhe përkrahjen”, thuhet në njoftim teksa iu është bashkangjitur fotografia ku shihet duke u punuar me këtë objekt.

    “HEF INVESTMENT L.L.C”, është emri i biznesit të familjes Shala, i cili figuron i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK). Drejtor menaxhues njëherit aksionar ka djalin e Haxhi Shalës, Flakron Shala, i njohur pak për publikun.

    Ky biznes si veprimtari primare ka zhvillimin e projekteve të ndërtimit, pastaj si sekondare, ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore si dhe veprimtari tjera që lidhen kryesisht me ndërtim.

    Kush është Flakron Shala?

    Ndonëse biznesi me ndërtim të objekteve mund t’i shkojë mirë, një tjetër përgjatë 2020-ës nuk i eci aq mirë Haxhi Shalës, kur në pyetje ishte vota e tij për formimin e Qeverisë Hoti.

    Flakron Shala – Haxhi Shala

    Një takim në mesnatën e 3 qershorit të 2020-ës mes ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe deputetit, Haxhi Shala u nënkuptua si pazar.

    Shala do të jepte votën vendimtare për Qeverinë Hoti. Krejt ky mund iu shpërblye Shalës me njërin nga postet më të rëndësishme në diplomaci, atë të konsullit.

    Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala, u emërua Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë. Por kjo nuk zgjati shumë. Me ardhjen e Vjosa Osmanit si ushtruese e detyrës së presidentes, më saktësisht me 25 nëntor, Flakron Shala u shkarkua nga ky post.

    Reagimi nga ish-deputeti ishte i ashpër në mënyrë të tërthorët e quajti Osmanin, fundërrinë.

    “Sonte kur ti Flakron dhe Kosova jeton lirinë, lirinë tënde dhe të Kosovës po e njollosin fundërrinat e ngjitura në kulmin e shtetit”, shkruante Shala.

    Akuza për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e fundit

    Me 30 dhjetor të 2022-ës, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura me 14 shkurt 2021.

    Shala akuzohet për veprën penale “falsifikim i rezultatit të votimit”.

    “Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Gazeta Insajderi ka telefonuar ish-deputetin Shala për të parë se si e komenton ngritjen e aktakuzës, por i njëjti tha se nuk di asgjë për të.

    “Bash u çudita, hale nuk e kam pa, nuk e dita për çka është ky send. Hiç nuk di, send”, u shpreh shkurt ai për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark