×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    “Histori prekëse, sfida, emocione e momente të lumtura”, rrëfehet për Insajderin drejtoresha e SOS fshatit të fëmijëve

    Insajderi
    17 September 2022 - 21:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “SOS nëna dhe SOS tezja”, kështu quhen gratë e SOS fshatit në Kosovë, që kujdesen 24 orë, për fëmijët të cilët nuk e kanë kujdesin prindëror. Që nga viti 1999, nën përkujdesjen e punëtorëve të SOS-it janë rritur më shumë se 2500 fëmijë. Momentalisht nën kujdes të tyre janë 34 fëmijë mosha e të cilëve fillon nga 4 vjeç.

    Drejtoresha Nacionale e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate Ramadani Salihu, në një intervistë për Gazetën Insajderi, ka treguar se përgjatë 20 viteve punë, në këtë detyre ka pasur shumë momente gëzimi, por edhe momente mallëngjimi.

    Momentin që nuk do ta harrojë kurrë, drejtoresha Nezahate tha se se është kur njëra nga vajzat është martuar me të gjitha zakonet dhe doli si nuse nga SOS Fshati. Ajo shtoi se momente emocionuese janë edhe rastet kur fëmijët diplomojnë në fakultete të ndryshme.

    Sipas saj, fëmijët që rriten në këto qendra sapo mbushin 18 vjeç kalojnë në programin e gjysmë pavarsimit, por siç tha ajo ata nuk kanë ndonjë mbështetje nga shteti pëveç SOS fshatit, që nuk heqë dorë dhe vazhdon që t’i përkrahë.

    Në SOS fshatin e fëmijëve një ditë normale fillon si në çdo familje, ku fillojnë përgaditjet për shkollë. Ata gjithashtu marrin pjesë në kurse e aktivitete të ndryshme socializuese. “Këta fëmijë kanë ëndërra për të ardhmen dhe janë nxënës shumë të mirë”, tha Nezahate Ramadani Salihu.

    Falë donacioneve SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, arrijnë që të sigurojnë mbrojtje dhe mirëqenie për fëmijët që janë pjesë e programeve të tyre. Drejtoresha Nezahate tregoi se së fundmi kanë filluar një risi për donacione online përmes uebfaqes www.soskosova.org ku secili mundet me dhuru me aq sa ka mundësi edhe me kontribu në rritjen e mirëqenien e fëmijëve.

    Ajo ka thesuar duke bërë thirrje që ndihmohet  SOS Fshati nga secili me aq sa kanë mundësi, “sepse këta fëmijë përpos nesh dhe jush nuk kanë dikë tjetër në këtë botë”.

    “Andaj ndihmoni dhe kontribuoni që të jeni pjesë rritjes së fëmijëve pa përkujdes prindëror sepse të ardhmes kurrë nuk i dihet, kontributi i juaj sot mund të ndikojë që nesër të kemi një mjek të mirë, një polic, një mësues apo një shkencëtar. E së bashku mund të sigurojmë që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm dhe me ndihmën e juaj mund të ofrojmë një shtëpi të lumtur për çdo fëmijë”, tha ajo.

    Intervista e plotë me Drejtoreshën Nacionale të SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate Ramadani Salihu

    Gazeta Insajderi: Sa fëmijë janë nën përkujdesjen e juaj tani për tani?

    Nezahate Ramadani Salihu: SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë vepron që nga viti 1999 dhe tashmë është përkujdesur për mbi 2,500 fëmijë përmes formave të ndryshme të mbrojtjes dhe kujdesit alternativ.

     Në SOS Fshat kemi dy  programe kryesore:

    •           Kujdesi alternativ dhe mbrojtja e fëmijëve pa përkujdes prindëror; si dhe

    •           Program i Fuqizimit të Familjes.

    Momentalisht kemi nën kujdes  34 fëmijë pa përkujdes prindëror. Po ashtu fëmijët që mbushin 18 vjeç kalojnë në programin e gjysmë pavarësimit, ata largohen nga gjiri i SOS familjes për të u përgatitur për jetesë të pavarur, por natyrisht se SOS Fshati vazhdon t`i përkrahë. Aktualisht kemi 11 të rijnë mbi 18 vjeç të janë pjesë e programit të gjysmë pavarësimit. Fatkeqësisht, fëmijët pa përkujdes prindëror të cilët mbushin 18 vjeç nuk kanë ndonjë përkrahje institucionale pas moshës 18 vjeçare, si kategori e veçante, përveç përkrahjes që marrin nga SOS Fshati.

    Program tjetër i rëndësishëm është edhe Programi i Fuqizimit të Familjes në kuadër të SOS Fshatrave të Fëmijëve i cili vepron në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë. Me këtë program synojmë të parandalojmë shpërbërjen e familjeve të cilat ballafaqohen me sfida. Përmes këtij programi punojmë me familjet duke ju ofruar përkrahje në aspektin psikologjik dhe fuqizimet të tyre ekonomik. Për momentin në kuadër të këtij programi kemi mbi 500 fëmijë përfitues nga të tri komunat. 

    Gazeta Insajderi: Kush ju ndihmon apo financion ju si SOS fshatra të femijëve?

    Nezahate Ramadani Salihu: Falë donacioneve SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, arrijnë që të sigurojnë mbrojtje dhe mirëqenie për fëmijët që janë pjesë e programeve tona. SOS Fshatrat e Fëmijëve zbaton standardet ndërkombëtare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, krahas legjislacionit vendor. Ne besojmë që asnjë fëmijë nuk duhet të rritet i vetëm, andaj dhe puna që ne bëjmë është që të sigurohet që secili fëmijë në nevojë të ketë një shtëpi të lumtur. Natyrisht për të arritur këto qëllime ne kemi nevojë për përkrahje nga miqtë dhe donatorët! SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë një pjesë të fondeve e marrin nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Norvegji, por një pjesë jashtëzakonisht e madhe e fondeve duhet të mblidhet në nivel lokal. Është sfidë, edhe përkundër vullnetit të mirë, pandemia dhe kriza globale ka ndikuar edhe tek ne, andaj ngritja e fondeve po bëhet mision i vështirë. Një risi që e kemi filluar së fundmi është mundësia e donacionit online përmes uebfaqes sonë www.soskosova.org ku secili mundet me dhuru me aq sa ka mundësi edhe me kontribu në rritjen e mirëqenien e fëmijëve

    Drejtoresha Nacionale e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate Ramadani Salihu

    Gazeta Insajderi: Cilat janë procedurat që personat e interesuar të kujdesen apo edhe te të adaptojë një fëmijë nga SOS Fshatrat?

    Nezahate Ramadani Salihu: SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë nuk janë përgjegjës për çështjet e adoptimit pasi që kujdestar ligjor të fëmijëve janë qendrat për punë sociale. Ne vetem ofrojmë kujdes dhe mbrojtje. Zakonisht marrim shumë pyetje për çështjet e adoptimit, sepse mendojnë se ne jemi autoriteti final, por gjithmonë kërkojmë nga të interesuarit të drejtohen tek institucionet relevante, respektivisht tek Qendrat për Punë Sociale.

    Gazeta Insajderi: A mund të na tregoni se si është një ditë e fëmijëve në SOS fshatrat?

    Nezahate Ramadani Salihu: Një ditë në SOS Fshatrat e Fëmijëve është një ditë si në çdo familje. Në SOS Fshat fëmijët që janë të vendosur në kujdesin alternativ akomodohen në SOS Familje, ku secila SOS familje përbëhet nga SOS Nëna, SOS Tezja dhe 4-5 fëmijë pa përkujdes prindëror për të cilët SOS Nëna dhe SOS Tezja ofrojnë kujdes 24 orësh. Dita fillon me përgatitjet e fëmijëve për shkollë dhe aktivitete të ndryshme që stafi psiko-pedagogjik përgatit. Fëmijët në SOS Fshat kanë shumë aktivitete, marrin pjesë në kurse të ndryshme si dhe aktivitete socializuese. Natyrisht pjesa që fëmijët e presin me padurim është koha e pushimeve verore dhe dimërore. Fëmijët e SOS Fshatit janë si të gjithë fëmijët me ëndrra për të ardhmen dhe sfida jetësore që i kanë edhe fëmijët e tjerë në vend. Fatmirësisht deri me tani fëmijët tanë janë edhe nxënës shume të mirë dhe shumica nga fëmijët vitin e kaluar shkollor e kanë përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm.

    Gazeta Insajderi: Cilat janë moshat e fëmijeve që kujdeseni për ta?

    Nezahate Ramadani Salihu: Në SOS Fshat kemi fëmijë nga mosha 4 vjeçare deri në moshën 18 vjeçare. Siç e thashë më lartë, ne po ashtu përkrahim edhe të rinjtë pas moshës 18 vjecare, pasi që është më se e natyrshme që ata kanë akoma nevojë për përkrahje dhe në fund ne jemi familje, e asnjë familje nuk shkëput kontaktet më të rinjtë e vet.

    Gazeta Insajderi: Prej që jeni në pozitën e drejtores nacionale, cili është një rast që mund ta veçoni ju, që ju ka prekur më shumë?

    Nezahate Ramadani Salihu: Unë kam dy dekada punë dhe angazhim në SOS Fshat. Përgjatë këtyre 20 viteve ka pas shumë momente gëzimi, por po ashtu edhe momente mallëngjimi. Është e vështirë të bëjë një ndarje të një momenti specifik, sepse të gjitha janë të veçanta në mënyrën e tyre.  Momenti kur njëra nga vajzat e rritur në SOS Fshat është martuar dhe me të gjitha zakonet tona, ajo doli si nuse nga SOS Fshati është një moment që nuk harrohet. Momenti kur fëmijët tanë diplomojnë në fakultete të ndryshme janë të gjitha momente emocionuese. Të rinjtë edhe kur pavarësohen, krijojnë familje të tyre vazhdojnë të mbajnë kontakte me ne, na thërrasin në ditëlindjet e fëmijëve të tyre dhe na bëjnë pjesë të jetës së tyre. Edhe në rastet kur fëmijët shkojnë në adoptim janë momente emocionuese sepse ata fëmijë bëhen pjesë e jona gjatë qëndrimit me ne.

    Gazeta Insajderi: A mund ta na jepni një krahasim ndër vite se sa është interesimi për adoptim të fëmijëve?

    Nezahate Ramadani Salihu: Nuk mund të flas me numra, pasi që siç e thash përgjegjës janë institucionet relevante, por siç thashë ne marrim me dhjetëra pyetje e kërkesa nga qytetarët për këtë çështje dhe mund të them se ka një interesim për të adoptuar.

    Gazeta Insajderi: Nëse keni ju diçka të shtoni çkado që të tregoni rreth punës së SOS fshatrave për fëmijë në Kosovë?

    Nezahate Ramadani Salihu: Për fund dua të falënderoj secilin donator e qytetarë vullnet mirë që na ka ndihmuar ndër vite, e po ashtu bëj thirrje që të vazhdohet ndihma për SOS Fshatin nga secili me aq sa ka mundësi, sepse këta fëmijë përpos nesh dhe jush nuk kanë dikë tjetër në këtë botë. Andaj ndihmoni dhe kontribuoni që të jeni pjesë rritjes së fëmijëve pa përkujdes prindëror sepse të ardhmes kurrë nuk i dihet, kontributi i juaj sot mund të ndikojë që nesër të kemi një mjek të mirë, një polic, një mësues apo një shkencëtar. E së bashku mund të sigurojmë që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm dhe me ndihmën e juaj mund të ofrojmë një shtëpi të lumtur për çdo fëmijë

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark